Vllaznia në alarm dëmtimesh, një drekë kthen qetësinë në kampin shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 10:02

Vllaznia në alarm dëmtimesh, një drekë kthen qetësinë në kampin shkodran

Vllaznia po kalon një moment të keq në kampionat dhe ndeshja e sotme për Kupën e Shqipërisë kundër Pogradecit në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, shikohet si një fillim i ri në kampin kuqeblu. Mirëpo, humbja në shtëpi kundër Tiranës ka lënë pasoja të mëdha.

vllaznia

Burime në klubin shkodran konfirmuan për “Panorama Sport” se sulmuesi i krahut, Liridon Latifi, qendërmbrojtësi Fallou Dianje dhe mesfushori Fjoart Jonuzi, janë dëmtuar në takimin e fundit dhe rrezikojnë seriozisht të mungojnë në sfidën e radhës për kampionat ndaj Egnatias, që do të luhet të hënën në stadiumin e Rrogozhinës.

Të tre lojtarët nuk kanë udhëtuar dje me skuadrën drejt Pogradecit, ndërkohë që shqetësuese është gjendja e Latifit, i cili ka marrë një goditje në kavilje pas ndërhyrjes së mbrojtësit bardheblu, Behiratçe.

Mësohet se stafi mjekësor po bën të pamundurën që deri të hënën kosovari të jetë gati. Nga ana tjetër, Dianje dhe Jonuzi kanë pasur kontraktime muskulore në kofshë, por gjendja e tyre do të qartësohet në ditët në vijim.

DREKA

Disfatat e fundit kanë tronditur jo pak situatën në klubin shkodran. Duke parë që skuadra është në një humor jo të mirë, drejtuesit menduan që të organizonin një drekë, ku krahas lojtarëve të ishin pjesë edhe të gjithë pjesëtarët e stafit dhe zyrtarët e klubit.

vllaznia

Në këtë drekë përpara nisjes në Pogradec, lojtarët kryesorë janë pyetur nga drejtuesit dhe vetë trajneri se çfarë mendojnë për situatën në ekip dhe mbi të gjitha për atë që nuk shkon si duhet në javët e fundit. Në fund, futbollistët kanë premtuar kthesën e shpejtë në rezultate.

TITULLARËT

Trajneri Tomas Brdariç e ka vlerësuar maksimalisht ndeshjen e parë ndaj Pogradecit, që do të luhet sot në orën 14:00 në transfertë. Gjermani nuk do që të përsëritet ajo që ndodhi ndaj Labërisë në turin e parë, ku shkodranët hasën vështirësi.

Me përjashtim të lojtarëve të dëmtuar, skuadra ka udhëtuar e plotë drejt qytetit liqenor dhe trajneri Brdariç do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, për ta zgjidhur që sot çështjen e kualifikimit. Në mesfushë, krahas Krymit, do të luajnë nga minuta e parë boshnjakët Heriç e Mustedanagiç.

VLL

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"