Vllaznia në dorë të Asamblesë, sot vendoset e ardhmja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2018 | 13:30

Vllaznia në dorë të Asamblesë, sot vendoset e ardhmja

Fillimi i punës te Vllaznia tani është fokusuar vetëm tek organi kryesor, që është Asambleja e klubit. Ky organizëm, që përbëhet nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, duhet që të hapë dritën jeshile për nisjen e punës për sezonin e ri. Nga kjo mbledhje pritet që të japin dorëheqjen dhe të përzgjidhet këshilli mbikëqyrës i klubit dhe prej andej të përzgjidhet edhe administratori i ri.

Keshilli bashkiak Shkoder

Këto dy organe drejtuese të klubit do t’i hapin rrugë edhe ndërtimit të skuadrës së re. Mbledhja e së martës së kaluar ka dështuar; kjo për arsye se të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 19 anëtarë, nga 26 që duhej të ishte minimumi i tyre për fillimin e mbledhjes. Të pranishmit diskutuan nëse duhej të niste mbledhja apo jo për shkak se bashkë me këshilltarët mungonte edhe administratori Astrit Gjyrezi, ende në detyrë, dhe gjysma e bordit.

Një situatë aspak pozitive për vetë pozitat, në të cilat gjendet Vllaznia. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, sugjeroi që mbledhja të shtyhet për në datën 29 qershor (sot), në orën 18:00, duke shpresuar që të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët, jo vetëm të Asamblesë, por edhe administratori dhe bordi i plotë. Nëse edhe sot dështon mbledhja e Asamblesë, atëherë situata në klubin shkodran do të vijojë që të përkeqësohet edhe më shumë. Papërgjegjshmëria që kanë treguar anëtarët e Asamblesë shpresohet që të mos ndodhë edhe sot.

bashkia

Mbledhja e Asamblesë do t’u hapë rrugë edhe diskutimeve për vlerësimin e bërë për shitjen e klubit të futbollit Vllaznia. Në mbledhjen e para pak ditëve është diskutuar me tone të larta për këtë qëllim, ku anëtarët e Asamblesë vunë në pikëpyetje vlerësimin e aseteve të klubit Vllaznia nga kompania “Albanian Audit Partners”. Madje, vlerësimin e klubit e cilësuan si të ishte vetëm një dyqan. Tani duhet që të gjithë të bëjnë maksimumin e mundshëm, në mënyrë që Vllaznia të nisë nga puna e po ashtu edhe privatizimi të nisë sa më parë.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"