Vllaznia në alarm mungesash, hall për trajnerin Jonuz është edhe… stadiumi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 21:41

Vllaznia në alarm mungesash, hall për trajnerin Jonuz është edhe… stadiumi

Dy humbjet e marra në tri ndeshjet e fundit kanë nxjerrë në pah probleme të mëdha te Vllaznia. Mbrojtja ka filluar që të “fusë ujë”. 

vllaznia

Zyrtarisht kanë marrë 7 gola në 270 minuta, duke prishur bilancin që kishin në startin e këtij sezonit. Por më shumë se këto shifra, shqetësojnë mungesat. Shkodranët do të tentojnë kthesën me Bylisin, e megjithatë Mirsad Jonuz është vënë në “alarm”.

MUNGESAT

Janë 4 lojtarë që rrezikojnë të luajnë javën e 11-të. Nëse Erdenis Gurishta dhe Behar Ramadani janë mungesa të konfirmuara, pezull mbeten Filip Gligorov dhe Hygor Guimaraesh. Dy të parët u ndëshkuan me të 4-tin karton të verdhë në Laç, ndaj janë të skualifikuar. Ndërsa dy të tjerët nuk janë rikuperuar ende.

vllaznia

Ata vazhdojnë të jenë të dëmtuar dhe shanset për t’ia dalë në kohë janë minimale. Në seancën e zhvilluar dje në pishina as njëri dhe as tjetri nuk u shfaqën. Maqedonasi dhe braziliani po kryejnë fizioterapi dhe ende nuk mund të thuhet me siguri se kur do të kthehen. Mbrojtësi ka marrë një goditje në kofshën e këmbës së djathtë dhe ende s’i është zhdukur hematoma, e njëjta gjë vlen edhe për mesfushorin, po me ndryshimin e vetëm që shqetësimin e ka në pulpë. Për këtë të dytin koha e riaftësimit është më e afërt, ndërsa e njëjta gjë nuk vlen për tjetrin. Gjithsesi, deri në ditën e ndeshjes nuk përjashtohet mundësia e ndonjë surprize. Nëse ndodh e kundërta, për stafin teknik puna do të jetë më e madhe. Trajneri do të riorganizojë ekipin për Bylisin dhe jo vetëm në modul e taktikë, por edhe përbërje. Pra, gjasat janë që të shohim një Vllazni ndryshe nga mbrojtja e deri në sulm.

STADIUMI

Përtej mungesave, në Shkodër kanë një shqetësim tjetër. Edhe pse java e 11-të i sheh si pritës, do të jenë të detyruar që të gjejnë një tjetër stadium për të luajtur. Punimet që kanë nisur në “Loro Boriçi” do të zgjasin edhe për disa kohë, ndaj Vllaznisë nuk i mbetet zgjidhje tjetër veçse të gjejë një fushë asnjanëse për këtë takim, por ndoshta edhe për të radhës me Teutën.

Pa tifozët në krah, skuadra nuk do të ketë motivin e duhur. Në të njëjtat kushte luajtën edhe me Luftëtarin dhe kjo ndikoi direkt në rezultat. Ndaj, për të shmangur përsëritjen e historisë, klubi po bën çmos që të gjejë një impiant pranë qytetit të Shkodrës dhe tifozët ta kenë më të thjeshtë për të ndjekur ekipin e zemrës.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"