Vllaznia kthehet në “kantier”, vijnë edhe 4 në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2017 | 9:27

Vllaznia kthehet në “kantier”, vijnë edhe 4 në provë

Vijon procesi i provave te Vllaznia. Jo pak, por 4 lojtarë të rinj janë vendosur nën urdhrat e Armando Cungut dje. Edhe pse ky i fundit e pat deklaruar hapur kohë më parë se ekipi i tij këtë vit nuk do të kthehej në “kantier”, mungesa e alternativave në merkato e ka detyruar që të gjejë të duhurit në këtë formë.

Vllaznia festa

Deri më tani nuk kanë “goditur”, pasi kush ka ardhur është kthyer mbrapsht, por ndoshta shpresohet që ndonjë prej lojtarëve të ardhur dje të japë sinjale të mira dhe pse jo të mbetet pjesë e kuqebluve. Zyrtarisht, blerje shkodranët kanë bërë vetëm dy dhe konkretisht në mesfushë, ndaj tashmë vë- mendja është zhvendosur më së shumti në repartet e tjera.

PROVAT

Prej kohësh, Vllaznia është hedhur në kërkim të një portieri. U lakua fillimisht Moçka e më pas Frashëri, megjithatë dje skuadrës i është afruar një “gardian” nga Zvicra. Por bashkë me të kanë ardhur edhe një mesfushor dhe dy sulmues. Enes Azizi është portieri që është afruar në Shkodër. 23-vjeçari aktualisht luan në Lozanë, ndërsa në të kaluarën ka qenë pjesë dhe e Shkëndijës së Tetovës.

Enes Azizi

Ai dallon për shtatlartësinë, pasi është 1.92 centimetra i gjatë. Lojtari është formuar si futbollist në Zvicër, ndërsa në të kaluarën ka qenë pjesë dhe e akademive të PSG-së në Francë dhe Rexhinas në Itali. Lojtari në kompleks ka të dhëna shumë të mira, megjithatë fjala e fundit i takon pikërisht trajnerit.

Loren Shehi është shqiptari tjetër nga Zvicra, ai është sulmues dhe do i duhet mjaft punë që të fitojë pëlqimin e stafit teknik. Por nuk është i vetmi lojtar për ofensivën, pasi tjetri që kërkon të bindë kuqeblutë vjen nga Gana.

Çarls Atsina

Ai është Çarls Atsina dhe mësohet se është “pykë” e mirëfilltë, pozicion ky me mungesa të mëdha në sezonet e fundit. I fundit është mesfushor dhe vjen nga Argjentina dhe bëhet fjalë për Fakundo Nahuel. Të gjithë këta lojtarë do të shikohen nga stafi i ekipit, i cili më pas do të vendosë për të ardhmen e tyre.

Cungu Vllaznia stervitje

VENDIMI

Pas miqësores së zhvilluar pak ditë më parë në Laç ndaj skuadrës vendase, Vllaznia bëhet gati për një tjetër përballje testuese. Këtë herë përballë saj pritet të jetë Kastrioti i Krujës, skuadër kjo që në sezonin e ri do të drejtohet nga trajneri shkodran Samuel Nikaj. Ky test do i shërbejë Armando Cungut që të testojë futbollistët e tij.

hasani vllaznia

Nëse në ndeshjen ndaj Laçit luajti për të parën herë pas rikthimit Edon Hasani, nesër është radha e Gilman Likës. Por në këtë takim do të shikohen edhe katër lojtarët e sapoardhur për provë.

lika

Azizi, Nahuel, Atsina e Shehi do të jenë në fokusin e Cungut këtë të mërkurë. Një përballje që do të vlejë për më tepër edhe për konsolidimin e lojtarëve aktualë të ekipit.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"