Vllaznia i falet ndalesës së kombëtareve, Brdariç “zbut” Liridon Latifin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2021 | 12:16

Vllaznia i falet ndalesës së kombëtareve, Brdariç “zbut” Liridon Latifin

Vllaznisë duket se i ka mbërritur në momentin e duhur ndërprerja e kampionatit. Skuadra që pas takimit me Egnatian vetëm dje është kthyer në stërvitje. Kuqeblutë kanë marrë vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit. Ata po kalojnë një krizë rezultatesh, teksa janë mundur nga Tirana e Kukësi dhe kanë barazuar me debutuesit e Egnatias.

gurishta latifiGurishta dhe Latifi gjatë stërvitjes së djeshme

Ekipi i Brdariçit renditet në vendin e pestë me 10 pikë, shumë larg pritshmërive. Synimi është kthesa në ndeshjen e radhës. Vllaznia gjen Kastriotin më 20 nëntor, në kuadër të javës së nëntë të Kategorisë Superiore. Ky takim vjen në momentin e duhur për djemtë e Brdariçit, pasi kanë më vete historinë.

Në pesë përballjet e fundit direkte, skuadra nga Shkodra ka triumfuar në katër prej tyre dhe vetëm një është mbyllur në barazim pa gola.

Skuadra shkodrane duket e favorizuar në këtë përballje, por pavarësisht statistikave, me Kastriotin në “Loro Boriçi” ka treguar edhe një sezon më parë se nuk mundet lehtë.

Kastrioti një sezon më parë ishte skuadra që frenoi Vllazninë dhe u krijoi krizën e rezultateve shkodranëve pas atij barazimi pa gola. Ndërsa kësaj here shpresohet se pikërisht ndaj kësaj skuadre të nisë edhe ngjitja në rezultate e kësaj skuadre.

STËRVITJA – Vllaznia dje ka nisur punën për përballjen e fundit të fazës së parë të sezonit. Nisur nga ndërprerja e kampionatit, tekniku Brdariç dhe stafi i tij e lanë disa ditën pushim ekipin, për të nisur pikërisht dje nga puna. Nga sa është mësuar, gjendja e lojtarëve për sa u përket dëmtimeve, duket pozitive.

Edhe në takimin ndaj Egnatias nuk kishte probleme në këtë drejtim. Po ashtu pavarësisht tri rezultateve të njëpasnjëshme negative, atmosfera në skuadër është optimale. Stafi teknik dhe ai administrativ duket se nuk kërkojnë të shikojnë prapa.

Edhe Liridon Latifi, i cili doli i nervozuar nga fusha ndaj Egnatias, dje është parë shumë aktiv në stërvitje. Puna më e madhe që do të bëhet me skuadrën në këtë periudhë do të jetë rritja e skuadrës në aspektin psikologjik.

Pikërisht në këtë drejtim po punojnë edhe drejtuesit më të lartë të klubit, që nuk duket se po përcjellin te skuadra një frymë pozitiviteti për të kaluar sa më parë këtë situatë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"