Vllaznia barazon miqësoren ndaj Besëlidhjes, zv.trajneri: Jemi në fazë përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2017 | 17:24

Vllaznia barazon miqësoren ndaj Besëlidhjes, zv.trajneri: Jemi në fazë përgatitore

Raste të shumta dhe dominim në lojë nuk kanë mjaftuar që Vllaznia të fitojë miqësoren kundër Besëlidhjes. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Lezhës ka përfunduar 1-1. Të parët që rrezikuan ishin shkodranët në të 13′ me anë të Vecajt që gjuan fort, por grushton Demi.

beselidhja-vllaznia

Pas këtij rasti loja kontrollohet nga vendasit që organizojnë një sulm me anë të Ndrecës. Në fund të pjesës së parë, shkodranët nuk ia kanë dalë që të gjejnë rrugën e rrjetës, megjithëse kanë krijuar të paktën tri raste të pastra për shënim me anë të Orelesit, Likës dhe Gurishtës.

Goditja jashtë kuadratit e këtij të fundit ka mbyllur fraksionin e parë me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë nis me epërsinë e Vllaznisë. Në të 47-ën, shkodranët fitojnë një goditje nga këndi, të cilën me kokë e kthen në gol Kruja duke e zhbllokuar rezultatin 1-0.

Më pas Vllaznia e lëshon lojën, kjo bën që të kontrollohet nga vendasit, të cilët organizohen dhe në të 51′ rrezikojnë seriozisht me anë të O.Kamarasë, por vetëm këndore dhe rast i shpërdoruar. Në të 60′ ishte Vllaznia që organizohet dhe Çinari i freskët provon nga jashtë zone, topi kalon ngjitur me pingulen e Besëlidhjes. Në rreth 15 minuta lojë, janë shkodranët që tentojnë dy herë, një me Orelesin që gjuan nga jashtë zone dhe një rast i Besëlidhjes, por pa rezultat.

beselidhja vllaznia

Në minutën e 76-të, një goditje nga këndi e krosuar nga Hepaj bën që sfera e hedhur në zonë të gjejë Dibrën, i cili godet, më pas duhet një devijim i mbrojtësve shkodranë për të dërguar topin në traversë e më pas është Ujka që e shtyn drejt rrjetës për 1-1. Edhe pse të dyja skuadrat luftuan fort, më shumë Vllaznia, ndërrimet e dobësuan ritmin e lojës dhe rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Mazhar s’e bën dramë: Ngarkesat bëjnë të vetën

Zv.trajneri i Vllaznisë, Aleksandër Mazhar nuk e bënë dramë barazimin. Ai thekson se skuadra është duke eksperimentuar, ndaj është herët për të dalë në konkluzione.

“Nuk kemi arsye për t’u mërzitur, sepse jemi në fazë përgatitore. Ekipi ka pasur ngarkesa dhe po mundohemi që të ndërtojmë formacionin ‘tip’, ndaj po u japim shansin të gjithëve. Ka pasur momente pozitive gjatë këtyre miqësoreve, megjithatë kemi ende shumë punë përpara. Afrimet e reja po përshtaten, megjithatë merkatoja nuk është mbyllur.

Kemi kohë deri me 31 gusht, ndaj shpresoj që të marrim edhe 2-3 lojtarë të tjerë për të përballuar kampionatin. Kemi nevojë për një sulmues të mirë dhe po ashtu edhe për një ‘stoper’ të mirë. Sa i përket portierit që është në provë, nuk më takon mua që të vendos, por profesor Aveniri”, u shpreh Aleksandër Mazhar.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"