Vllaznia do edhe Kupën, Lika: Kjo skuadër po bind

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2018 | 12:59

Vllaznia do edhe Kupën, Lika: Kjo skuadër po bind

Vllaznia kërkon që të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Ky, me sa mësohet, është objektivi që stafi teknik dhe skuadra i kanë vënë vetes për këtë kompeticion. Barazimi në takimin e parë të turit të parë të Kupës me ekipin e Burrelit, 1-1, duket shumë më favorizues për skuadrën shkodrane. Për më tepër kur përballë kanë një skuadër që vetëm tri ditë më vonë në takimin e kampionatit e kanë mundur për kampionat me shifrat e pastra 0-2.

VLLAZNIA

Tekniku Hasan Lika është i mendimit se për sa i përket kalimit në turin tjetër nuk duket se do të ketë shumë histori. “Është një mundësi e mirë për t’u kualifikuar. Kemi një mundësi për të kaluar dhe besoj se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë për të qenë në turin tjetër. Vetë rezultati i takimit të parë na lejon një gjë të tillë.

Ne jemi të përqendruar te Kupa, për të kaluar me sukses këtë tur dhe për të shkuar më tej. Megjithatë, e kam thënë se kampionati është një nga objektivat tona në këtë sezon. Ne kemi pasur një fillim të vështirë në përgatitjet tona për kampionat. Kemi filluar me vonesë dhe do të kërkojmë që të kapim kohën e humbur”, është shprehur tekniku Lika.

Përgatitjet – Vllaznia ka nisur menjëherë përgatitjet pas përfundimit të takimit me Dinamon. Të shtunën që u mendua se do të ishte një ditë pushimi, por stafi teknik nxori në stërvitje ekipin. Skuadra është e plotë. Nuk ka asnjë lojtar me gjendje virale si para përballjes me Dinamon dhe për më tepër, me përjashtim të Florind Bardullës që ende është i dëmtuar, të gjithë të tjerët janë gati.

Të gjithë janë në gjendje optimale, madje edhe ata lojtarë që kanë probleme me riaftësimin e tyre mësohet se janë drejt kthimit në gjendjen e tyre më të mirë. Me sa duket, para sfidave të kësaj jave me Burrelin për Kupë dhe Besëlidhjen për kampionat, Vllaznia pritet që të jetë e plotë. Për sa i përket kampionatit, shkodranët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë deri tani duke marrë tri fitore në po kaq ndeshje dhe udhëheqin të vetëm renditjen e Grupit A. Objektivi kryesor i Vllaznisë këtë sezon është ngjitja në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"