Vllaznia, “e bukura” e javës së parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2019 | 20:20

Vllaznia, “e bukura” e javës së parë

YLLI AGA

ylli aga

Nisur nga historia, nga trofetë e fituar dhe nga emrat që kanë kontribuar ndër vite, e kundërta do të ishte e çuditshme, por për shkak të problematikave me të cilat përballet klubi më shumë se një shekullor, ndeshja e fituar ndaj Laçit në ndeshjen hapëse të kampionatit ishte “e bukura” e javës.

Kjo edhe për shkak të pritshmërive të ulëta, të përgatitjeve jo optimale, të merkatos me “silenciator” apo dhe të polemikave që nuk shterojnë kurrë në qytetin e Shkodrës, po, Vllaznia ishte një realitet i bukur. Agresive, me dëshirën për të bërë mirë dhe për të përcjellë një mesazh shprese te tifozët e tyre.

MERITAT E SUAD LICIT

Kaosi me të cilin jeton prej muajsh Shkodra, bashkia e qytetit me statusin e pronares së klubit dhe rrjedhimisht edhe Vllaznia, ngandonjëherë i kapërcen kufijtë e arsyes dhe të mundësive që mund të përballojë njeriu. Në rastin konkret, Suad Lici me statusin e administratorit të klubit. Sepse në botën e futbollit, një drejtues i lartë ka vështirësi për ta bërë siç duhet punën e tij edhe kur ka një buxhet të konsiderueshëm në dispozicion, struktura me të cilat mund të ndajë përgjegjësitë, kushtet optimale për t’u stërvitur, akomoduar, ushqyer dhe kujdesi mjekësor dhe në çdo rast përballet me riskun e dështimit.

suad lici

Tani vetëm imagjinoni me çfarë duhet të merret administratori i Vllaznisë nga orët e para të mëngjesit dhe deri në mbrëmje vonë. Në dispozicion ka një buxhet modest, por që endet “sirtarëve të burokracisë” pa pasur mundësinë ta ketë në çastin që i duhet, i duhet një trajner që të krijojë një lloj distance dhe ftohtësie me një ambient që së fundmi është kthyer nga problematik deri i frikshëm, i duhet të riseleksionojë grupin e futbollistëve, duhet të gjejë kohën për të studiuar blerje të reja, me kosto financiare modeste dhe të një “klase” ku mundësia për të gabuar është shumë e lartë.

Për të mos përmendur sorollatjet për t’i siguruar vizën e punës, biletat e udhëtimit dhe akomodimin e tyre. Dhe të gjitha këto janë kohë dhe shpenzime ekstra. Shpesh të tijat personale. Në këtë këndvështrim fitorja dhe paraqitja në ndeshjen debutuese të kampionatit ka bërë shumë të kënaqur në qytetin e Shkodrës, por me siguri administratori Suad Lici duhet ta ketë shijuar më shumë se të gjithë dhe ndoshta për herë të parë në këtë verë stresuese duhet të ketë fjetur i qetë dhe i lumtur.

VLLAZNIA KËRKON NDIHMËN E “VLLAZNËVE”

Për fat të mirë dhe të keq njëkohësisht, suksesi me Laçin ishte beteja e parë dhe lufta është ende për t’u fituar. Por edhe në këto kohë të nxehta dhe me qiellin pa re, gjithkush mund t’i dallojë “retë e zeza” që pritet t’i afrohen Vllaznisë. Kjo sepse Bashkia Shkodër është me një kryetare me mandat të përfunduar, si Voltana Ademi, zyrtarisht pa kryetar, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit dhe me shumë mundësi pa një datë të re zgjedhjesh për shkak të konfliktit politik.

Çlirim-Basha-Vllaznia

Dhe këtë situatë kaotike do ta vuajë me shumë mundësi edhe Vllaznia, që do të ketë vështirësi për të marrë në kohë buxhetin e për të paguar rrogat, qiratë apo çdo faturë tjetër. Pikërisht në këtë situatë lipset me shumë se çdo herë që të marrë kuptimin e vërtetë emri i këtij klubi, kërkohet “vllazni”, kërkohet një bashkim sa më i gjerë i gjithsecilit për ta ndihmuar Vllazninë me sponsorizim, donacion apo qoftë edhe duke blerë një biletë për të parë dhe mbështetur kuqeblutë.

Kjo edhe për motivin se disa klube e kanë të shkruar në ADN e tyre për të luajtur për gjëra të mëdha dhe Vllaznia është një nga rastet. Në një garë ku rivaliteti është shumë i ashpër, Vllaznia mund të mbetet në lartësinë e vlerave dhe historisë së saj vetëm nëse do të ketë një bashkim të madh mes shkodranëve. Gjithçka tjetër do të jetë një kërcënim për ta parë klubin sërish në pozita të ulëta, sepse në një garë të përjavshme dhe pothuajse gjithëvjetore si kampionati, vend për mrekulli nuk mund të ketë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"