“VLLAZNIA 1972”, titulli tronditës që ndërroi historinë… (Pjesa e tretë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2017 | 19:04

“VLLAZNIA 1972”, titulli tronditës që ndërroi historinë… (Pjesa e tretë)

BESNIK DIZDARI

(Vijon nga numri i djeshëm i “Panorama Sport”)

KUR HISTORIA MBYLLET ME NJË FOTO…

Foto Dizdari

 

Këtu mbyllet triptiku i fotove tona historike. Është Vllaznia në sta diumin kombëtar “Qemal Stafa” kur sapo është shpallur Besnik-DizdariKampione e Shqipërisë mbas plot 26 vjetëve (1946-1972)… Autori i fotos është fotoreporteri i shquar, Petrit Sheqeri i gazetës “Bashkimi”, gazetar i së cilës unë isha. Ka qenë 4 qershor 1972 dhe unë gjithë paraditen i rrija pranë Petritit, për t’ia kujtuar se “mbasdite do të shpallet Vllaznia kampione dhe duhet të jesh në stadium”.

Veproja kështu se të papriturat e të përditshmeve të asokohe ishin vërtet të çuditshme. Ndodhte që kryeredaktori ta niste urgjentisht, ta zëmë për në Pezë a Vorë, fotoreporterin për një foto të faqes së parë për fushatën e kullimeve a të korrave të koperativës.

Ndonëse vetë Petriti natyrisht që nuk mund të më tradhtonte, të paktën do të më njoftonte dhe atëherë unë do të shkoja te kryeredaktori, i paharrueshmi Niko Nishku, interpret i madh i hapësirës së pamatë që do t’i jepte sportit në këtë gazetë, çka ai e drejtonte me përkushtim të jashtëzakonshëm.

Kjo ishte foto e vetme e Vllaznisë në çastin e titullit 1972, që do të botohej në të gjitha gazetat e vendit. Më 4 qershor 1971, Vllaznia e Shkodrës u bë kështu Kampione e Shqipërisë mbas 26 vjetëve, duke pas trajnerë dy kampionë të viteve 1945 e 1946: të mëdhenjtë e historisë së futbollit shqiptar Xhevdet Shaqiri dhe Xhelal Juka. Atë natë Shkodra ka pritur mesnatën e përtej, ndonëse gëzimeve qytetare të përmasave Regjimi iu vinte kufi.

Qoftë edhe në këtë 4 qershor 1971 – ditë “epokale” sepse mbas një të katërt shekulli ajo ndërroi historinë e ecurisë së Kampionatit të Shqipërisë. U frymëzua nga treshja e saj që “jetoi” vetëm 5-6 javët e para të Kampionatit, por dyshja mbeti vendimtare. Ishin Rragami e Bizi!

Gjithnjë e kryesuar prej Ramazan Rragamit – një udhëheqës universal i një titulli sensacional, personalitet po universal i futbollit shqiptar. Siç kam përcaktuar diku tjetër, gjithnjë i përmendej teknika, eleganca, pasimi, gjuajtja, horizonti taktik i lojës, shumanshmëria e futbollit të tij modern.

E po aq dhe forca e pazakontë e fizikut të tij skulptural, që, për një çast, të dukej se ishte e planit të dytë; në të vërtetë ishte mveshja e mbrendshme, si të thuash, motori që vinte pa pushim në lëvizje gjithë agregatet e tjerë teknikë tejet shprehës së tij. Ishte një lloj trajneri në lojë e do të bëhej një trajner i vërtetë, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë.

Çka për fat, do ta përjetoja drejtpërsëdrejti në Trier të Gjermanisë 1983 – Shpresa e Shqipërisë në 8-she të Europës. Trajner Ramazan Rragami. E, asokohe të vitit 1972, ne nuk mund ta parashikonim assesi këtë “epikë” gjermanike të futbollit “rragamian”… Ndërkaq, Sabah Bizi! Njeriu, i cili mbrenda 12 muajve e kishte bartë titullin e kampionit nga Partizani i tij te Vllaznia e tij.

Rikujtoj se bilanci i tij në kampionate ishte mbresëlënës: nënkampion më 1968, nënkampion më 1970, kampion më 1971, kampion më 1972! Pa përmendur Kupat e tij. U tha se Sabah Bizi ishte suksesi. Ndonëse, siç u pa në dy pjesët e mësipërme, ai dhe Rragami gjithçka do ta bënin me shokët e tjerë të tyre, të cilët janë të fiksuar në këtë foto të tretë të këtij tregimi tonë. Ishin shkodranët e vetëm, të cilët jo larg, por vetëm dy vjet më parë qenë shpallur Kampionë të Ballkanit me Partizanin e Loro Boriçit legjendar për ne.

Dhe i kthehemi 4 qershorit 1972. Ndodhemi në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në foto është Vllaznia në çastin e fitimit mbas 26 vjetëve të titullit Kampion i Shqipërisë. Lart nga e majta: Rauf ÇANGA, Zyhdi BASHA, trajnerët Xhevdet SHAQIRI e Xhelal JUKA, Hajro LEKAJ, Suat DURAJ, Paulin NDOJA, Ramazan RRAGAMI, Menduh DEDJA. Ulur nga e majta: Nazmi QERAJ, Viktor PLUMBINI, Esat RAKIQI, Çesk NDOJA, Medin ZHEGA, Sabah BIZI, Lekë KOÇOBASHI, Ismet HOXHA.

Kjo mund të jetë e vetmja foto e një skuadre kampione në historinë e futbollit botëror, ku njëri prej futbollistëve kampionë, gjithashtu me diplomën edhe medaljen e kampionit në gjoks, nuk është i veshur me kostumin sportiv, por atë civil.

Është Medin Zhega, i cili ishte në përfundim të shërimit të tij, për të rifilluar mbas pak dhjetëvjetëshin e tij të dytë spektakolar në futbollin e Vllaznisë e të Shqipërisë. Ishte pra Zhega i 6 ndeshjeve të para shpërthyese të tij që dha sinjalin e fuqishëm të Vllaznisë Kampione ’72. Nuk do ta harronin, teksa ai disi kryeulët është i ulur në mes të shokëve, sikur të ishte disi jashtë kësaj skene. Kur nëntë muaj më parë kishte qenë protagonisti i skenës së bujshme shkodrane të Kampionatit 1971-’72.

GËZIMI I SHKODRËS PËRBALLË INDIFERENCËS SË SHQIPËRISË…

Duke qëndruar te viti 1972, te titulli i mbas 26 vjetëve të Vllaznisë, ngjarje që tronditi themelet e Kampionatit të Shqipërisë, teksa e vështroj në një largësi 45-vjeçare, detyrimisht shkoj për te koha që përjetonte Shqipëria. Për fatin e saj tragjik ajo ishte mû në prag të vitit fatal 1973, të famshmit Plenum i 4-t i PPSH, i cili do të izolonte përfundimisht Shqipërinë. Në ditët, muajt e të cilit nëpërkëmbja, hetimet, burgosjet politike do të merrnin një hov të papamë për të mos u ndalë më për gati 20 vjet.

Vllaznia 1972

Dhe me pamëshirën edhe ndaj zhvillimit dhe izolimit të kulturës kombëtare ku bënte pjesë edhe sporti e futbolli. Në Shkodër të dukej se ishte diçka tjetër. Për javë të tana qyteti gëzonte në mënyrën e vet të qetë titullin e Kampionit të Shqipërisë. Ato ditë unë për vete, dhe jo vetëm unë, nuk guxoja të shkoja në Shkodër e të mos bëhesha pjesë e diskutimeve që nuk ndalnin për këtë titull gëzimplotë të një populli zemërgjerë, aq i etur për punë, kulturë, art e sport.

Po aq dhe shprehës i një sfide ndaj një lloj injorimi “sui generis” që prej vitesh Regjimi i bënte Qytetit të lashtë të Veriut. Ndërkaq, siç kam shkruar, ne, ata shumë pak gazetarë sportivë që ishim, si pjesë e redaksive të gazetave, do të përpiqeshim që në këtë ngjarje krejt të bujshme sportive të luanim rolin tonë sa më të mundshëm. Nuk mund të harrojmë se përjetonim një censurë të pamëshirshme.

Ndërkaq, mbi 90 për qind të shkrimeve që unë kam bërë për Kampionatin Kombëtar të vitit 1972, nuk mbajnë firmën time, por ata janë firmosur me “nënshkrimin” “Korresp. i “Bashkimit”! Regjimi ishte armik i madh i protagonizmit të gazetarëve. Protagonizëm autorësh që sot në Shqipëri ka arritur kulmin e “madhështisë” apo të “vetëmadhështisë”, quaje si të duash, asokohe ishte dukuria që luftohej fort. Individi duhej të shkrihej në anonimatin e shoqërisë socialiste.

Nuk mund të harrohet ndërkaq, se viti 1972 do të mbetej për Shqipërinë një vit ndarës që do të paralajmëronte dramën e re të izolimit të një populli të tanë. Kongresi i 6-të i PPSH sapo kishte ngritur në piedestal demagogjinë e idesë së të ashtuquajturit të “zërit të masave popullore”, të “luftës së mëtejshme kundër socialimperializmit sovjetik dhe imperializmit amerikan”. Mbas tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të BFSSH, sporti shqiptar shpërthen me parullën revolucionare “ta bëjmë sportin të masave”, çka në thelb nënkuptonte sa anën e mirë të përhapjes së gjerë të sportit, e po aq dhe ndikimin e fuqishëm politik përmes asaj që emërtohej si “kalitje fizike dhe revolucionare”.

Kinezërimi i Shqipërisë sa vinte e rritej. Ekipe kineze nisin e vijnë njëri mbas tjetrit dhe ndeshjet janë politike deri aty saqë një pjese të shtypit i ndalohej të jepte deri dhe rezultatin teknik të përfundimit. Një kritikë e fortë ra mbi drejtuesit e futbollit ngaqë skuadra Kombëtare e Shqipërisë i kishte lejuar vetes të fitonte 2-1 kundër Kombëtares të të Rinjve të Kinës në ndeshjen e 11 qershorit 1972.

Kësisoj, nuk ishte edhe kaq e lehtë t’i thureshin himne sadopak suksesit të bujshëm të Vllaznisë së Shkodrës. Ndonëse dihej, populli kishte fare pak gëzime. Gëzimi kryesor ndoshta ishte “të shkuarit në stadium”, të cilët mbusheshin me kapacitet të plotë dhe madje përtej. Në këtë mjedis fitorja e titullit kampion prej një skuadre jokryeqytetase as që mund të mendohej. Mû për këtë Vllaznia ’72 është “epokale” për historinë tonë.

Por, me sa dukej, nuk ishte kështu për atë kohë, teksa kujton që për këtë ngjarje nuk është shkruar e trajtuar për çka ajo meritonte. Në të vërtetë as që mund të trajtohej kur e kuptoje se çfarë Shqipërie ishte ajo… Shqipëria 1972 po shkonte pra drejt Plenumit IV të PPSH, rezultati përfundimtar i të cilit do të ishte thellimi i frikësimit të mëtejshëm të një populli të tanë. Nuk mund të them ndërkaq, se qarqet partiake apo qeverisëse kishin fort gëzim për titullin e Vllaznisë.

Shumica e tyre si partizanë të luftës dihej që ishin të “Partizanit”. Politikisht kënaqësi mund të përjetonin sigurisht vetëm njerëzit e pushtetit dhe të Partisë në Rrethin e Shkodrës, çka i bënte që, si të thuash, të fitonin disa pikë në popull. Sidomos tek ai shkodran për të cilin dihej se sa i ndjeshëm ishte për futbollin dhe sportet, përmes të cilëve në mbrendësi të vetvetes ndiente një krenari e “revoltë” të shpirtit qytetar që ia kishin nëpërkambun.

Titulli kampion nuk ishte thjesht çështje sportive apo e futbollit. Them se në këtë logjikë të një ngushtimi, izolimi, të një politike, si dhe të një kundërprotagonizmi të individit, duhet kuptuar mungesa e një entuziazmi publik kombëtar, qoftë edhe në strategjinë e politikës sportive të Regjimit.

Në fund të fundit, kjo ngaqë Vllaznia e Shkodrës kishte mposhtur kryeqytetin ku investimet për sportin e futbollit e të cilit dihej se sa më të tepërta që ishin. Sidomos në të mirë të dy klubeve ushtarakodikasteriale Partizan e Dinamo.

GAZETARËT E TITULLIT KAMPION ’72…

Gazetat që janë marrë me titullin e bujshëm të Vllaznisë 1972, kryesisht ishin “Sporti popullor”, “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” . Ndonëse nuk duhet harruar kontributi i përjavshëm i një Namik Mehmeti – zëri gazetaresk i Vllaznisë që mbërrinte thuajse çdo javë nga mjedisi shkodran.

Po për paradoks, gazeta që e pasqyron më pak titullin e madh shkodran është pikërisht gazeta “Sporti popullor”. Mû ajo që e kishte detyrë parësore profesionale për ta pasqyruar më mirë e më gjerë se askush tjetër! Është një thatësirë e tanë! Kësisoj, duke kaluar në skajin e luftës kundër protagonizmit, thuajse gjatë gjithë Kampionatit 1971-’72, gazeta nuk ka botuar përbërjet (skedat) emërore dhe statistikore të thuajse të të gjitha ndeshjeve!

dizdari vllaznia

Ky është një rast botëror. Vetëm ata që kanë mbajt shënime të rregullta të ndeshjeve të veçanta asokohe, sot mund të të tregojnë diçka të saktë prej ecurisë statistikore të ndeshjeve të këtij kampionati që pa dyshim ka qenë ndër më cilë- sorët për sot e kësaj dite.

Foto e vogël e Vllaznisë kampione në faqen e parë të “Sportit popullor” të 6 qershorit 1972 mezi shihet diku aty në fund. Ka vetëm një titull të varfër: “Vllaznia – kampione”, ndonëse ajo kishte 26 vjet pa qenë e tillë! Ndërkohë që sensacioni tjetër qëndronte në faktin se, për herë të parë mbas një të katërt shekulli, ishte mposhtur futbolli i kryeqytetit.

Ndërkaq, në mbrendësi është një përshkrim i shpejtë i javës dhe një shkrim pa titull i gazetarit të paharrueshëm, përveç të tjerave statisticien dhe radiokronist i shquar, Ymer Striniqi. I është dhënë diçka më shumë se një kolonë e ngushtë vetëm sa për të përshkruar ndeshjen e fundit, atë Studenti – Vllaznia 1-4, një kronikë e shkruar hijshëm prej Stërniqit, por pa “ia lejuar” aspak të shtjellonte se çka ishte dhe çka përfaqësonte suksesi i bujshëm shkodran.

Por, kolegu ynë Ymer Striniqi nuk harron ta mbyllë me fundin lakonik kronologjik kur shkruan: “…Gjithë futbollistët kontribuan në arritjen e fitores. Një meritë e veçantë u takon edhe trajnerëve Xhevdet Shaqiri dhe ndihmësit të tij Xhelal Juka – të dy ish-futbollistë të skuadrës Vllaznia. Fjalën e rastit e mbajti sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Azis Tahiri, i cili i përgëzoi futbollistët për rezultatet e arritura gjatë këtij sezoni.

Pastaj ai i dorëzoi kapitenit të ekipit kampion Ramazan Rragamit, flamurin, një kupë dhe diplomën e skuadrës kampione. Futbollistët u nderuan me diploma dhe medaljet e kampionit”… Të duket si një prehistori, që sa kërkon të përmbajë poetikën apo romantiken e saj, përmban fort prozaizmin e një kronike.

Është vështirë të gjej ndërkohë, se cili qe Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit të atij vit, kur gjithçka mbetet në duart e sekretarit Azis Tahiri (Shqipëria kurrë nuk ia shtonte përcaktimin zyrtar të FIFA-s “i përgjithshëm”) – një nga drejtuesit dhe zyrtarët më të shquar të sporteve dhe të futbollit shqiptar.

Të paktën një vit më parë them se kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit ka qenë i nderuari Qemal Myrseli, funksionar serioz i shtetit, por dhe një mbështetës i mirënjohur i zhvillimit të futbollit. Nga ana tjetër, gazeta “Bashkimi” e 6 qershorit 1972, në një shkrim deri diku të posaçëm, ka meritën e vetme se foton e skuadrës kampione me autor fotoreporterin e saj të përkushtuar Petrit Sheqeri, e boton duke vënë emrat e të gjithë lojtarëve shkodranë. Ishte hera e parë, absolutisht hera e parë në historinë e gazetarisë shqiptare, që në një të përditshme botohej foto e skuadrës kampione të futbollit, duke i vënë pranë emrat e kampionëve.

Edhe pse ishim në sport, edhe pse ishte fjala për Kampionen e vendit, kjo konsiderohej përveç të tjerave, edhe një vlerësim i madh politik. Sot kjo natyrisht, duket absurde, por kështu ka qenë. Kisha treguar një vëmendje të madhe të qëllimshme për saktësinë e informacionit të kësaj fotoje historike.

Nga ana tjetër, sot shkrimi im i atëhershëm të duket si redaksional, teksa nuk përmban as firmën e autorit dhe as “nënshkrimin” e zakonshëm “Korresp. i “Bashkimit”! Them se ka meritën që, përveç fotos së ekipit, ai shoqërohet edhe me një foto tërheqëse që paraqet autorin e golit të barazimit në ndeshjen e fundit me Studentin, Çesk Ndojën, teksa nxiton të nxjerrë topin nga rrjeta e vendasve për t’u shënuar tre të tjerët e titullit kampion. Në tanësi shkrimi është kompozuar përmes përcaktimeve për Kampionatin, duke portretizuar në mënyrë lakonike të gjitha skuadrat.

Dhe asnjë përcaktim apo epitet të veçantë për asnjë lojtar shkodran. Përsëris edhe këtu një pasazh: “… 14 korrik 1946. Në fushën sportive të qytetit të Shkodrës, Vllaznia mund 3-0 Flamurtarin e Vlorës në takimin e dytë final, dhe për herë të dytë shpallet Kampione e Shqipërisë.

Fitoren e kampionëve e vulos goli i fundit i Shaqirit në minutën e 50-të. Sa vjet kanë kaluar që ahere? Plot 26! Dhe për gjithë këto vite futbolli me tradita i Shkodrës, nuk mundi të ngjitej në apogjeun e kampionateve kombëtare.

Thuajse për një dekadë të tërë Vllaznia notoi në ‘ujëra të turbullta’, por më në fund ajo ndjeu kënaqësinë e fitores së madhe, fitimin e titullit të lartë të kampionit kombëtar. Përtëritje e bukur e traditës kjo, që gëzon simpatizantët e zjarrtë të Vllaznisë, dhe gjithë masat sportdashëse të vendit.

Kështu do të gëzohemi edhe nesër në qoftë se në këtë lartësi ngjiten edhe klube të tjera të vendit tonë Besa, Labinoti, Skënderbeu, Flamurtari, Lokomotiva”… Ky ndoshta ishte mendimi i vetëm që dilte disi jashtë kornizës së një kohe: ai që i kërkonte kampione skuadrat e qyteteve të jashtë Tiranës. Kjo dëshirë apo parashikim të cilën e kam për nder si i vetmi që e parashtrova në shtyp, u bë realitet vetëm mbas rënies së Regjimit kur u bënë Kampione të Shqipërisë edhe Flamurtari e Teuta (Lokomotiva), kur u ribë edhe Skënderbeu, kur përsëriti Labinoti i Elbasanit.

Kur sapo u bë edhe KF Kukësi. Ndërkaq, një hapësirë edhe më të gjerë i ka kushtuar titullit të Vllaznisë gazeta “Zëri i Rinisë” në numrin e saj të 7 qershorit 1972, ku kolegu ynë i mirënjohur Nexhat Gjuzi shkruante: “… Ekipi i Vllaznisë vulosi përfundimisht aktin e përfundimit të kampionatit, duke merituar me të drejtë titullin e lartë të kampiones së vendit për vitin 1971-1972, duke kurorëzuar me sukses punën e madhe dhe përpjekjet e futbollistëve, si dhe të trajnerëve të saj Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka.

Fitimi i titullit kampion është pa dyshim një meritë e madhe për tërë lëvizjen futbollistike të qytetit të Shkodrës, qytet me tradita të mëdha në futboll”… Ndërsa, vulën e gjykimit, si të thuash “gjeopolitik”, titullit të skuadrës së Shkodrës pritej t’ia jepte gazeta e Partisë, “Zëri i popullit”, gjithnjë nën pendën e të mirënjohurit të saj të sa e sa viteve, të përkujtueshmit Petrit Çani.

Gjithnjë i matur e objektiv në ato çka përsiatte për natyrën e kësaj gazete kryesore të Shqipërisë, nën titullin “Vllaznia e Shkodrës – kampione kombëtare”, ai shkruan: “… Fitorja e titullit të nderit nga Vllaznia është plotësisht e merituar. Ajo erdhi si rezultat i një mobilizimi të të gjithë kolektivit dhe i punës së kujdesshme të trajnerit të skuadrës, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Xhevdet Shaqiri, dhe ndihmësit të tij Xhelal Juka.

Në përgjithësi, skuadra përbëhet nga lojtarë të rinj, djem të dashuruar tepër pas futbollit dhe që kanë bërë e bëjnë përpjekje për të ngritur vazhdimisht mjeshtërinë e tyre sportive. Është dalluar veçanërisht vija e sulmit, e cila duke pasur një dirigjent të zotin, siç është Sabah Bizi, ka dalë shpesh fituese ndaj mbrojtësve të skuadrave kundërshtare.

Gjysmëmbrojtësit dhe mbrojtësit kanë luajtur gjithashtu me pjekuri taktike e me nivel të kënaqshëm teknik, por një kontribut jo më pak të rëndësishëm, ka dhënë portieri P.Ndoja, i cili me shkathtësinë e mprehtësinë e tij ka mbrojtur me dinjitet disa herë me radhë portën.

Nuk ka dyshim se një meritë të madhe për arritjen e këtij suksesi ka dhe publiku sportdashës shkodran, i cili me inkurajimet e tij të flakta, por të matura, ka rritur në një shkallë akoma më të lartë mobilizimin dhe entuziazmin e lojtarëve për të përfaqësuar denjësisht ngjyrat e qytetit të tyre plot tradita”…

Them se është një kuintesencë që qëndron edhe për sot, pavarësisht stilit të kohës. Çani ka meritën se për kampionen shkruan më gjatë se ndonjë gazetë tjetër. Ai ngre lart vlerën e publikut (diçka tepër e rrallë ky përcaktim në shtypin e asokohe). Dhe se është i vetmi që portretizon meritën e madhe të Sabah Bizit, po dhe të portierit Paulin Ndoja – dy pika kulmore të forcës shkodrane.

E, midis këtyre shkrimeve, më mbërrin befasia, kur një emër i shquar i gazetarisë dhe sidomos i letërsisë për fëmijë, shkrimtari Bekim Gaçe, kryeredaktor i një prej revistave më të lexuara në vend, “Pionierit”, më ftonte të shkruaja për titullin e Vllaznisë, histori të cilën e kam treguar kohë më parë këtu.

Tjetër temë jehona radiotelevizive, sidomos e komentit dhe kronikave të paharrueshme të një Ismet Bellove, pasuar nga emisionet e më të riut me emrin Ahmet Shqarri që shpejt do të bënte histori; e po aq dhe të rubrikave të ekranit të vogël të një Skifter Këlliçi novator në stilin e tij tejet televiziv, gjithashtu pasuar nga më i riu me emrin Vladimir Grillo, i cili do të merrte stafetën për një rrugë të gjatë…

Në tërësi, gazetarët sportivë të gjithë së bashku thuajse numëroheshin vetëm me gishtat e njërës dorë. Kësisoj edhe për ta sapo fillonte një histori e re për gazetarinë sportive shqiptare, datuar po 45 vjet më parë. Nuk duhet harruar!…

VLLAZNIA ’72 – NJË EPILOG TRISHTUES?…

Kanë kaluar kështu 45 vjet nga titulli i Vllaznisë – Kampione e Shqipërisë mbas 26 vjetëve. Ajo është një ngjarje që duket sikur i përket vetëm Shkodrës. Kurrsesi! Qysh nga ajo ditë e 4 qershorit 1972, jeta e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë nuk do të ishte po ajo. Vllaznia hap një faqe të re: “luftën” e skuadrave të ashtuquajtura të rretheve kundër kryeqytetit.

Është fjala për luftën e bukur sportive të një futbolli që kërkonte të rritej edhe përtej tribunave asokohe “madhështore”, siç emërtoheshin ato të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Tribuna të atij stadiumi kombëtar, të cilën mendjet e sotme të ngushta johistorike, e me sa duket, edhe të një egërsie të ekonomisë së tregut, jo aq sportivë sa ç’kërkojnë të hiqen, po më shumë të interesave për të cilat dikur Shqipëria do t’i dënojë, i shuan mbrenda pak ditëve.

Mbeten vetëm në kujtimet e një historie të jashtëzakonshme. E ndërsa KF Kukësi i sotëm është kampione e ekonomisë së tregut, Vllaznia e Shkodrës 1972 është në histori kampionia e shpirtit të madh sportiv, e një pasioni të pastër, genuin, e një zhvillimi talentesh të mëdhenj të futbollit, edhe pse të vogël shqiptar.

Dhe kurrsesi vetëm e treshes unike Ramazan Rragami-Medin Zhega-Sabah Bizi, por edhe e djemve të tjerë rreth tyre: Paulin Ndoja e Hajro Lekaj, Millan Vaso e Menduh Dedja, Suat Duraj e Ismet Hoxha, Lekë Koçobashi e Çesk Ndoja, Rauf Çanga e Esat Rakiqi, Selami Dani e Zyhdi Basha, Viktor Plumbini e Nazmi Qeraj – të cilët u përpoqa t’i radhis simbas roleve, nga mbrojtja, mesfusha e sulmi.

E gjitha vepër e dyshes së paharrueshme të trajnerëve Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka. Kjo është Vllaznia 1972. Skuadra që, pak vite më vonë, do t’i falte fushës së blertë të saj edhe dëshmorin Suat Duraj – kampioni i shquar shkodran, i shuar pikërisht në fushën e blertë teksa stërvitej plot pasion.

Nuk di a do të kujtohet e nderohet diku ky 45-vjetor i një historie të pashlyeshme sportive qytetare të Shqipërisë. Po, në fund të fundit, ndoshta kjo ka pak rëndësi. Dhe më fort se kjo, rendësi do të kishte ndikimi i saj për t’i risjellë Shqipërisë Kampionatin e saj Kombëtar, atë, sa më të vërtetin.

Mbi të gjitha duke mënjanuar tejet, qoftë dhe një situatë të sotme të rënies apo braktisjes së pa shembull të skuadrave tona tradicionale qytetare. Duke larguar sa më parë një hije “të qetë” trishtimi që rrethon sot garën më të dashur të shqiptarëve që është Kampionati Kombëtar i Futbollit “Vllaznia 1972” është një kujtesë e fuqishme për ndryshimin e madh.

Fund

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"