Vllaznia-Bylis luhet të hënën në “Loro Boriçi”, shkodranët në festë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 21:24

Vllaznia-Bylis luhet të hënën në “Loro Boriçi”, shkodranët në festë

Tashmë është zyrtare, Vllaznia-Bylis do të luhet në “Loro Boriçi”. FSHF-ja ka pranuar kërkesën e klubit kuqeblu dhe e ka shtyrë këtë ndeshje për të hënën në orën 18:00, ndonëse fillimisht ishte planifikuar për të shtunën në orën 14:00. Në këtë stadium është mbjellë bari dhe shkodranët e kishin të ndaluar që ta përdornin nesër.

vllaznia tifozet

Por nëse luhet më shumë se 48 orë më vonë, atëherë edhe terreni do të ketë kohën e nevojshme që të ngjishet. Nga kampi i Bylisit ishin kundër këtij spostimi, madje dolën edhe me një komunikatë zyrtare në faqen e tyre zyrtare, ku këmbëngulnin që të respektohej kalendari. Ata prisnin vetëm të caktohej stadiumi dhe ora, pasi dilema për ditën nuk kishin. E megjithatë, duket se kanë rënë dakord që të luhet në fillimjavë dhe në Shkodër.

Vllaznia nuk donte të “migronte” për javën e 11-të, ndaj prej ditësh ka negociuar me përgjegjësit e federatës për këtë çështje. Pati një propozim që të luhej për të mërkurën e 6 nëntorit, por kundërshtimi i ballshiotëve e rrëzoi si pistë. Gjithsesi, tashmë në Shkodër duket se i kanë bërë llogaritë që të hënën, kur edhe impianti do të jetë më shumë se gati.

LLOGARITË – Në Shkodër ka nisur “festa”. Axhenda e re u shkon më shumë se përshtat. Pikësëpari do ta luajnë në shtëpinë e tyre, së dyti në një fushë cilësore, së treti do të kenë tifozët në krahë (derisa në orën 18:00 gjithkush e ka mbyllur punën dhe nuk do të ketë pengesë për t’iu drejtuar stadiumit) dhe së katërti fitojnë kohë për të rikuperuar të dëmtuarit. Janë jo pak, por tri ditë që i japin mundësi Filip Gligorovit dhe Hygor Guimaraesh që të riaftësohen.

mirsad jonuz

Edhe pse në seancën e djeshme mbrojtësi maqedonas dhe mesfushori brazilian nuk u përfshinë me grupin, kanë shanse që të vihen sot nën urdhrat e Mirsad Jonuz. Ky i fundit, deri para se të merrej vendimi final, ishte totalisht konfuz. Dashur pa dashur duhet të programonte stërvitjen, duke u bazuar te ndeshja. Por pa ditur ditën, orarin dhe fushën se ku do të zhvillohej dueli i javës së 11-të, nuk mund të mendonte as fiksimin e formacionit. Nëse ekipi do të luante nesër, atëherë llogaritë e trajnerit do të bëheshin zyrtarisht me 4 mungesa.

Veç dy të dëmtuarve, të padisponueshëm janë edhe Erdenis Gurishta dhe Behar Ramadani të pezulluar prej kartonëve. Kërkesa e drejtuesve të klubit për të zhvilluar këtë përballje në stadiumin “Loro Boriçi” dhe mbi të gjitha shtyrja e saj, ka çoroditur jo pak edhe lojtarët. Ato gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar me “veshë” nga federata, aq sa seanca e djeshme është mbyllur me pyetjen: “Ku do të lu ajmë me Bylisin”.

NEGOCIATAT – E enjtja ka qenë një ditë më shumë se e ngarkuar për administratorin. Suad Lici ka udhëtuar në kryeqytet, pranë zyrave të FSHF-së, për të diskutuar rreth kësaj historie.

suad lici jonuz

Numri një i klubit shkodran është munduar që të bindë zyrtarët e federatës, që “Loro Boriçi” mund ta përballojë zhvillimin e këtij 90-minutëshi nëse shtyhet me pak ditë. Frika ishte te tapeti, pasi nuk duan që ta rëndojnë dhe të jetë gati për Shpresat. Në këtë impiant është programuar që më 15 nëntor të luajë Kombëtarja U-21 kundër Anglisë, për kualifikueset e Europianit.

Admir Uruçi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"