“Vllaznia i nënvlerëson të voglat”, ish-kapiteni Lika: Shkodranët për titull, lojtarët duhet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 22:22

“Vllaznia i nënvlerëson të voglat”, ish-kapiteni Lika: Shkodranët për titull, lojtarët duhet të…

Ish-kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, i ka bërë një përmbledhje pesë javëve të para të kampionatit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi tregon se Vllaznia duhet të kishte treguar të njëjtin vlerësim ndaj kundërshtarëve.

gilman lika

Nga ana tjetër, ai vë theksin edhe te fitoret pa shkëlqim ndaj Tiranës dhe Kastriotit, por që gjithsesi janë fashitur pas arritjes së tri pikëve. Ai vlerëson skuadrën dhe ka besim te vazhdimësia.

Pesë javë kampionat, si e shihni këtë Vllazni?

Mendoj se kemi një ekip që ka mundësitë për të bërë shumë më mirë punën e vet siç ka bërë këto pesë javë kampionat. Mundësitë janë për të bërë më shumë. Pra, nuk është bërë më e mira e mundshme.

Ndeshje me shumë oshilacione, cili është shkaku sipas jush?

Është e vërtetë që skuadra ka pasur oshilacione. Është dashur që çdo ndeshje ta vlerësonte njëlloj. Skuadra mesa duket nuk i ka dhënë të njëjtin vlerësim kundërshtarit. Tri pikët kanë të njëjtën vlerë me çdo skuadër që luan. Nga ana tjetër edhe mungesat ndoshta kanë pasur ndikimin e vet jo të vogël.

Mendoni se do të kishte bërë më tepër në këto javë?

Mendoj se ekipi ka lojtarë cilësorë brenda, që duke dhënë maksimumin e tyre mund të bëjnë që edhe skuadra në tërësi të paraqitet shumë më mirë sesa në këto javë të para. Pra, lojtarët duhet që të japin më shumë nga çfarë kanë dhënë deri tani.

Çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq deri më tani kjo skuadër dhe ku duhet të korrigjojë?

Mirë ka bërë që kanë arritur t’u marrin pikët skuadrave që quhen pretendente, pavarësisht se në ndonjë moment nuk kemi shkëlqyer në ndeshje, siç ishte ndeshja me Tiranën, apo me Kastriotin dhe kjo është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Kurse keq mendoj se është lënia e pikëve me ekipe që është dashur t’i mposhtin.

Si e shihni në vijimësi këtë skuadër?

Kam shumë besim se lojtarët dhe ekipi kanë për t’u rritur nga ndeshja në ndeshje. Pra, e shikoj Vllazninë në vallen e ekipeve pretendente.

Po besohet te lojtarët e rinj, e shihni pozitiv këtë fakt, pasi ju vetë përgatisni lojtarë të akademisë?

Për mendimin tim kjo është shumë pozitive. Por edhe vetë të rinjtë shkodranë duhet ta vlerësojnë shumë praninë e profesor Mirelit (Josës) në Shkodër dhe besimin që po iu jepet.

Mendoni se kjo ecuri e Erzenit, Egnatias apo ndonjë skuadre tjetër, do të vijojë, apo skuadrat e elitës do të ndryshojnë vendet me ta?

Pa diskutim që sot kush investon më shumë, bën ekipin më të mirë, por jam i mendimit që Teuta e Kukësi nuk janë për ato vende ku ndodhen në renditje. Ndërsa skuadrat e Erzenit dhe Egnatias kanë bërë mirë deri tani. A do t’i ndërrojnë vendet apo jo, kjo është pak e vështirë për ta thënë. Mbetet ta shikojmë në vazhdimësi se si do të vijojnë këto skuadra me paraqitjet e tyre.

Vllaznia luan në Kupë ndaj Flamurtarit dhe më pas ndaj Teutës në kampionat, si i prisni këto dy përballje?

Çdo ndeshje duhet vlerësuar në maksimum, pasi futbolli nuk të fal. E rëndësishme është që të vlerësohen maksimalisht si Flamurtari, edhe Teuta. Nëse i jepet vlerësimi i duhur jam i bindur se ne do të arrijmë një rezultat pozitiv në të dy takimet.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"