Vllaznia me mendjen tek “Elbasan Arena”, sezoni për shkodranët nuk ka përfunduar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 12:14

Vllaznia me mendjen tek “Elbasan Arena”, sezoni për shkodranët nuk ka përfunduar

Pavarësisht se sot Vllaznia do të ketë përballjen e fundit ndaj Flamurtarit në kampionat, duket se vëmendja e të gjithëve tani është fokusuar te finalja e “play out”-it. Në orën 17:45 nis Vllaznia-Flamurtari në Shkodër, por vetëm 15 minuta më pas në “Elbasan Arena”, luhet Besëlidhja-Pogradeci, ndeshja që do të përcaktojë kundërshtarin e shkodranëve në “play out”.
Vllaznia-Teuta
Fituesi i takimit mes lezhjanëve dhe pogradecarëve është direkt në interes të Vllaznisë dhe ndërkohë takimi me Flamurtarin nuk vlen për asgjë sa i përket renditjes, pasi shkodranët e kanë vulosur vendin e tetë dhe s’kanë më shanse të parakalojnë Bylisin. Megjithatë, trajneri Hysen Dedja e vlerëson sfidën me Flamurtarin si një test që do t’i shërbejë për të kristalizuar formacionin për ndeshjen ndaj Besëlidhjes ose Pogradecit, e cila pritet të luhet javën e ardhshme, në datën që do të konfirmohet nga FSHF-ja në vijim. I sigurt është fakti se në bazë të rregullores, ndeshja “play out” do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”. Dedja do të hedhë sot në fushë ndaj vlonjatëve thuajse të njëjtin formacion si ndaj Partizanit, edhe pse në momentet e fundit mund të ketë lëvizje. Trajneri kërkon që skuadra të mbajë ritmin dhe të mos humbasë përqendrimin për të pritur sfidën që vendos mbijetesën.
alsid tafili

ISH-MESFUSHORI
Një ish-kuqeblu që pati luftuar për mbijetesë ndaj Tiranës, mesfushori Alsid Tafili, është i mendimit se pavarësisht diferencave që ka Vllaznia në kualitete, sërish ndeshja shtesë për qëndrimin mbetet një finale dhe duhet vlerësuar. Për Tafilin, Besëlidhja do të ishte kundërshtari ideal. “Bëhet fjalë për një takim final. Normalisht që të dyja skuadrat, si Besëlidhja dhe Pogradeci, do të jenë një kundërshtar i fortë për Vllazninë. Unë do të preferoja ekipin e Besëlidhjes në këtë takim. Mendoj se edhe lojtarët do të kenë më shumë mobilizim. E njohin më mirë këtë skuadër dhe normalisht që do të kenë në impenjim më të madh. Por, gjithsesi me të dyja skuadrat që mund të përballet Vllaznia, s’do të jetë aspak e lehtë. Gjithsesi, e shikoj Vllazninë në Superiore edhe sezonin tjetër. Trajneri Dedja ka futur një frymë tjetër. Ndryshe nga Jonuz, ka krijuar një formacion stabël. Ka futur më shumë grintë në skuadër dhe loja ka ardhur në rritje. Me sa shoh, nuk ka besuar shumë te lojtarët e huaj. Ai ka kërkuar të besojë që tani te lojtarët e dalë nga akademia dhe kjo është pozitive, pasi Shkodra nuk vuan në këtë drejtim”, ka deklaruar Tafili gjatë një bisede për mediat lokale. Kujtojmë se mesfushori luajti sezonin e fundit te Liria e Prizrenit në Ligën e Dytë kosovare dhe e ardhmja e tij mbetet për t’u parë. Tafili ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës kuqeblu.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"