Vllaznia, Josa i vë “Vulën” sulmit/ 8 lojtarë konkurrojnë për 3 vende në 11-she

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2022 | 22:52

Vllaznia, Josa i vë “Vulën” sulmit/ 8 lojtarë konkurrojnë për 3 vende në 11-she

Vllaznia e fitoi me rezul tatin 2-3 miqësoren e luajtur në Korçë përballë Skënderbeut. Ishte dopieta e Ardit Hoxhajt, që u dha fillimisht shkodranëve avantazhin e dy golave, respektivisht në minutën e 35-të dhe 56-të. Skënderbeu gjeti forcën për të barazuar, por skenën në fund e mori Çoba, që i dha fitoren Vllaznisë.

vllazania stervitje

Një fitore, e cila për djemtë e teknikut Josa ka pasur më shumë vlera morale para sfidës së parë, që do të luajnë në Durrës përballë debutuesve të Erzenit. Tre golat e shënuar nga dyshja e sulmuesve të krahëve, Hoxhaj e Çoba, tregoi se Vllaznia do të ketë një skuadër me tipare të theksuara sulmuese.

Tekniku Josa, nga sa është vënë re në këtë përballje të fundit miqësore, ndryshe nga përballja ndaj Dinamos përdori lojtarë me një shtatlartësi të ulët në vijën e parë. Dy sulmuesit kryesorë, Aralica dhe Kaina, nuk u aktivizuan nga minuta e parë në majë të sulmit. I pari dihet që ka pasur një shqetësim në rrëzët e kofshëve dhe është nisur në drejtim të Bullgarisë për rikuperim. Me shumë gjasa nuk do të jetë i gatshëm për takimin e parë ndaj Erzenit. Trajneri vendosi gjithashtu të mos e aktivizojë Kainën nga minuta e parë në këtë miqësore.

Josa

“EKSPERIMENTI” – Josa preferoi që në trion e sulmit të vendoste Vulajn, Latifin e Hoxhajn. Ky i fundit ka rënë në sy edhe gjatë këtyre përgatitjeve për formën e mirë që po shfaq. Për këtë është preferuar dhe si titullar nga Josa. Kujtojmë se në miqësoren përballë Dinamos disa ditë më parë, Hoxhaj ishte i autori i të vetmit gol të Vllaznisë. Në ndeshjen ndaj korçarëve anësori ka treguar serish vlera dhe si rrjedhojë ka qenë edhe autori i dy prej golave të ndeshjes. Një start i mbarë, të cilin vlonjati shpreson ta mbajë edhe në ndeshjet zyrtare.

Me trion Vulaj, Latifi e Hoxhaj, u duk se Vllaznia funksionoi mirë, pasi deri në momentin që të tre lojtarët lanë fushën e lojës, shifrat flisnin 0- 2 për Vllazninë. Hoxhaj tregoi edhe njëherë se di të shënojë në të gjitha mënyrat. Me sa duket tani konkurrenca për një vend në trion e sulmit është rritur dukshëm.

varianti 1

Vulaj ka shumë për të dhënë, por po ashtu edhe i sapoafruari te Vllaznia, Esat Mala, e njeh mirë portën dhe do të pretendojë një vend titullari në ndihmë të dyshes tjetër të sulmit. Por sërish një vend titullari do të kërkojë edhe Çoba, i cili në momentet që aktivizohet tregon cilësi të mëdha. Por jo shumë larg tyre është edhe Arsid Kruja, që do të kërkojë një vend si titullar.

varianti2

MBIPOPULLIMI – Për tri vende tani te Vllaznia do të luftojnë jo pak, por tetë lojtarë. Trajneri Josa tani e shikon të kompletuar ekipin, madje edhe me shumë konkurrencë brenda tij.

Gjithsesi, merkatoja përfundon më datë 31 gusht dhe nuk mund të përjashtojmë kurrsesi ndonjë surprizë për sa i përket sulmit. Vllaznia e ndjen se duhet një qendërsulmues i nivelit të lartë dhe po studion çfarë i ofron tregu, pa bërë lëvizje të nxituara, pasi nuk shihet si një afrim që duhet bërë me patjetër.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"