“Vllaznia nuk e rrezikon rënien”, Gurishta: Si finale me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 20:03

“Vllaznia nuk e rrezikon rënien”, Gurishta: Si finale me Partizanin

Erdenis Gurishta, “xholi” i ekipit kuqeblu në këtë sezon, është plotësisht i bindur se Vllaznia nuk ndihet e rrezikuar për të rënë nga kategoria.

Gurishta Batha

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai ka bërë një analizë të shkurtër të sezonit të Vllaznisë, duke dhënë mendimin e tij se çfarë duhej bërë mirë. Lojtari është ndalur edhe te blerjet që janë bërë këtë edicion. Gurishta beson te mbijetesa e Vllaznisë, madje pa shkuar as në ndeshjen shtesë, duke lënë të kuptojë se do t’i shpëtojnë zonës “play out”.

Sa ndikoi fitorja ndaj Kukësit dhe humbja e Bylisit për të shpresuar që Vllaznia të mos jetë më në zonën “play out”?

Fitorja ndaj Kukësit dhe humbja e Bylisit ishin shumë të rëndësishme, sepse na ka dhënë shpresë që të jemi akoma në lojë për të shmangur “play out”-in në përfundim të kampionatit.

Të premten ju pret një ndeshje e vështirë ndaj Partizanit në transfertë. A ka mundësi Vllaznia për të fituar edhe në këtë takim?

Sigurisht që ndeshja ndaj Partizanit është finale për Vllazninë. I vetmi rezultat që na lejohet në këto momente është fitorja.

Si është atmosfera në skuadër para sfidës me të kuqtë?

Të jemi realistë, në ndeshjet e fundit skuadra ka rritje në aspektin fizik. Edhe në Korçë ne zhvilluam një ndeshje të mirë, pavarësisht që humbëm në fund. Ndërsa tani, pas kësaj fitoreje me Kukësin, Vllaznia e pret me më shumë optimizëm ndeshjen me Partizanin.

Sipas jush, ku ka gabuar Vllaznia në këtë sezon?

Për mendimin tim, kemi pasur shumë luhatje si ekip gjatë sezonit. Njëkohësisht jam i mendimit se nëse nuk do të ndërpritej kampionati si rezultat i pandemisë, Vllaznia sot nuk do të ishte duke diskutuar “play out”-in.

Çfarë duhet të ishte korrigjuar që ekipi të mos ishte në këtë pozicion?

Për mendimin tim duhet të ishin bërë më pak blerje dhe më shumë cilësore. Kjo i përket të shkuarës dhe nuk ndryshon më, ndaj tani të shpresojmë që sezonin e ardhshëm të kemi më shumë cilësi dhe jo sasi blerjesh.

Në rast se Vllaznia del në “play out”, i trembeni një tjetër rënieje në Kategorinë e Parë?

Është e vërtetë që si ekip kemi gabuar, sidomos në disa ndeshje, veçanërisht ato të luajtura në Shkodër. Edhe sikur të dalim në “play out”, normalisht që nuk e diskutojmë qëndrimin në Superiore.

Ju besoni se Vllaznia ka kualitete më të mira sesa kundërshtarët që vijnë nga Kategoria e Parë?

Për kualitetet që kemi në skuadër, mendoj se nuk e meritojmë vendin e tetë, aq më pak të krahasohemi me ekipet e Kategorisë së Parë, me gjithë respektin për to.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"