Vllaznia në fushë, mjeku ngre alarmin: Nuk ia dalim dot me 5 termometra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2020 | 9:34

Vllaznia në fushë, mjeku ngre alarmin: Nuk ia dalim dot me 5 termometra

Vllaznia zbret më në fund në fushë, por me mungesa dhe mbi të gjitha pa trajnerin Mirsad Jonuz. Dje në orën 16:00 në fushën e fshatit Golem në periferi të Shkodrës, kuqeblutë janë rreshtuar para zv.trajnerit Safet Osja dhe përgatitësit të portierëve, Ideal Lekiqi. Fillimisht futbollistëve iu bë një matje e temperaturës.

Vllaznia stervitja

Për fat të mirë, asnjë prej tyre nuk rezultoi me një temperaturë mbi 37.5 gradë, që sipas udhëzimeve mjekësore, nëse kjo konstatohet, atëherë personi duhet të karantinohet menjëherë në shtëpi. Siç dihet, trajneri Jonuz dhe lojtarët që kanë mbetur në Maqedoninë e Veriut, mbrojtësit Mevlan Adili dhe Filip Gligorov, si dhe sulmuesi Simeon Hristov, ende nuk mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë.

Stervitja e Vllaznise

Gjithsesi, nga ana e klubit shkodran po punohet me autoritetet vendëse dhe ato maqedonase, në mënyrë që sot ose nesër, Jonuz dhe lojtarët të vijnë në Shkodër. Dje në fushë ishin 21 futbollistë, të cilët janë mbajtur nën kontroll nga mjeku Zyhdi Çoba dhe fizioterapisti Ilirjan Haxhaja, për të zbatuar protokollin sanitar të miratuar nga FSHF dhe Ministria e Shëndetësisë.

MJEKU

Mjeku historik i Vllaznisë, Zyhdi Çoba, ka folur për mediat para stërvitjes së parë. Ai ka sqaruar se asnjë ekip në Shqipëri nuk është në gjendje të zbatojë një protokoll të tillë.

“Kemi filluar stërvitjen dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Futbollistët e Vllaznisë janë të gjithë OK dhe e nisën me entuziazëm stërvitjen, pasi kishin kohë që nuk ishin bashkë. Në krahasim me shumë vende të tjera, kemi një situatë të mirë. Kemi të bëjmë me një lloj virusi që nuk mund të nënvlerësohet, sepse është i fshehtë dhe mungesa e shfaqjeve klinike te shumë njerëz e bën më të frikshme situatën, prandaj duhet shumë kujdes”, ka thënë fillimisht Çoba, për të treguar më pas se sa në gjendje janë klubet shqiptare për të zbatuar protokollin sanitar, që është më tepër një model gjerman i përshtatur.

mjeku

“Për momentin asnjë ekip në Shqipëri nuk është në gjendje ta zbatojë këtë protokoll. Kjo do disa kushte speciale, jo një apo pesë termometra që mund të kemi ne. Na duhet një termometër me avancim më të madh që mund të na kryente punë, por ja që nuk e kemi. Kjo duhet të ishte planifikuar. Sa u përket kushteve të tjera, mendoj se i plotësojmë, sepse lojtarët vijnë me makina dhe më pas dushet i bëjnë në shtëpitë e tyre. Do të mundohemi që t’i zbatojmë me aq sa kemi mundësi”, sqaroi mjeku. Më pas ai foli për gjendjen e futbollistëve dhe mungesat në këtë ditë të parë.

“Fizikisht nuk mund të them se do të jenë gati në më të mirën e tyre më 3 qershor. Kjo është më tepër një minifazë. Aktivizimi i pesë lojtarëve nga stoli do të jetë diçka e mirë, qoftë për të ulur ngarkesën e disa të tjerëve, por edhe për të shmangur dëmtimet. Sa u përket mungesave në këtë ditë, është logjike, sepse janë disa kritere që duhen përmbushur në lëvizjet mes shteteve. Do të ndiqen rregullat në rrugë zyrtare dhe besoj se shumë shpejt trajneri Jonuz dhe lojtarët nga Maqedonia do të jenë këtu. Besoj se të gjitha ekipet kanë të tilla problematika. Nuk mendoj se është koha të vish dhe të futesh 14 ditë në karantinë. Nëse është një vendim qeveritar, do të zbatohet, por kërkohet mirëkuptim mes palëve”, përfundoi mjeku shkodran.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"