Vllaznia në “hall”, Josës i duhen dy miqësore përpara Superkupës ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 10:07


Vllaznia në “hall”, Josës i duhen dy miqësore përpara Superkupës ndaj Tiranës

Vllaznia është grumbulluar në Ulqin të Malit të Zi që prej së martës, teksa do të qëndrojë në vendin fqinj deri më 1 dhjetor.

vllaznia festa

Klubi zgjodhi të spostohet pak kilometra larg Shkodrës për të pasur kushte më të mira për stërvitje, në kuadër të përgatitjeve për finalen e Superkupës ndaj Tiranës, që do të zhvillohet më 7 dhjetor në stadiumin “Air Albania”.

Mirëpo, nga sa mësohet edhe në këto dy ditë stërvitje në Ulqin, moti ka qenë me reshje të vazhdueshme shiu, thuajse njësoj si në Shkodër.

Gjithsesi, skuadra po merr ngarkesat e duhura dhe trajneri Mirel Josa ka nisur të mendojë seriozisht për strategjinë që do të ndjekë para Superkupës.

Rikthimi në gjendjen optimale i Liridon Latifit ka ngrohur jo pak stafin, teksa kosovari pritet të marrë minuta ndaj Tiranës pas tre muajsh larg fushave.

Mirëpo, Josa i bën llogaritë pa qendërmbrojtësin malazez, Darko Bulatoviç, i cili e ka mbyllur vitin pas dëmtimit.

Megjithatë, një nga lojtarët që ende nuk dihen arsyet pse nuk po bashkohet me ekipin është sulmuesi kroat, Ante Aralica.

Burime në klub tregojnë se lojtari ka kërkuar leje më tepër se të tjerët për shkak të një problemi personal dhe pritet që në ditët e ardhshme t’i bashkohet grupit.

Mirëpo, aktualisht ajo që shqetëson më tepër stafin është fakti se nuk po gjenden kundërshtarë për zhvillimin e të paktën dy miqësoreve deri më 1 dhjetor.

Në ndryshim nga shumica e kampionateve në Europë dhe më gjerë, që në këtë periudhë kur luhet kampionati Botëror kanë ndalur gjithçka, e kundërta po ndodh me Malin e Zi.

Në vendin fqinj vijon normalisht futbolli dhe skuadrat janë të angazhuara në kampionat rregullisht.

Kjo e bën të vështirë për Vllazninë përballjen me ekipet malazeze në miqësore, pasi ato janë të detyruara të refuzojnë për shkak të kalendarit që kanë.

Mësohet se drejtuesit janë duke negociuar me disa skuadra dhe në ditët e ardhshme do të shihet nëse me ndonjë prej tyre mund të programohet ndeshje.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL