Vllaznia kampionia e “X”-eve, barazimet radhazi venitin pretendimet e shkodranëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 11:01


Vllaznia kampionia e “X”-eve, barazimet radhazi venitin pretendimet e shkodranëve

Vllaznia është kampione e barazimeve në këto 17 javë të kampionatit. Kuqeblutë e nisin në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e dytë të kampionatit, por po i bën mbyllje jo të duhur. Pika me Egnatian duket se nuk ka lënë shije të mirë, pasi ky ishte barazimi i katërt radhazi për të besuarit e trajnerit Brdariç.

vllaznia

Ky aspekt tregon qartë se me ketë ecuri skuadra shkodrane nuk po shfaqet si pretendente kryesore.

E nisi me barazimin ndaj Dinamos në Elbasan, vazhdoi me atë me Kukësin në Shkodër, për të vijuar javën me rezultatin e barabartë ndaj Tiranës në “Air Albania” dhe u ndal sërish në javën e fundit me Egnatian në “Loro Boriçi”. Me vetëm 4 pikë në 4 ndeshjet e fundit, sigurisht që Vllaznia ka lenë për të dëshiruar.

Për më tepër, që dy prej ndeshjeve i ka luajtur me skuadra të cilat ndodheshin poshtë Vllaznisë në renditje. Barazimi ndaj Egnatias, në total ishte i nënti për kuqeblutë më 17 javë kampionat. Vllaznia ka barazuar edhe ndaj ekipeve të ashtuquajtura inferiore ndaj saj.

Vetëm ndaj Laçit që ka arritur ta mundë në dy takimet e këtyre dy fazave të para dhe Kastriotit, skuadër me të cilën ende se ka luajtur takimin e dytë, kuqeblutë thuajse janë ndalur me barazime nga të gjitha skuadrat e tjera.

Teuta e Egnatia janë dy skuadrat e vetme që në këto 17 javë i kanë marrë dy barazime kuqebluve.

Vllaznia një javë para përfundimit të fazës së parë njeh vetëm dy humbje, të shkaktuara nga Tirana dhe Kukësi, por gjithsesi diferenca me vendin e parë është e madhe pas 17 javësh e kjo vjen pikërisht se kuqeblutë kanë marrë një numër të madh barazimesh si asnjë skuadër tjetër në këto javë.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL