Vllaznia do gjyqtarë të huaj në “finalen” e mbijetesës, FSHF: Paguaj 10 mijë euro!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2018 | 10:06

Vllaznia do gjyqtarë të huaj në “finalen” e mbijetesës, FSHF: Paguaj 10 mijë euro!

Vllaznia i ka paraprirë gjithçkaje para “finales” së mbijetesës me Teutën. “Panorama Sport” zbulon se klubi shkodran i ka bërë një kërkesë institucionit të futbollit shqiptar që më datën 6 prill. Pra, që FSHF të krijojë mundësinë që Teuta-Vllaznia të gjykohet nga një treshe e huaj të dielën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Vllaznia-Teuta-dyluftim-653x380

Duke qenë brenda rregullores me këtë kërkesë, por nisur edhe nga shkalla e lartë e vështirësisë që ka takimi dhe fakti që asnjë prej gjyqtarëve shqiptarë nuk krijon besueshmëri të lartë për të vendosur drejtësi, është parë me interes edhe nga vetë FSHF që të ketë të huaj.

Fillimisht u mendua se do të ishin gjyqtarë nga Finlanda, duke qenë se dy federatat kanë bërë një marrëveshje bashkëpunimi për arbitrat. Mirëpo, për momentin gjithçka është pezull, edhe pse në institucionin e futbollit shqiptar janë të prirë për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt.

vllaznia-teuta1-470x2431-470x243

Mësohet se FSHF i ka dhënë një përgjigje të qartë klubit shkodran. Për të plotësuar këtë kërkesë, kostoja është 10 mijë euro. Deri dje, nga ana e klubit Vllaznia nuk ka pasur ndonjë lëvizje konkrete për të bërë pagesën në FSHF dhe gjithçka është në pritje.

KONFIRMIMI

“Po, është e vërtetë që klubi i Vllaznisë ka dërguar një shkresë zyrtare për ndeshjen me Teutën, ku kërkon që ky takim të drejtohet nga arbitra të huaj. FSHF i ka bërë të qartë klubit shkodran se duhet të marrë përsipër shpenzimet. Kostoja për të sjellë gjyqtarë të huaj në Shqipëri shkon rreth 10 mijë euro.

vllazniaa

Këtu futen shpenzimet e udhëtimit, akomodimi dhe natyrisht shpërblimi për treshen e arbitrave të huaj që mund të gjykojë Teuta-Vllaznia”, sqaruan të hënën për “Panorama Sport”, sa i përket kërkesës së Vllaznisë, burime zyrtare në FSHF.

vllaznia-luftetari-web-622x330

DREJTUESI

Dy ditë më parë, administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, duke komentuar ndeshjen me Teutën, edhe pse hezitoi të bënte publike kërkesën që i kanë dërguar FSHF-së që më 6 prill në lidhje me gjyqtarët, deklaroi: “Shpresojmë që të kemi një gjykim korrekt, pasi Vllaznia është penalizuar jo pak.

Gjyrezi

Ne nuk kemi pasur ndonjë preferencë apo edhe ndonjë kundërshtim të madh për gjykimin, me përjashtim të treshes së ndeshjes në Kukës që e shpallëm të padëshirueshëm. Për tjerë nuk kemi pasur kontestime. Kemi theksuar se besojmë në profesionalizimin dhe në ndershmërinë e tyre. Por, po të jetë edhe një i huaj në një takim kaq deciziv, nuk do të ishte gjë e keqe”.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"