Vllaznia më keq se vjet, Gjyrezi: Tentojmë përmbysjen ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 14:25

Vllaznia më keq se vjet, Gjyrezi: Tentojmë përmbysjen ndaj Tiranës

12 pikë në 14 ndeshjet e para të kampionatit. Shtatë pikë më pak se sezoni i kaluar. Në të njëjtën javë, shkodranët numëronin 19 pikë dhe gjendeshin në vendin e pestë, ndërsa sot në vendin e parafundit. Kambanat e alarmit duhet të bien për skuadrën e Vllaznisë. Nëse shkodranët nuk duan të përsëritin të njëjtën histori si në sezonin e kaluar, duhet të reagojnë menjëherë dhe këtë e dinë mjaft mirë drejtuesit e klubit kuqeblu.

Astrit Gjyrezi

Humbja ndaj Flamurtarit duket se e ka rënduar akoma më shumë situatën te Vllaznia, por administratori Astrit Gjyrezi nuk kërkon ta bëjë dramë. Ai thotë se shkodranët nuk janë në gjendje të mirë, por duket se i ka braktisur edhe fati. “Është e qartë që situata nuk është normale dhe kjo nuk do shumë mend për ta vërtetuar. Është e vërtetë që po na mungojnë pikët dhe vendi në të cilin ndodhemi nuk na lejon që të themi të kundërtën.

Por, më vjen shumë keq, sepse ekipi po zhvillon ndeshje të mira dhe fryma në grup është pozitive. Edhe në ndeshjen me Flamurtarin, ne u ndëshkuam nga gabimet tona. Zhvilluam një lojë shumë të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Atëherë kur mund të kishim shënuar dhe të ndryshonim fatin e ndeshjes, u ndëshkuam nga gabimet tona. Trysnia që kanë këta djem po i pengon të tregojnë potencialin e tyre në fushë dhe po na lë në këto pozita të vështira.

Për më tepër, në shumë raste, jemi ndëshkuar nga fati. Në këto momente, jo vetëm lojtarët, por edhe ne drejtuesit jemi nën presion. Të gjithë kanë të drejtë të na kritikojnë, por mendoj se në këto momente duhet t’i mbështesim lojtarët që të gjithë bashkë të dalim nga situata e vështirë. Besoj që do të rikthehemi te fitoret shumë shpejt. Duke filluar që nga ndeshjet e ardhshme me Tiranën dhe me Laçin”, u shpreh administratori.

TIRANA – Vllaznia nuk është dorëzuar ende në Kupën e Shqipërisë dhe mendon se ka shanse reale për ta përmbysur Tiranën. Pavarësisht se shkodranët humbën 2-0 në kryeqytet, do të provojnë me gjithçka. “Shumë persona mund të mendojnë se kemi hequr dorë nga Kupa për t’u fokusuar vetëm në kampionat. Nuk është e vërtetë, sepse ne e kemi dashur Kupën dhe ka qenë objektivi ynë kryesor përpara fillimit të sezonit. Humbja 2-0 ndaj Tiranës e vështirëson rrugën tonë, por mendoj se përmbysja nuk është e pamundur. Unë kam besim se do ta kalojmë Tiranën dhe do të lëmë pas këtë situatë të vështirë në të cilën ndodhemi. Duhet thjesht të kemi besim te djemtë”, tha më tej Gjyrezi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"