Vllaznia, 3 miliardë për mbijetesën në 5 vitet e fundit. Këshilltari: Stop financimit, ia dalim dhe pa lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2017 | 12:41

Vllaznia, 3 miliardë për mbijetesën në 5 vitet e fundit. Këshilltari: Stop financimit, ia dalim dhe pa lekë

Vllaznia po kalon një krizë rezultatesh duke zhgënjyer shumë tifozët shkodranë, që për të gjashtin sezon radhazi, po shikojnë një skuadër që lufton për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.

vllaznia

Mirëpo, ajo që habit, është fakti se shpenzimet te Vllaznia nuk janë në nivele të ulëta, madje me buxhete që i kanë zili edhe klubet, të cilat luftojnë rregullisht për një vend në Kupat e Europës. Besojeni apo jo, por klubi kuqeblu ka “humbur” afro 3 miliardë e 80 milionë lekë në këtë periudhë që bashkia e Shkodrës ka administruar Vllazninë.

FINANCAT

Teksa Bashkia e Shkodrës bën gati procedurat për shitjen e aksioneve të klubit të futbollit Vllaznia, hidhet dritë edhe mbi arsyet e këtij veprimi. Shkak kryesor është bërë pamundësia e Bashkisë për të mbështetur më financiarisht ekipin, i cili ndër vite ka shkaktuar vetëm humbje në buxhetin vendor. Janë jo pak, por 308 milionë lekë të reja, të cilat kanë ardhur duke u thelluar vit pas viti. Këto humbje janë pothuajse të barasvlershme me kapitalin e KF. Vllaznia, i cili sot llogaritet në vlerën 320 milionë lekë.

“Bashkia Shkodër mendon se është e nevojshme që KF. Vllaznisë sh.a, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundësia e një administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet privatizimit të tij. Privatizimi lind si nevojë për ta fuqizuar KF. Vllaznia sh.a”, citohet në shkresën e bashkisë.

Në çdo vit klubi ka një humbje prej 51.3 milionë lekësh të reja, çfarë do të thotë se në asnjë sezon me kaq humbje, ku vlera investimit është edhe më e madhe, nuk ka arritur që të jetë qoftë edhe një herë të vetme pjesëmarrëse në Kupat e Europës për të kompesuar diçka. Nën administrimin e bashkisë, klubi nuk po arrin që të japë edhe shembujt e periudhave të mëparshme, kur sponsorët arrinin të mbanin ekipin në nivele të larta, madje me thuajse të njëjtat shifra të buxhetit.

Shitja e aksioneve të klubit do t’i kushtojë bashkisë edhe disa shpenzime të tjera, konkretisht për vlerësimin e aseteve dhe përgatitjen e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve. Shërbimi i konsulencës do të kushtojë 833 mijë lekë, ndërsa vetë ankandi nuk pritet të ndodhë para janarit të vitit 2018.

BILANCI

Bashkia ka publikuar edhe bilancin e klubit për 4 sezonet paraardhëse. Vetëm për vitin 2016, bilanci regjistron një vlerë negative prej 48 milionë lekësh të rinj. Për vlerësimin e pasurisë së klubit, do të përdoret metoda që mbështetet në faktorë si të ardhurat, rezultatet sportive dhe tifozëria. Klubi 9 herë kampion i Shqipërisë është themeluar si shoqëri aksionare në 29 gusht 2011. Por, që në atë periudhë Vllaznia nuk ka arritur që të jetë konkurruese për kampionat dhe Kupën e Shqipërisë duke mos u kualifikuar në Kupat e Europës.

PRIVATIZIMI

Ajo që është premtuar prej kohësh nga Bashkia Shkodër, duket se më në fund ka filluar të marrë jetë. Dokumenti, i cili mban datën 16 nëntor 2017, ka hapur një prokurorim për “Vlerësim të aseteve dhe përgatitjen e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve të Bashkisë Shkodër të Klubit të Futbollit Vllaznia”.

Personat fizikë dhe juridikë të interesuar për këtë gjë, do të kenë kohë deri më 29 nëntor për të paraqitur dokumentacionin dhe për t’u shpallur fitues në këtë tender që ka një vlerë prej 833,333 lekë. Firma që do të shpallet fituese, do të ketë në dispozicion 30 ditë kalendarike për të bërë një vlerësim të tillë. Në dokumentin e bashkisë thuhet se është e nevojshme që Vllaznia, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundësia e një administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet privatizimit.

REAGIMI

Fatlum Nurja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që është pjesë e forcës politike “Fryma e Re Demokratike”, vijon të jetë një nga opozitarët e drejtimit të klubit të futbollit Vllaznia nga Bashkia e Shkodrës. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Nurja është shprehur me nota ironike: “Objekti u realizua, Vllaznia është në fund… Financimet të ndërpriten. Këtu ku jemi, mundena me kenë edhe pa lekë…”, shkruan Nurja në faqen e tij zyrtare të “Facebook”-ut.

nurja

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"