Vllaznia në pritje, vazhdon eksodi i lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 22:00

Vllaznia në pritje, vazhdon eksodi i lojtarëve

Klubi Vllaznia ende nuk ka filluar zyrtarisht punën për sezonin e ri. Përflitet për një ristrukturim të plotë të klubit dhe krijimin e një ekipi cilësor, i cili të bëjë të mundur krijimin një skuadre që të sigurojë rikthimin në Superiore. Më 26 qershor pritet që të mblidhet asambleja e klubit dhe ajo do t’i hapë rrugë krijimit të bordit të ri dhe më pas edhe emërimit të administratorit, i cili do të përzgjedhë edhe dyshen teknike, pra drejtorin teknik dhe trajnerin e skuadrës.

Vllaznia

Me sa është thënë, bordi pritet që të ribëhet nga e para, ku në vend të emrave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe punonjësve të bashkisë, do të jenë specialistët e këtij sporti. Emra e figura të mirënjohura jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë. Po ashtu, dy nga kandidaturat që përfliten për numrin një të administrimit të klubit janë ato të Lazër Matisë e Agim Medjes. Të dy figura të njohura dhe që kanë kontribuar për këtë emër ndër vite. Ndërsa për stafin teknik shumë pranë stolit është tekniku Ervis Kraja, që e drejtoi skuadrën në dy ndeshjet e fundit.

Erjon-Vucaj

LOJTARËT Stafin e ri që pritet të dalë nga mbledhja e asamblesë e datës 26 qershor e presin sfida të vështira. Ndër më të vështirat do të jetë përcaktimi i buxhetit dhe ribërja e skuadrës. Shumë nga lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar janë larguar nga Vllaznia. Pas largimit të gjithë lojtarëve jabanxhinj, nga kjo skuadër ka ikur edhe treshja e mesfushorëve, Arlind Kalaja, Erald Çinari dhe Erion Vucaj. Por, me kalimin e ditëve, mbajtja pezull e fillimit të punës mund të bëjë që edhe kapiteni Gilman Lika apo ndonjë lojtar tjetër të largohet nga ekipi. Kapiteni ka shfaqur dëshirën për të vijuar punën me këtë skuadër, por pasi të ketë parë projektin. Pavarësisht se janë nën kontratë, oferta po vijnë edhe për lojtarë të tjerë. Momentalisht janë vetëm 7-8 futbollistë që kanë mbyllur sezonin dhe që mund të jenë të gatshëm.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"