“Vllaznia favorite ndaj Tiranës”, ish-kapiteni Beqiri: Me fitoren kuqeblutë vënë një tullë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 19:42

“Vllaznia favorite ndaj Tiranës”, ish-kapiteni Beqiri: Me fitoren kuqeblutë vënë një tullë

Elvin Beqiri, ish-kapiteni i Vllaznisë, aktualisht trajneri i ekipit kombëtar U-17, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur për situatën që po kalon ekipi shkodran. Po ashtu, ai ka folur për takimin ndaj Tiranës, ku e shikon Vllazninë më të favorizuar në këtë përballje.

elvin beqiri

Gjithsesi, ish-mbrojtësi e lë gjithçka të hapur për vetë faktin se në fushë janë dy rivalë historikë. Sipas Beqirit, një trepikësh i kuqebluve në këtë takim nuk do të thotë asgjë.

Si e shikoni situatën te Vllaznia në prag të sfidës me Tiranën?

Me stabilitetin që po shohim tek ekipi i Vllaznisë, mendoj se ka ajo më shumë shanse për ta fituar ndeshjen e radhës. Gjithsesi, duhet pritur që të shikojmë edhe Tiranën me ndryshimet që ka bërë në stafin teknik.

Ajo ka një trajner të ri, besoj se do të ketë edhe një fytyre të re, ndryshe nga javët e tjera. Por, ndeshje të tilla si kjo Vllaznia-Tirana janë të paparashikueshme. Historikisht këto dy ekipe kanë nxjerrë ndeshje shumë të bukura. Prandaj, mendoj se edhe këtë herë do të jetë një ndeshje e hapur, por në kompleks, e përsëris që Vllaznia duket më e favorizuar për ta fituar atë.

Kush mendon se do ta zgjidhë këtë ndeshje, individë të veçantë apo forca e grupit?

Mendoj se kjo ndeshje nuk do të zgjidhet nga individë të veçantë, por nga fryma e grupit dhe mënyra si skuadrat do ta menaxhojnë atë. Nuk do të jenë individët që do ta zgjidhin fatin e këtij takimi, por menaxhimi i mirë që do t’i bëjnë lojës.

Një fitore e mundshme e Vllaznisë në ketë takim do të thotë shumë, të paktën në opinionin sportiv konsiderohet një trepikësh me vlerë. Ju si e shikoni këtë?

Ndoshta fitorja e kësaj ndeshjeje për Vllazninë do të jetë një tullë më shumë në realizmin e objektivit që ajo ka, por besoj se duhet ende kohë për të përcaktuar se deri ku mund të shkojë kjo skuadër. Edhe në rast fitoreje të Vllaznisë, do të jetë herët për të thënë se ku do të shkojë kjo skuadër në fund të sezonit. Të mos harrojmë se kjo është vetëm ndeshja e tretë e kampionatit.

Keni shumë kujtime nga këto përballje. Si i keni përjetuar ato?

Përherë më shumë emocion. Takime të tilla përherë krijojnë emocione edhe tani që je jashtë fushës së blertë. Shpresoj që të dyja ekipet këtë vit të luftojnë për objektiva madhorë, pasi kjo u shkon përshtat këtyre klubeve.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"