Vllaznia e Champions-it, Hasani: Synojmë fazën e grupeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2017 | 15:26

Vllaznia e Champions-it, Hasani: Synojmë fazën e grupeve

Për herë të parë në histori, skuadra e 19-vjeçarëve të Vllaznisë do të luajë në Champions League ku synon një paraqitje dinjitoze. Alban Hasani, drejtori i Akademisë së kuqebluve, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur në lidhje me objektivin për të kaluar deri në fazën e grupeve dhe u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm masivisht në ndeshjen e kthimit për të mbështetur këtë skuadër që do të risjellë në “Loro Boriçi” emocionet e një ndeshjeje ndërkombëtare.

Hasani

Kuqeblutë e vegjël do të luajnë ndeshjen e parë në transfertë ndaj moldavëve të Zimbrus në 26 shtator dhe në 18 tetor takimin e kthimit. Në rast kualifikimi, ata do të gjejnë përballë një prej dy ekipeve mes UCD Dublin-Molde.

Jeni në prag të ndeshjes së parë të Champions League për të rinj. Si po pritet kjo përballje në skuadër?

Është hera e parë që ndodh në Shqipëri që një skuadër të marrë pjesë në një kompeticion të tillë. Po të shikoni e gjithë skuadra e parë e Vllaznisë ka në përbërje të saj lojtarë të Akademisë me përjashtime shumë të vogla.

Për këtë ndeshje ne kemi bërë pjesë tonën edhe lojtarë të ekipeve Kombëtare, si Isufi, Kusi e Miloti, të cilët bëjnë stërvitje në ekipin e parë, por do të luajnë me 19-vjeçarët në këto ndeshje. Në krye të skuadrës është një trajner me përvojë si Luan Zmijani dhe kem shumë besim te suksesi.

Mendoni se mund ta kaloni këtë tur të parë?

Natyrisht që po. Madje kemi shumë besim se do të kalojmë këtë tur dhe më pas shorti do të na vërë përballë kampionët e Irlandës ose kampionët e Norvegjisë, ndaj të cilave teknikisht ne jemi më lartë. Kështu që mund të pretendojmë për të shkuar në fazën e grupeve, që do të ishte një sukses shumë i madh.

Një organizim i tillë kërkon edhe buxhet. E keni të siguruar anën financiare?

Ana financiare është shumë e mirë. Kemi pasur edhe një takim me kryebashkiaken Ademi, ku pika kryesore ka qenë pikërisht kjo temë. Nuk do të lihet asgjë mangët në të gjitha aspektet. Ekipi do të shkojë në Moldavi në mënyrë dinjitoze.

Lojtarët do të pajisen me kostume serioze dhe kollare. Pra është menduar për të gjithë detajet. Ndërsa në ndeshjen e kthimit në 18 tetor organizimi do të jetë shumë perfekt. Do të kemi këngëtarë, ishlojtarë të Vllaznisë do të jenë aty.

Vllaznia U 19 champions

Keni marrë informacione në lidhje me ekipin kundërshtar?

Është skuadër e fortë fizikisht. Ne jemi përgatitur dhe kemi zhvilluar një fazë përgatitore në Razëm. Besoj se në këtë ndeshje do ta bëjnë diferencën individualitetet.

Çfarë funksionon tek Akademia e Vllaznisë ndryshe nga akademitë e qyteteve të tjera që prodhon kaq shumë futbollistë?

Në Shkodër është vendi që prodhon futbollistë. Jemi i vetmi ekip në Shqipëri “bio”. Në Shkodër stërviten 1200 fëmijë. Akademia e futbollit të Vllaznisë ka 300 fëmijë dhe muaji shtator është më i dhimbshmi pasi këta lojtarë largohen. Largimi i fundit ishte Vecaj te Dinamo e Zagrebit, Hebaj gjithashtu, që mund të luante në Champions. Ka trajnerë të apasionuar dhe qyteti jeton me këtë sport.

Vllaznia

Do të ishin gjërat më mirë nëse do të kishit pasur një sponsor?

E mira nuk ka fund. Megjithatë na është premtuar edhe nga Bashkia dhe nga FSHF një fushë plus në dalje të Shkodrës dhe në muajin prill do të kemi një tjetër terren dhe kjo është gjë pozitive, për të gjithë qytetin dhe jo vetëm për Akademinë.

Keni një mesazh për tifozët që të mbështesin edhe 19-vjeçarët?

Unë besoj se do të ketë deri në 5 mijë veta që do të jenë në shkallët e stadiumit vullnetarisht, pa bërë reklamë. Vllaznia ka kohë që nuk përjeton këto emocione dhe ku ka më mirë që këto emocione t’ia rikthejnë djemtë vendas. Kështu që jam i bindur se mbështetja nuk do të na mungojë.

Armand Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"