Vllaznia në harmoni, me ndryshime ndaj Pogradecit në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 9:33

Vllaznia në harmoni, me ndryshime ndaj Pogradecit në Kupë

Vllaznia e pret sot Pogradecin me ndryshime në formacion, në kuadër të ndeshjes së kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Trajneri Tomas Brdariç, nisur edhe nga rezultati i takimit të parë zhvilluar në Pogradec që e kanë fituar 2-0, mësohet se në këtë takim do të hedhë në fushë një përbërje të përzier lojtarësh.

VLLAZNIA

Në stol dhe në tribuna do të jenë disa nga titullarët, kjo edhe për t’i lënë pushim për takimin e fundjavës ndaj Kastriotit në kampionat. Nga ajo që është parë në seancat e fundit, mësohet se mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, si dhe mesfushori Fjoart Jonuzi do ta shikojnë këtë takim nga shkallët e stadiumit.

Ndërsa disa titullarë të tjerë të kuqebluve parashikohet që ta nisin ndeshjen me pogradecarët nga stoli. Nga ajo që është provuar në prag të kësaj ndeshjeje Kupe, trajneri Brdariç do t’i nisë lëvizjet që nga porta. Në vend të Zogoviçit pritet që si titullarë të luajë Qarri.

Po ashtu, dy emra lojtarësh të rinj mendohet të jenë titullarë në mbrojtje. Paloka dhe Smajli pritet të aktivizohen në vend të Dianjes dhe Hakajt.

Ndërsa dyshja Gurishta-Adili do të kompletojnë repartin e mbrojtjes. Në mesfushë Krymi do të jetë i pandryshuar, ndërsa dyshja boshnjake HeriçMustedanagiç do të jenë nga minuta e parë.

Në sulm Aralica parashikohet që të startojë sërish si titullarë. Në dy krahët e këtij reparti parashikohet të jenë Latifi dhe Ardit Hoxhaj, lojtarë të cilëve u jepet mundësia që të kenë më shumë minuta “në këmbë”, në mënyrë që ta të kapin formën optimale dhe të jenë 100% në kampionat.

ATMOSFERA

Pavarësisht se Vllaznia nuk ka bërë më të mirën në tri takimet e fundit në kampionat, kjo gjë nuk duket se ka ndikuar aspak në atmosferën brenda skuadrës. Madje, stafi teknik dhe lojtarët përmes asaj që japin në stërvitje po kërkojnë të tregojnë se problemet e rezultateve te Vllaznia do të fashiten shumë shpejt.

Tekniku Brdariç ka pasur një organikë të plotë në këto seanca të fundit, por për më tepër edhe një atmosferë shumë pozitive. Harmonia në skuadër është tanimë evidente dhe pritet që ekipi në vijim të nisë një seri rezultatesh pozitive, favorizuar edhe nga kalendari që u mundëson të luajnë tri ndeshje radhazi në shtëpi.

VLL

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"