“Vllaznia gaboi që në start, ndërrimi i trajnerëve i çuditshëm”, Smajli: “Europa përmes kampionatit? Jo çdo gjë vendoset në fushë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 23:15

“Vllaznia gaboi që në start, ndërrimi i trajnerëve i çuditshëm”, Smajli: “Europa përmes kampionatit? Jo çdo gjë vendoset në fushë…

Dritan Smajli luajti gjashtë sezone me fanellën e Vllaznisë, duke lënë gjurmë në Shkodër në vitet 2008-2013. Ish-mbrojtësi lezhjan, tashmë në rolin e trajnerit të moshave, në një intervistë për “Panorama Sport”, rikthehet të flasë për kuqeblutë dhe sezonin që ata po bëjnë. Smajli ka qenë gjithnjë i drejtpërdrejtë sa herë flitet për Vllazninë, pasi e ka dashuruar këtë fanellë.

Smajli-vetem1

Edhe këtë herë ai e shikon të nxituar vendimin e klubit për lëvizjen e trajnerëve në fundin e sezonit. Smajli ka besim se Mirel Josa mund të rrisë entuziazmin në skuadër, në një kohë që është skeptik për shanset që ka Vllaznia për të kapur Europën përmes kampionatit. Për të gjitha këto çështje, por jo vetëm, 37-vjeçari që ka luajtur në krahun e djathtë të mbrojtjes i bën një analizë situatës aktuale në skuadër dhe pritshmërive që ka.

Dritan, Vllaznia ndryshoi trajnerin dy javë para fundit të kampionatit dhe për më tepër në prag të finales së Kupës së Shqipërisë. Si e komenti këtë lëvizje?

Të them të drejtën më është dukur një vendim pak i çuditshëm dhe i nxituar nga ana e klubit. Kuptohet që është bërë vetëm për finalen e Kupës, por nuk e shikoj shumë profesionale si lëvizje. Të ndërrohet trajneri dy javë nga fundi është pa sens. Megjithatë, ky është vendimi i presidentit dhe duhet ta respektojmë. Meqë më jepet rasti, unë i uroj suksese profesor Mirelit në fitimin e Kupës, pasi e njoh nga afër dhe gjithashtu më ka trajnuar.

Ju e njihni Josën, çfarë mund t’i ndryshojë ai skuadrës në këtë moment?

Të vetmen gjë që mund të bëj profesor Josa në këtë situatë, është të motivojë skuadrën dhe të kthejë entuziazmin. A besoni se Vllaznia ka shanse që t’i arrijë Kupat e Europës përmes kampionatit? Jetojmë në Shqipëri dhe jo çdo gjë vendoset në fushën e lojës. Me këtë dua të them që e shikoj shumë të vështirë arritjen e Europës përmes kampionatit, për të mos thënë është e pamundur.

Po finalen e Kupës ndaj Laçit si e parashikoni?

Është finale dhe çdo ndeshje e tillë ka specifikën e vet dhe shkallën e lartë të vështirësisë. Vllazninë e shikoj më në presion, sepse e do me çdo kusht për të kapur Europën, por besoj që do t’ia arrijë, pasi ka diçka më tepër se Laçi, si në cilësi individuale, ashtu edhe në grup. Plus që edhe përkrahja do të jetë më e madhe nga ana e tifozërisë shkodrane dhe kjo është shumë e rëndësishme për një finale.

Ku mendoni se ka gabuar më shumë skuadra këtë sezon, duke rrezikuar arritjen edhe të objektivit minimal…?

Vllaznia u fut në këtë kampionat si një favorite për të fituar titullin. Unë mendoj se që këtu gaboi, pasi zgjoi edhe kundërshtarët. Një sezon më parë, Vllaznia nuk u fut si e tillë dhe për mua doli kampione e moralit, pasi në të vërtetë e meritonte ta fitonte titullin me paraqitjen që bëri. Ndoshta këtë kampionat mbeti disi mbrapa në momentet më të mira të saj, pasi duhet të jemi realist që Vllaznia është penalizuar në shumë raste nga arbitrat. Kjo bëri që të dalë shpejt nga lufta për titull.

SMAJLI

Nëse nuk fitohet Kupa, mund të quhet një sezon i dështuar për Vllazninë?

Për Vllazninë çdo sezon quhet i dështuar kur nuk fiton trofe dhe nuk merr pjesë në Kupat e Europës. Njërën nga këto e ka detyrim çdo sezon. Nuk po flasim për një fanellë dhe klub dosido. Është detyrim dhe pikë për vetë historinë që ka klubi.

Ju thatë që Vllaznia ka një grup më cilësor se Laçi, por a ka ndonjë lojtar që keni pritur shumë e ju ka zhgënjyer?

Thjesht kam vënë re që lojtarët që vijnë në Shkodër, nuk e dinë se ku po vijnë. Ata harrojnë se çfarë përfaqëson kjo fanellë. Më shumë e kanë mendjen te kontrata që bëjnë, kjo është ajo që të zhgënjen më shumë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"