Vllaznia në alarm total/ Pas Bulatoviç, shkodranët humbasin edhe dy mbrojtësa të tjerë për duelin e Superkupës ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 14:33

Vllaznia në alarm total/ Pas Bulatoviç, shkodranët humbasin edhe dy mbrojtësa të tjerë për duelin e Superkupës ndaj Tiranës

Alarm total në mbrojtjen e Vllaznisë kur duhen edhe tetë ditë për t’u zhvilluar finalja e Superkupës ndaj Tiranës, e programuar për më 7 dhjetor ora 19:00 në stadiumin “Air Albania”.

VLLAZNIA 2

Pas dëmtimit të rëndë të qendërmbrojtësit malazez, Darko Bulatoviç, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe do të kthehet vetëm pas dy muajsh në fushë, problemet kanë shoqëruar së fundmi edhe dy lojtarë të rëndësishëm të këtij reparti si Marko Juriç dhe Geralb Smajli.

Shtatlarti kroat mungon prej ditësh në stërvitje me ekipin në Ulqin, që pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e kampionatit ndaj Tiranës më 13 nëntor.

Në këtë takim Juriç u zëvendësua në minutën e 56-të dhe gjatë kësaj periudhe ka bërë terapi të vazhdueshme pas problemit muskulor që pati, por mësohet se mjekët i kanë sugjeruar që të mos futet në stërvitje as gjatë kësaj jave.

Pas kthimit nga Kroacia, qendërmbrojtësi është kontrolluar nga stafi mjekësor i Vllaznisë dhe aktualisht është në Shkodër nën kujdesin e fizioterapistëve.

Aktivizimi i tij në Superkupë është i pamundur dhe kësisoj trajneri Mirel Josa po i bën llogaritë pa dy qendërmbrojtësit titullarë në këtë finale.

Jo më kot në miqësoren e fundit ai provoi një dyshe të re në qendër të këtij reparti, ku krahas Dajan Shehit të afirmuar, ishte edhe i riu Flori Spahija, i cili është pikasur nga trajneri që në verë, ku u aktivizua si titullar në disa miqësore gjatë minifazës së zhvilluar në Pogradec.

SMAJLI, DREJT OPERACIONIT

Tersi i dëmtimeve te Vllaznia vijon me një tjetër mbrojtës, pikërisht Smajlin, i cili në këto 12 javë është përdorur pesë herë si titullar nga Josa.

“Panorama Sport” mëson se lojtari i krahut ka dëmtuar meniskun e gjurit në miqësoren e fundit ndaj ekipit malazez dhe menjëherë ka lënë Ulqinin.

Mësohet se stafi mjekësor i ka sugjeruar 20- vjeçarit të kryej një ndërhyrje kirurgjikale, por kjo do të shikohet më saktë pas rezonancës që do të bëjë në vijim, ku do të përcaktohet shkalla e dëmtimit.

Nëse do të ndërhyhet në menisk, atëherë Smajli pritet të qëndrojë të paktën dy muaj larg fushave.

Ky dëmtim vjen në momentin më të mirë për mbrojtësin që luan si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë.

Smajli shkëlqeu në miqësoret e Kombëtares U-21 ndaj San Marinos dhe Malit të Zi, ku arriti të shënojë edhe një supergol në të parën.

Gjithsesi, halli më i madh për Josën në këtë moment është qendra e mbrojtjes, aty ku ka më pak alternativa.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"