“Vllaznia do të shkojë në finale”, Vioresin Sinani: Në kampionat nuk ka mbaruar ende asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 11:50

“Vllaznia do të shkojë në finale”, Vioresin Sinani: Në kampionat nuk ka mbaruar ende asgjë

Vllaznia do të luajë përballë Egnatias në gjysmëfinalet Kupës së Shqipërisë, me shkodranët që do të kërkojnë ta fitojnë atë për të tretin vit radhazi. Në një prononcim për mediat, drejtori sportiv i kuqebluve, Vioresin Sinani, u shpreh se skuadra do të bëjë çmos për ta fituar këtë trofe.

sinani vllaznia

Presidenti donte Tiranën, por ra Egnatia. Më mirë në syrin teknik?

Mendoj se të katërt skuadrat janë të forta. Vetë kampionati e ka treguar se diferencat janë të vogla. Egnatia ka treguar gjatë kampionatit që ka stabilitet dhe ka lojtarë cilësorë. Por Vllaznia do zhvillojë ndeshje të mira me Egnatian dhe do të shkojë në finale.

Egnatia, një mace e zezë për Vllazninë…

Shpresoj që ky është momenti që Vllaznia të kualifikohet me Egnatian dhe të dalë në finale me njërën prej fituese të çiftit tjetër. Egnatia ka një ekip me lojtarë mjaft të mirë, por jam i bindur që kësaj radhe është radha jonë.

Luftë në dy fronte, edhe në kampionat dhe në Kupë. Kush është më e arritshmja?

Duhet bërë maksimumi te të dyja frontet. Nuk di të them cila është më e arritshmja, por di të them  që do luftojmë maksimalisht. Kemi 20 e ca lojtarë në dispozicion. Kontingjenti është i mirë, kështu pse të mos pretendojmë në të dyja frontet.

Jo të dyja trofetë kanë të njëjtën vlerë. Kujt do t’i kushtoni më shumë vëmendje?

E them me 100%, të dyjave njësoj. E di që kampionati vlerësohet më shumë, por jam i bindur që do luftojmë si për kampionat, ashtu edhe për Kupë deri në fund. Koha do të tregojë se sa do t’i arrijmë.

Vazhdon të jetë titulli objektiv për Vllazninë në këto momente?

Të përmendësh fjalën titull me diferencën që është krijuar, nuk do të kisha dëshirë që t’i vendosja dhe lojtarët nën presion. Megjithatë jam i bindur që do të luftojmë. Shtatë pikë nuk janë shumë. Do të luftojmë maksimalisht deri në fund.

Ndeshja me Bylisin në fundjavë dhe me trajnerin Miloti në pankinë…

Normalisht trajnerit Miloti edhe gjithë ekipit i uroj suksese. Bylisi është një ekip i konsoliduar, por mendoj se në Shkodër do të fitojë Vllaznia.

Të gjithë sytë janë se çfarë do të bëhet me Vulajn dhe me rikthimin e Latifit.

Mund të them që emrat që u përmendën janë në dispozicion të trajnerit dhe stërviten maksimalisht nën urdhrat e trajnerit. Më pas kush do të hidhet në fushë do të vendosë trajneri.

Si ndihet Sinani me rolin e drejtorit sportiv?

Jam te ekipi i zemrës. Jam në pozicion që klubi më ka treguar respekt karshi meje. Kështu që ndihem mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"