“Vllaznia, larg Europës”, ish-futbollisti: Ndershmëria e Xhaferit më jep shpresë, gabuan me largimin e shkodranëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 21:25

“Vllaznia, larg Europës”, ish-futbollisti: Ndershmëria e Xhaferit më jep shpresë, gabuan me largimin e shkodranëve

Amarildo Belisha e sheh larg zonës “Euro” Vllazninë. Edhe pse vlerëson punën e bërë deri më tani nga klubi, ish-mesfushori nuk pret më shumë se mesi i artë nga kuqeblutë këtë sezon. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 39-vjeçari i quan të domosdoshme ndryshimet që janë bërë në merkato, e megjithatë i vlerëson si të gabuara largimet me Likën, Shtubinën e Sherrin.
belisha-me-hirit-kapiteni-gjeka
Vllaznia këtë vit drejtohet nga Alban Xhaferi, si e vlerësoni punën e bërë deri më tani në klub?
Unë e vlerësoj shumë z.Xhaferi, pasi e njoh edhe personalisht. Është një djalë i suksesshëm në bizneset që drejton dhe besoj se të njëjtën gjë do të kërkojë edhe te Vllaznia. Mendoj se do të bëjë një gjë të mirë edhe në futboll, ashtu si ia doli te basketbolli. Pastërtia dhe ndershmëria e tij si njeri më japin shpresë, edhe pse ia kam thënë gjatë një bisede që kemi zhvilluar se në futboll ka shumë rryma më të forta dhe nuk është si basketbolli. Megjithatë, këmbëngulja që ai zotëron do ta çojë përpara ekipin.

A ju duket normale që skuadra të ndryshojë kaq shumë, janë afruar plot 16 lojtarë në merkato?
Vllaznia u bë kohë që noton në ujëra të turbullta. Kur ekipi është afër objektivave që i vë vetes në fillim të sezonit, ndryshimet nuk duhen që të jenë të shumta. Po duke parë gjendjen që kanë pasur në këto sezone dhe performacën, ndryshimet ishin të domosdoshme. Shtyrja e nisjes së sezonit mendoj se i ka vlejtur skuadrës për t’u konsoliduar. Shpresoj dhe besoj se do të jetë i suksesshëm ky lloj revolucioni, nëse do ta quajmë kështu.
Dushkaj Shtubina
Mes të larguarave janë edhe lojtarë vendës me peshë, cili është gjykimi i Belishës?
Lika, Shtubina e Sherri do t’i kishin vlejtur ekipit edhe në këtë sezon. Me pak sforco nga të dyja anët, duhet ta kishin gjetur frymën e bashkëpunimit. Sherri është një portier me të ardhme, pavarësisht oshilacioneve. Gilmani me Çimi pastaj kanë eksperiencën që i duhet Vllaznisë.

Sa kohë do t’i duhet ekipit që të harmonizohet?
E thashë edhe më lart, ekipi kishte nevojë për rinovim. Qoftë në përgatitjes fizikotaktike, por edhe psikologjike. Unë besoj se stafi teknik dhe ai drejtues do të bëjnë më të mirën dhe do të shikojmë një Vllazni ndryshe këtë sezon. Ekipi do të tregojë stabilitet.

Ku mund të renditet kjo Vllazni këtë kampionat?
Të them të drejtën, është herët që të flitet për objektiva. Është një ekip i brishtë dhe kërkon kohën e vet. Nëse kapin mesin e artë, atëherë do të thosha se synimet janë arritur. Dëshira dhe mundësia shumë herë nuk shkojnë bashkë. Të gjithë ne duam që ta shohim Vllazninë sa më lart në tabelën e renditjes, por…

Si e shikoni çështjen e bojkotit të klubeve?
Tani ka ardhur koha që shteti të bëhet rregullator edhe në futboll. Le të ndërhyjë dhe të ndreqë çështjet e shtruara nga klubet. Nuk është çmenduri që të merret shembull edhe Kosova në këtë drejtim. Dikur futbollistët kosovarë vinin në Shqipëri për të luajtur, tani me investimet që po bëjnë klubet kosovare, tregu atje për lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore po bëhet determinant. Prandaj duhet thënë se duhet një ndërhyrje dhe një rregullator si shteti për të ndryshuar sidomos çështjen e sponsorizimit. Besoj se shpejt gjërat do të marrin një zgjidhje në të mirë të futbollit e sa më shpejt të nisë kampionati.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"