“Vllaznia është më e motivuar se Skënderbeu”, Dedja: Të huajt joprofesionistë, ja kush u largua së fundmi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2020 | 12:32

“Vllaznia është më e motivuar se Skënderbeu”, Dedja: Të huajt joprofesionistë, ja kush u largua së fundmi

Hysen Dedja ka bindjen se Vllaznia e tij është e aftë që të luftojë deri në fund për t’iu larguar zonës “play out”. Sipas tij, fitorja e arritur ndaj Luftëtarit dhe hapi fals i Bylisit ka ndezur sërish shpresat e shkodrane për t’iu larguar vendit të 8-të. Trajneri i Vllaznisë ka folur edhe rreth largimeve nga skuadra. Dedja në fjalën e tij shprehet se kërkon sërish 3 pikë në përballjen me Skënderbeun.dedjaaaa

A jeni i kënaqur pas 3 pikëve në Gjirokastër dhe barazimit të Bylisit?

Normalisht që jam i kënaqur me fitoren e arritur në takimin me Luftëtarin. Ishin tri pikë që na duheshin në këto momente. Për më tepër, kam parë se skuadra pati më shumë lëvizshmëri dhe më shumë harmoni në lojën e saj. Ajo që më kënaqi është se skuadra pati më shumë impenjim, jo si në takimet e tjera. Lëvizi mirë në fushë dhe pati përplasje me kundërshtarin. Ajo që më kënaq për të ardhmen është se pati rritje të menjëhershme te disa lojtarë.

Por te Vllaznia ka një problem, pasi disa nga të huajt nuk janë më pjesë e stërvitjes?

Dihet që disave prej tyre u kanë mbaruar kontratat, por nisur nga pandemia nuk duhet që të shikohen kështu. Këta lojtarë që janë në skuadër, sidomos te të huajt, tani shikoj një mungesë impenjimi. Ata po e quajnë veten më profesionistë jashtë fushe, sesa në fushë. Nuk kanë dhënë maksimumin, ndërsa Shkodra e Vllaznia u ka dhënë shumë atyre. Ato kanë detyrime ndaj këtij emri!

Po Gligorov?

Në rastin e Gligorovit, ai para pesë ditësh erdhi më kërkoi që të largohet. “Kam përfunduar kontratën dhe dua që të largohem. Unë erdha që të kërkoj leje”, më tha, pavarësisht se nuk ishte një leje që më drejtohej mua, por administratorit e kryebashkiakes. Gjithsesi, ai është larguar tanimë.HYSEN DEDJA

Një hap fals i Bylisit: a ju jep më shumë shpresa për largimin nga vendi i tetë?

Na po punojmë për të marrë maksimumin në ndeshjet tona dhe nuk duhet që të shikojmë çfarë do të ndodhë me të tjerat. Kalendarin e kemi shumë të fortë, por unë them se ekzistojnë mundësitë për t’iu larguar atij vendi. Në fund le të presim se si do të jetë edhe ecuria e kundërshtarit.

Keni disa mungesa në përballjen ndaj Skënderbeut, si do t’i zgjidhni?

Kemi disa mungesa për takimin ndaj Skënderbeut, por pavarësisht se unë e theksoj se kemi një përballje të vështirë, them edhe që nuk e kemi të pamundur për të marrë një rezultat pozitiv. Ne në fazën e dytë, kur unë nuk isha pjesa e ekipit, patëm guxim dhe fituam në Korçë. Prandaj, edhe kësaj here, pavarësisht se do të jetë e vështirë, nuk do të jetë e pamundur që t’ia dalim. Motivi ynë për fitore është më i madh sesa ai i Skënderbeut.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"