Vllaznia, kolapsi 2-minutësh bëhet “makth” për shkodranët. Partizani i mundi si… Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 20:40

Vllaznia, kolapsi 2-minutësh bëhet “makth” për shkodranët. Partizani i mundi si… Tirana

Historia përsëritet. Ashtu si me Tiranën, Vllaznia “fiket” për 2 minuta. Nëse me bardheblutë dy golat i pësuan në mesin e pjesës së dytë, “demat” i ndëshkuan në shtesë.

cinari nuk feston partizani

Çinari në të 92-ën dhe Asani në të 94-ën, ua shuan shpresat kuqebluve për të marrë minimalisht një pikë. Mbrojtja që në 7 ndeshje kishte marrë në total vetëm 4 gola, mori 3 vetëm në javën e 3-të. Diçka nuk shkon dhe kjo është e kuptueshme, pasi mjafton një moment kolapsi dhe shkodraneve u ikën e gjithë situata nga duart.

Kjo humbje ndoshta ka djegur më shumë, pasi erdhi atëherë kur menduan që të paktën po e mbyllnin në barazim. E megjithatë, drejtuesit janë munduar që të mos e demoralizojnë ekipin. Direkt pasi u mbyll loja, administratori Suad Lici dhe ishdrejtori sportiv Engin Firat, janë futur në dhomat e zhveshjes për të folur me lojtarët. Tonet kanë qenë të ulëta prej numrit një të klubit dhe mbi të gjitha inkurajuese, por sigurisht që ndonjë kritikë e vogël ishte e pashmangshme.

cinari shkoder

“Mund ta kishit fituar, ashtu siç edhe e humbëm këtë takim. Duhet që të ishim treguar më të vëmendshëm në ato pak minuta që kishin mbetur. Tani të shikojmë përpara”, këto mësohen të kenë qenë fjalët e Licit. Ashtu si Mirsad Jonuz, edhe administratori po përpiqet që futbollistët të mos bien në pesimizëm dhe mbi të gjitha kur dihet ngjeshja e kalendarit.

TRANSFERTAT – Nëse deri para pak ditësh ishin në krye, mjaftoi kjo humbje që Vllaznia të zbriste në vendin e 6-të. Pas 8 javësh mbeten në kuotën e 12 pikëve, me 8 gola të shënuar dhe 6 të pësuar. Dhe duhet thënë që plot 5 i kanë pësuar përballë ekipeve kryeqytetase. Kuqeblutë pesë takime i kanë zhvilluar në fushën e vet, ndërsa tri të tjerat jashtë fushe. Nisur nga shifrat, në transfertë rezultojnë më të suksesshëm. Vetë Mirsad Jonuz u shpreh i habitur që skuadra rrëmbehet nga emocionet kur luan në shtëpi dhe para një publiku të zjarrtë, duke konfirmuar këtë defekt të shkodranëve.

ramadani vllaznia partizani

Në 5 takimet e zhvilluara në Shkodër, kanë marrë 7 pikë (duke shënuar 6 gola dhe duke pësuar 5 të tillë). Kanë fituar me Laçin e Skënderbeun, me shifrat 1-0 dhe 4-0, ndërsa kanë barazuar pa gola me Luftëtarin, ndërsa dy humbjet i kanë me Tiranën dhe Partizanin me shifrat 0-2 e 1-3. Ndërsa në transfertë, keqeblutë nuk e njohin disfatën. Ata kanë barazuar me dy ekipet që aktualisht kryesojnë edhe renditjen e përgjithshme, ndaj Bylisit dhe Teutës (me të njëjtin rezultat, atë 0-0).

Sakaq, kanë edhe atë fitoren 1-2 me Kukësin në “Elbasan Arena”. Dhe 5 pikë të mbledhura, dy gola të shënuar dhe një i pësuar, cilësohen si mjaft pozitive për këtë skuadër. Me sa duket, Vllaznia e ka pasur më të lehtë që të luajë jashtë fushe, sesa në “Loro Boriçi”. Cilësitë që disponojnë në manovrën mbrojtëse i shkojnë përshtat kur janë kundërshtarë. Duke qenë se edhe takimin e fundit të kësaj faze të parë do ta luajnë në transfertë me Flamurtarin, shpresohet që të vijë edhe kthesa.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"