Vllaznia në hall, klubi nuk ka para për fazën përgatitore në Mal të Zi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2017 | 10:27

Vllaznia në hall, klubi nuk ka para për fazën përgatitore në Mal të Zi

Skuadra e Vllaznisë në prag të skandalit. Shkodranët mund të mos bëjnë dot një fazë të mirëfilltë përgatitore në Mal të Zi për të përgatitur sezonin e ri. Kuqeblutë kishin projektuar që të udhëtonin drejt Beranjës në Mal të Zi, por kjo ide me shumë mundësi ka rënë poshtë.

Vllaznia

Në këtë mënyrë, skuadra e drejtuar nga Armando Cungu nuk do të mund të udhëtojë jashtë Shqipërisë për fazë përgatitore, ose maksimumi mund të zgjedhë ndonjë vend afër Shkodrës. Ajo që po pengon ekipin të shkojë në shtetin fqinj është mungesa e financave.

Në këto kohë, Vllaznia nuk është aspak mirë me financat dhe kjo bën që skuadra të humbasë fazën përgatitore. Në fakt, ky është një minus i madh për futbollistët dhe stafin teknik, të cilët ende nuk e dinë se cila mund të jetë zgjidhja në këtë rast.

Cungu Vllaznia stervitje

Vllaznia edhe vitin e kaluar rrezikoi zhvillimin e fazës përgatitore pikërisht për shkak të mungesës së financave, por reagimet e trajnerit Armando Cungu apo edhe presioni në publik bënë që drejtuesit të gjenin paratë që kuqeblutë të shkonin në Malin e Zi. Këtë vit situata është më keq në këtë aspekt sepse mungojnë totalisht paratë për zhvillimin e përgatitores në Beranje.

Vllaznia ndodhet në këtë moment të vështirë edhe për shkak të bllokimit të të gjitha llogarive bankare për shkak të një detyrimi prej 76 mijë euro ndaj “Gea Sport”, çështje që është në proces gjyqësor.

cungu

Ndërsa ende nuk dihet se kur do jetë data e gjyqit në gjykatën e Tiranës për këtë sekuestro të vendosur nga një zyrë përmbarimi, e gjithë kjo mesele ndikon drejtpërdrejt te klubi dhe rrugëtimi që i duhet ekipit në përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Në këtë mënyrë, të paktën deri tani Vllaznia nuk asnjë shans për të zhvilluar fazën përgatitore.

Këtë e kanë shprehur edhe vetë drejtuesit dhe burime pranë klubit bëjnë me dije se shqetësim për ta është pikërisht mungesa e financave dhe bllokimi i të gjitha llogarive bankare.

Cungu Vllaznia stafi

Vllaznia është gjendur vitet e fundit shpeshherë në situata të tilla dhe vetëm në çastet e fundit ka arritur që të gjejë zgjidhje. Edhe kësaj here mund të ndodhë e njëjta gjë, por këtë vit situata është më serioze se kurrë.

MIQËSORJA

Vllaznia, pas takimit miqësor të zhvilluar me Laçin në transfertë, tashmë ka fiksuar një tjetër miqësore. Shkodranët do të presin në kompleksin “Zmijani” skuadrën e Kastriotit. Ky ekip këtë vit drejtohet nga shkodrani Samuel Nikaj.

vllaznia_ada_miqesore_vllaznia.al

Natyrisht që pritet të jetë një përballje interesante. Edhe pse një miqësore, ky takim pritet të ketë rivalitet. Megjithatë për të dy trajnerët më e rëndësishme është testimi i ekipeve respektive, por edhe vënia në provë e të gjithë lojtarëve.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"