Vllaznia në kolaps total, fondi i miratuar prej bashkisë “ngrin” në Thesar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 20:18

Vllaznia në kolaps total, fondi i miratuar prej bashkisë “ngrin” në Thesar

Vllaznia është përf shirë në një kaos të vërtetë ekonomik. Sikur të mos mjaftonte fakti që kanë detyrime të prapambetura, tashmë u është shtuar edhe një tjetër “hall”.

VLLAZNIA

Burime të sigurta për “Panorama Sport” konfirmojnë se në të gjitha bankat e nivelit të dytë Përmbarimi ka bllokuar çdo llogari bankare. Momentalisht shkodranët nuk mund të tërheqin asnjë qindarkë, pas vendimin të marrë nga zyrat e përmbarimit. Deri tani klubi “Vllaznia” ka manovruar me një prej bankave, duke lëvruar pagat për stafin, lojtarët dhe administratën.

Megjithatë, situata ka ndryshuar dhe nga tani e tutje nuk mund të bëjnë më asnjë veprim. Me llogaritë e “ngrira”, rrjedhimisht nuk mund të bëhet asnjë transaksion. Sipas të njëjtave burime, Përmbarimi u ka dërguar një shkresë bankave të nivelit të dytë, duke i paralajmëruar për Vllazninë. Dhe nëse do të guxonin që të bëjnë lëvizje parash për llogari të klubit, do të ishin vetë bankat që do ta pësonin, duke u gjobitur. Një risk, që as bankat nuk mund ta marrin më përsipër, ndaj kanë njoftuar edhe drejtuesit e kuqebluve se është e pamundur që të bëjnë më transferta parash.

RROGAT

U bën afro 5-6 muaj që te Vllaznia nuk jepen rrogat mujore. Për ekipin e parë një pjesë janë të prapambetura nga sezoni i kaluar, por edhe për këtë sezon nuk kanë marrë asnjë qindarkë. Po ashtu, akademia “Vllaznia” prej shumë muajsh po vuan krizën financiare, pasi trajnerët dhe drejtuesit nuk kanë marrë rrogat e tyre. Në vështirësi të madhe janë edhe punonjësit e fushës të stadiumit “Loro Boriçi”, të cilët po ashtu kanë gjysmë viti që nuk paguhen.

FONDI

Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka lëvruar për ekipin e futbollit një fond prej 200 milionë lekësh të vjetra, të cilat priten që të kalohen në arkën e klubit. U mendua që kjo situatë do të zgjidhej që pas emërimit të administratori Suad Lici, i cili fitoi të drejtën e firmës. Mirëpo, me llogaritë bankare të “ngrira”, as buxheti i miratuar nga bashkia nuk mund të kalohet nga Thesari në drejtim të një prej numrave të llogarisë së klubit.

Çka do të thotë që arkat e klubit tashmë janë të gjitha bosh, duke rrezikuar një situatë kaotike për vazhdimësinë dhe sidomos kur dihet që lojtarët nuk mund të përfitojnë dot as rrogat e tyre. Se deri kur do të jetë kjo situatë, askush nuk di ta thotë. Ndërsa nga burime pranë klubit mësohet se shumë shpejt që javën që vjen, ngërçi i pagave do të marrë fund. Por, forma sesi do të kalojnë këto parà mbetet një mister edhe për vetë drejtuesit.

SHKAKU

E gjithë kjo situatë vjen prej “Gea Sport”. Askush nuk di të thotë se deri kur do të zhbllokohen llogaritë dhe aq më tepër sa do zgjasë gjyqi në Gjykatën e Lartë me këtë kompani, e cila pretendon 75 mijë euro dëmshpërblim për kohën që kishte klubin në administrim.

ADMIR URUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"