Vllaznia me sponsor të ri, zbulohen milionat që do investojë Xhaferi te klubi shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2020 | 10:44

Vllaznia me sponsor të ri, zbulohen milionat që do investojë Xhaferi te klubi shkodran

Marrin fund dilemat, zbulohet shuma që do të investojë Alban Xhaferi për Vllazninë. Jo më pak se 150 milionë lekë të vjetër në vit do të derdhë për ekipin sponsori më i ri i kuqebluve. Kjo vlerë është gati 25% e buxhetit që ka derdhur Bashkia Shkodër për këtë sezon që po shkon drejt mbylljes. Ata fillimisht miratuan 400 milionë lekë të vjetër dhe më pas shkoi në 600 milionë të vjetër me fondin ekstra të miratuar nga Këshilli Bashkiak, të drejtat televizive apo edhe të ardhurat e tjera. Marrëveshja e zyrtarizuar pak ditë më parë mes bashkisë dhe biznesmenit u prit në përgjithësi mirë nga opinioni sportiv.Alban Xhaferi

Por, pati edhe skeptikë. Dyshimet më të mëdha vinin prej ndarjes së detyrimeve dhe të drejtave që do të ketë sponsori. Kontrata 5-vjeçare e firmosur tashmë nga kryebashkiakja Voltana Ademi, administratori Suad Lici dhe biznesmeni Alban Xhaferi ndodhet e publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, e plotë me 8 faqe. Sipas marrëveshjes, Xhaferi dhe kompanitë që ai përfaqëson, do të financojnë jo më pak se 150 milionë lekë të vjetër në një sezon futbollistik. E megjithatë, ky fond mund të rritet në varësi të objektivave. Nëse pretendimet do të jenë madhore, atëherë edhe paratë do të hidhen më shumë. Bashkë me këtë detaj, të përcaktuara qartë janë edhe detyrimet dhe të drejtat e palëve.

Kjo të bën të kuptosh se Alban Xhaferi mund të mos jetë ai që do të ketë fjalën e fundit në vendimmarrje, por sigurisht që një lloj ndikimi do ta ketë në klub. Merkatoja e lojtarëve, akademia dhe marketingu do të menaxhohen gjithashtu nga vetë biznesmeni shkodran dhe grupi i tij i punës. Kjo zgjedhje është gjetur derisa të hidhen hapa konkretë për privatizimin e Vllaznisë.Vllaznia-Teuta 0-3

Të paktën këtë e pohoi edhe vetë sponsori gjatë daljes më të fundit për mediat, kur mes të tjerash tha: “Ne do të marrim pjesë duke filluar që nga hartimi i strategjisë për vitin tjetër dhe objektivat ku do të arrijmë. Do të vendosim bashkë. Me sa kam informacion, Vllaznia ka pasur buxhet shumë të vogël vitin e kaluar.

Pjesa e borxheve i takon shoqërisë aksionere. Ne nuk do të kemi asistencë te pjesa e detyrimeve të mbartura, edhe pse është problem më vete. Pjesa më e madhe e borxheve vijnë nga Tatimet dhe me sa di, janë në një proces gjyqësor. Kam ardhur të bëj një projekt për të ardhmen. Problematika është e trashëguar, por unë jam sponsor. Sapo kam ardhur dhe nuk kam çelësat t’i zgjidh gjërat direkt”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"