Vllaznia një muaj pa stadium, por marrin ftesë nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 22:30

Vllaznia një muaj pa stadium, por marrin ftesë nga…

Vllaznia, pas humbjes me Partizanin, merr një tjetër goditje, pasi për një muaj duhet të luajë jashtë shtëpisë, pasi stadiumi “Loro Boriçi” do t’i mbyllë dyert për këtë periudhë, për shkak të rikonstruksionit që do t’i nënshtrohet tapeti i fushës. Menjëherë pas ndeshjes me Partizanin në stadium ka nisur puna, që ka të bëjë me procesin e rimbjelljes së fushës me bar.

loro borici

Ndërhyrjet në stadiumin “Loro Boriçi” do ta detyrojnë Vllazninë që të mos i zhvillojë të paktën dy përballjet e radhës që ka në fushën e vet, kryesisht me Bylisin dhe Teutën. Kjo është diçka aspak e mirë për skuadrën shkodrane, të cilës do t’i duhet që të “emigrojë” për të gjetur strehën e re, të paktën për këto dy takime. Vllaznia mund t’i luajë ato në Pukë ose në Laç, dy qytetet më të afërta me Shkodrën, megjithatë mund të ketë edhe mundësi të tjera. Por sapo është hapur ky lajm, një ofertë e çuditshme ka ardhur nga vendi fqinj, pikërisht nga komuna më e re e Malit të Zi, nga Tuzi. Presidenti i klubit Deçiç, Pal Dreshaj, ka deklaruar se vë në dispozicion stadiumin e skuadrës së tij për ndeshjet brenda të Vllaznisë.

“Nëse FSHFja e lejon, Vllaznia i ka dyert e hapura të luajë në Tuz, në fushën e futbollit të KF Deçiçit. Klubi Vllaznia, do të ishte nder dhe kënaqësi sikur të kishim rastin të jemi nikoqiri Juaj”, shkruan në profilin e tij në “Facebook” presidenti i skuadrës tuzjane, Pal Dreshaj. Me sa duket, Vllaznia i ka dyert e hapura përtej kufirit, atje ku qytetarët e Komunës së Tuzit kanë ndjekur dhe ndjekin sërish me shumë tifozllëk Vllazninë. Nga ky vend është edhe një futbollist që ka dalë kampion me Vllazninë, pikërisht Asim Gjokoviç, mesfushori që ka kontribuar në fitimin e titullit të fundit të kuqebluve në vitin 2001. Këtë bujari që vjen nga Mali i Zi, drejtuesit e klubit kuqeblu e presin edhe nga qytetet afër Shkodrës, në mënyrë që Vllaznia ta ndiejë sa më pak mungesën e fushës së vet dhe të tifozërisë.

A.Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"