Vllaznia në ankth, pret FSHF-në për stadiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 14:13

Vllaznia në ankth, pret FSHF-në për stadiumin

Vllaznia nuk heq dorë nga “Loro Boriçi”. Edhe pse FSHF nuk ka në plan që ta hapë këtë impiant deri në fund të tetorit, klubi shkodran do të kërkojë zyrtarisht që ndeshjen e javës së 6-të (ndaj Erzenit) ta luajë pikërisht aty. Kujtojmë që më 26 shtator, punonjësit e këtij stadiumi ndërhynë për të mbjellë barin, proces ky që kryhet çdo vit dhe koha që kërkon që të shtrohet siç duhet është afro një muaj. Kur dihet që takimi i radhës për shkodranët zhvillohet më datë 20 tetor, logjikisht i bie që të shkelen afatet me një javë.

loro borici bosh vllaznia skenderbeu

Drejtuesit e klubit janë të bindur se tapeti mund të jetë i gatshëm që të shtunën, mirëpo nga ana e federatës nuk kanë dhënë ende një përgjigje, edhe pse janë të prerë që të mos lejojnë që ky takim të zhvillohet aty. Vllaznia do që të luajë në kushte optimale ndaj Erzenit, pasi në “Reshit Rushi” jo vetëm që nuk ndihen komodë, por as nuk arrijnë të shprehin potencialin që kanë. Gjithsesi, deri në fund të javës, drejtuesit do të negociojnë sërish me FSHF-në dhe nëse këta të fundit japin OK-in, atëherë shijakasit do i presin në “Loro Boriçi”.

Situata – Vllaznia do të rinisë sërish përgatitjet sot pas pushimit. Ndërprerja e kampionatin erdhi në momentin e duhur për të besuarit e Hasan Likës, pasi janë rikuperuar disa prej lojtarëve e dëmtuar. Përjashtim këtu bën vetëm kapiteni Gilman Lika dhe portieri Erind Selimaj që duan edhe disa ditë më shumë kohë, ndërsa pjesa tjetër është bashkuar me ekipin. Kujtojmë që ndaj Veleçikut, skuadra ishte e cunguar në organikë, megjithatë ndaj Erzenit të paktën stafi teknik do ta ketë shumë herë më të lehtë që të ndërtojë formacionin.

vllaznia

Sinjale të mira dha edhe Reanto Malota në ndeshjen e fundit. Edhe pse nuk ishte në 100% e tij, me ato pak minuta që mori dhe me stërvitjen intensive që ka zhvilluar këtë periudhë dëshmon se tani e tutje mund të jetë gati për ta nisur si titullar. Lezhjani ka rifituar gradualisht formën e tij dhe duke filluar nga Erzeni mund të konsiderohet si një alternativë më shumë e Hasan Likës për mbrojtjen.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"