“Vllaznia do jetë sërish në finale”, mesfushori i shkodranëve: Jemi më lart se Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2022 | 17:16

“Vllaznia do jetë sërish në finale”, mesfushori i shkodranëve: Jemi më lart se Partizani

Mesfushori shkodran, Ardit Krymi, duket se ka kaluar dëmtimin e pësuar para takimit me Egnatian. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shprehet që është momenti që i gjithë ekipi të sakrifikojë në maksimum për të mos rrezikuar sezonin. Ai foli edhe për përballjen e Kupës ndaj Partizanit, me besimin e plotë se Vllaznia do të jetë për të dytin vit me radhë në finale.

krymi

Mesfushori është i bindur se ekipi kuqeblu do të jetë pjesë e skuadrave shqiptare që do të luajnë në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm.

Si është gjendja juaj fizike?
Them se jam mirë. Kam pak shqetësime, por sot do të bashkohem totalisht me ekipin dhe besoj se do të jem në më të mirën time në këtë takim. Shpresoj të jem plotësisht i gatshëm. Kam pasur një shqetësim fizik që në takimin me Tiranën.

Çfarë dëmtimi ju ka shoqëruar?
Kam pasur një dëmtim në këmbën e majtë. Një problem muskulor, që më ka shqetësuar edhe para takimit me Egnatian. Mendova se nuk do të kisha dhimbje, por në atë takim e kam ndier sërish dhimbjen.

Me ekipin mësohet se janë bashkuar edhe lojtarët e tjerë. Shenjë pozitive para përballjes me Partizanin?
Po, janë rikuperuar edhe lojtarët e tjerë. Momentalisht skuadra është e plotë dhe të gjithë ndihen mirë. Sot është koha që të gjithë të sakrifikojnë për Vllazninë. Vllaznia në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës vjen pas rezultateve negative.

Besoni se me Partizanin do të jetë edhe kthesa në rezultate?
Mendoj se çdo ekip i ka kaluar dhe do t’i kalojë këta situata. Mendoj se pushimi prej ndeshjeve të kombëtareve ka shërbyer për mirë. Kjo na ka vlejtur që të dalim prej kësaj situate. Besoj te kthesa në lojë dhe rezultate.

Sa janë shanset e Vllaznisë për të qenë në turin tjetër të Kupës?
Mendoj se kemi një ekip më të mirë se Partizani. Megjithatë, duhet të luajmë të bashkuar dhe fort. Unë mendoj se do t’ia dalim dhe të jemi ne në finale.

 Besoni se Vllaznia në fund të këtij sezoni, si nga Kupa apo nga Kampionati, do të jetë në Kupat e Europës?
Nga të dyja rrugët është e arritshme. Ne do të luajmë deri në fund që të arrijmë Europën prej të dyja mundësive që kemi, si nga kampionati e po ashtu edhe nga Kupa.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"