“VLLAZNIA 1972”, titulli tronditës që ndërroi historinë…(Pjesa e dytë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2017 | 20:28

“VLLAZNIA 1972”, titulli tronditës që ndërroi historinë…(Pjesa e dytë)

BESNIK DIZDARI

(Vijon nga numri i djeshëm i “Panorama Sport”)

Kur historia vazhdon me një foto tjetër…

dizdari vllaznia

 

Është kjo. Është po Vllaznia 1971- ’72. Foto i përket 23 prillit 1972, vetëm dy muaj para se të përfundonte kampionati. Dhe qysh Besnik-Dizdaringa ky çast është ndoshta një Vllazni e papërmbajtshme. Skena e ngjarjeve të mëdha të futbollit shqiptar tash përfundimisht ishte bartë te stadiumi “Vojo Kushi” i Shkodrës. Një prej dekoreve të saj më të fundit ishte dhe kjo foto e rrallë. Është Vllaznia që rrëmben Kupën e Shqipërisë ndaj Besës së Kavajës duke fituar 2-0 mbasi kishte humbur në Kavajë po 2-0.

Është ndeshja 120-minutëshe që të çon te pesë 11-metërshat e Ramazan Rragamit, madje 7, kur kujton dy të brenda lojës, si dhe hipnotizimi historik që krijon Paulin Ndoja mbas gjuajtjeve të Nimet Merhorit. Ishin ditët fitimtare të Shkodrës, skuadra e së cilës përmes dy ndeshjeve të 9 dhe 23 prillit 1972, mbas plot shtatë vjetëve, ishte ribërë fituese e Kupës së Shqipërisë. Gjithçka ishte dramatike. 2-0 humbje në Kavajë, 2-0 fitore në Shkodër falë realizimit të dy 11-metërshave të Ramazan Rragamit. 120 minuta lojë dhe drama e 11- metërshave të jashtë lojës.

Pesë herë të tjera shënon nga pika e bardhë Ramazan Rragami. Tri herë, Nimet Merhori. Shtatë 11- metërsha të realizuar të kapitenit të madh në një ndeshje të vetme. Rekord botëror. Pranë firmës së tij vendoset ajo e elegantit Paulin Ndoja – pa dyshim portieri më i mirë i kohës – i cili i prêt një 11-metërsh përcaktues Merhorit, pinjollit të pestë a të gjashtë të Merhorëve të pashlyeshëm të Kavajës futbollistike, e cila në vite ishte njëjësuar me bijtë e këtij fisi nobël. Është luajtur e pakta 70 minuta lojë në portën e Besës.

E kush mund t’i maste topat e përpunuar prej Sabah Bizit atë ditë të asokohe kur kjo në Shqipëri nuk matej? Ndonëse në thelb, atë ditë nuk kishte më nevojë për mesfushë e as për mesfushor. Kishte nevojë vetëm për sulmues. Dhe triumf i Vllaznisë. Kupa është e saj. Gjyqtari i paharrueshëm Ramiz Pregja, merrte me vete nderimin e gjithë mjedisit sportiv të Shqipërisë, kishte gjykuar plot kompetencë e guxim ndoshta ndeshjen e tij më historike.

“Sporti popullor” i jep notën më të lartë gjykimit të tij. Dy ishin emrat e mëdhenj të gjyqtarëve shqiptarë që mund të merrnin përsipër gjykime ndeshjesh të tilla vendimtare: Ramiz Pregja e Shazivar Gruda. Nuk mund të harrohen kurrë. Shqipëria e futbollit kishte mbajt frymën, ndërsa shtypi shqiptar tejet i mpakun, boton këtë foto në format tejet të vogël e gati të padukshme të Vllaznisë – fituese e Kupës së Shqipërisë 1971-’72, mbas plot 7 vjetëve.

Autori i fotos historike është fotoreporteri i gazetës “Zëri i Rinisë”, i sprovuari Hysen Gostivari, i cili, ndoshta me motoçikletën e tij legjendare, kishte marrë rrugën e Shkodrës për të fiksuar historinë. Në foto lart nga e majta janë: Hajro Lekaj, Zyhdi Basha, trajneri Xhevdet Shaqiri, Suat Duraj, Ramazan Rragami, Mendu Dedja. Ulur nga e majta: Esat Rakiqi, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Çesk Ndoja, Ismet Hoxha, Rauf Çanga. Saktësisht.

Them saktësisht, edhe në mënyrë që, kur ta rrëmbejnë kopjuesit, të mos gabojnë dhe të mos harrojnë të vënë emrin e autorit Hysen Gostivari. Tash do të kthehem pak mbrapa për te kampionati. Do të kthehem te 26 dhjetori 1971, ditë kur shfaqet një Vllazni e papërmbajtshme. Është Vllaznia-Besa 3-0! Mandej Flamurtari-Vllaznia 0-2! Mandej Vllaznia- Studenti 2-0! Mandej Vllaznia-Tomori 5-0! Një ndalesë e vogël në Dinamo-Vllaznia 1-1 e mandej Vllaznia-Shkëndija 4-2! Prapë një ndalesë e vogël në Durrës te LokomotivaVllaznia 0-0 e mandej pa ia dâ VllazniaLabinoti 2-0, Vllaznia-Luftëtari 3-0! Që do të thoshte 9 ndeshje, 7 fitore dhe vetëm 2 barazime.

Pak ishte për të thënë, e bujshme! Për herë të parë mbas 26 vjetëve, titulli kampion i Shqipërisë mund të “rrezikonte” të dilte nga kryeqyteti. Kjo kthesë e një buje, tash po i bënte të gjithë të mendonin se skuadra shkodrane po shndërrohej plot forcë në duelante e titullit. Ndonëse në krye qëndronte ende një skuadër e vetme: 17 Nëntori i Tiranës, legjendarja për ne e viteve ’60, e cila pa e kuptuar assesi se, duke filluar nga kampionati i ardhshëm, do t’i niste kriza e frikshme që do t’i zgjaste nja bukur dhjetë vjet. Të dukej pra, se ajo po kërkonte një titull përmbyllës!

Për fat, i ndodh e papritura e madhe… Kështu, ndërsa Vllaznia fitonte pa ia dâ, 17 Nëntorin e lëkundin tejet tri barazime “vrasës”: 2-2 me Dinamon, 0-0 me Shkëndijën, 1-1 në Durrës, ku një “vllaznias” elegant, shok i Sabah Bizit e të tjerëve, me emrin Halil Puka, ia arrin të nxisë një Lokomotivë të tanë për t’i shërbyer skuadrës së Shkodrës. Kur mbërrijmë te Java 19, ndryshimi midis kryeqytetasve dhe shkodranëve ishte vetëm 1 pikë, teksa po shihej se Partizani e Dinamo po mbeteshin disi jashtë garës synuese.

Ndonëse ndryshimi nuk ishte fort i madh, teksa nuk duhej harruar se ende ishte skema e 2 pikëve për fitoren dhe 1 për barazimin. Katërshja e 26 marsit 1972 renditej në këtë pamje: 17 Nëntori 30 pikë, Vllaznia 29, Partizani 27 dhe Dinamo 26. Dueli është i qartë, arrogant madje, i pamëshirshëm: tre kryeqytetas të lavdishëm, dy prej të cilëve 17 Nëntori/ SK Tirana e Dinamo sot janë në Kategorinë e Dytë (mjerë Shqipëria e kampionatit të sotëm!) kundër një Vllaznie të vetme! Drama përmbysëse do të shfaqej shtatë ditë më vonë, 2 prill 1971, kur dy ndeshje vendimtare do të nxirrnin në krye për të mos zbritur më skuadrën shkodrane. Protagoniste bëhen dy skuadra, të cilat nuk kishin punë assesi në rrugëtimin për te titulli, Labinoti i Elbasanit i vendit të 7- të dhe Traktori i Lushnjës i vendit të 11-të.

Kërkonin të sfidonin. Ka qenë tejet më i ndershëm se sa sot futbolli i asokohe. Nuk kishte hyrë ende në fuqi paraja… “17 Nëntori e humbi titullin prej skuadrës së Elbasanit”. Kështu u tha atë pragpranverë. Është 2 prill 1972 dhe brenda në Tiranë 17 Nëntori-Labinoti 0-1! E vërteta është se kishim të bënim me një Labinot tërheqës e të fortë. Jorgaqi, Ibërshimi, Duçka… Goli është i këtij të fundit qysh në minutën e 8-të dhe 17 Nëntorit nuk i mjaftojnë 82 minuta të tana për të mposhtë mbrojtjen e Elbasanit të drejtuar prej një Frederik Jorgaqi stoik.

E ndërsa Labinoti triumfon në Tiranë, në Shkodër për pak sa nuk ndodh një dramë tjetër. Traktori kryeson 1-0, barazon Sabah Bizi, teksa kthehet me shpejtë- si duke nxitur shokët për vazhdimësi kë- sisoj. Mirëpo, Traktori është “traktor” dhe shkon në 2-1! Për fat, barazon Çesk Ndoja 2-2 dhe stadiumi “Vojo Kushi”, megjithatë, ende sikur hesht. Duhej të vinte minuta e 77-të dhe i paharrueshmi Esat Rakiqi i përvojës së madhe, siglon 3-2.

Do të bëhej një nga trajnerët më të mëdhenj të futbollit të Shkodrës falë inteligjencës së tij, falë shpirtit të madh futbollistik të një nobiliteti të rrallë. Ky ndoshta qe goli më i rëndë- sishëm i vetë titullit kampion. Ndërkaq, ditët shkatërruese për tre të mëdhenjtë e kryeqytetit nuk ndalnin. Më 1 prill brenda në Tiranë ndodh Partizani – Luftëtari 0-1, gol i të riut “të panjohur” Sefedin Braho. Por ka dhe më: në Vlorë, Flamurtari mposht Dinamon 2-1!

Të dukej si një kryengritje e skuadrave të qyteteve kundër kryeqytetit. Si një lloj pakti për ta hequr titullin e kampionit të Shqipërisë nga Tirana mbas plot 26 vjetëve. Kjo ishte Java 20 e Kampionatit. 2 prill 1972, ditë kur Vllaznia ngjitet në krye të renditjes për herë të parë. Madje çasti është përtej historisë, sepse ishte hera e parë që, mbas bukur 26 vjetëve, Vllaznia kryesonte një kampionat të Shqipërisë pak para mbarimit të tij.

Tash, si të thuash, mbas çelësit të violinës, “kompozicioni” i pentagramit të melodisë së titullit shfaqej në këtë pamje: Vllaznia 31 pikë, 17 Nëntori 30, Partizani 27, Dinamo 26! Një kampionat tejet i rrallë! Ndër më të bukurit!…

Dueli spektakolar Vllaznia-17 Nëntori

Ky ka qenë pra: Vllaznia-17 Nëntori. Ose Vllaznia-SK Tirana. Dy bukurina – krenari të rralla të futbollit shqiptar, ato të cilat sot më 2017, ndërsa e para shpë- ton, e dyta simbas FSHF-së së pamëshirshme e kampionatit me vetëm 10 skuadra, që nuk po ndal me dëmet e tij të mëdha për futbollin kombëtar, do ta çojë në kategorinë e Dytë.

Është një kohë kur buçet pa ndalë servilizmi ndaj saj që thotë tash e parë se ky i vitit 2017, qenka kampionati më i bukur në historinë e mbas ’90-tës, kur “të bukurit” tjetër, atij 2016, kërkojnë t’ia heqin titullin e kampionit. Merret me mend që kësisoj mendimesh të çartuna sot mbërrijnë edhe ngase shpesh nuk funksionin shefi i redaksisë në TV, çka i çon pseudogazetarët në shpërdorimin fatal të lirisë. Ndërkaq, dueli Shkodër – Kryeqytet ishte krejt i qartë.

Të dukej se qysh nga kjo ditë, kampionati nuk do të kishte më ngjarje. Mbërrin Java 21 dhe goli i Sabah Bizit, megjithatë, nuk e shpëton Vllazninë nga barazimi 1-1 brenda në Shkodër me Partizanin. E shpëton nga humbja, gjithsesi. Barazon Vladimir Balluku.

Për herë të dytë brenda pak ditëve, dy gola vendimtarë të Sabah Bizit betonojnë mëtimet e Vllaznisë për të mbërritur te titulli. Kujtoj golin e tij të ndeshjes me Traktorin dhe mbaj në mend këtë të barazimit me Partizanin, humbja me të cilin do të kishte tronditur deri aty sa s’ka ku shkonte më. E, 17 Nëntori që kthehet te fitorja, kësaj radhe 1-0 në Gjirokastër me gol të një njohësi të imtë të fushës gjirokastrite: “ishluftëtarasi” që quhej Ramadan Shehu.

Dhe Vllaznia e 17 Nëntori nga 32 pikë secila. Kur në Tiranë mbërrin “finalja” e kampionatit, ajo 17 Nëntori-Vllaznia, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” mund të kishte mbi 20.000 shikues. Të dukej se në Tiranë kishte ardhur e gjithë Shkodra. Në rrugët e kryeqytetit sikur kishte veç shkodranë.

Madje, edhe prej atyre që i përshkonin 120 kilometrat me biçikletë! “Bar Sahati” edhe ai sot i rrënuar, gumëzhinte… Skuadra shkodrane e kuptonte se titulli kampion i kishte mbërritur te dera e shtëpisë dhe detyrimisht nga stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” duhej dalë pa humbje. Kryesonte “a pari merito” (nga 32 pikë secila) me 17 Nëntorin për hir të prekjeve më të pakta të rrjetës së portës së saj falë dhe artit të Paulin Ndojës.

Deri atë ditë vetëm 13 gola të pësuar në plot 22 javë. Ishin ditë krejt të çuditshme, kur befas, mbrojtësi shkodran Zyhdi Basha do të mahnisë Shqipërinë e futbollit duke deklaruar para kohe në TV se “Vllaznia do të fitojë edhe Kupën, edhe Kampionatin”. Ishte viti i madh i Vllaznisë dhe më 7 maj 1972 në Tiranë 17 Nëntori-Vllaznia fikson rezultatin e ashtuquajtur të bardhë 0-0, që për Shkodrën kishte vlerë vezulluese.

Ashtu si në ndeshjen e parë në stadiumin “Vojo Kushi” ishte një 0-0, të cilit i munguan vetëm golat, sepse të gjitha të tjerat i kishte. Nivel i lartë, sulme të pandërprera të dyanshme, epërsi të lehtë të kryeqytetasve, por një Vllazni më kompakte se kurrë. I shkëlqyeshëm portieri Ndoja, i pakalueshëm Ramazan Rragami më tepër në mbrojtje se në sulm, rregullator i plotë dhe i pashkëputshëm në shoqërinë absolute me topin Sabah Bizi. Dhe 0-0 “për” Vllazninë mbas një gjykimi të shkëlqyeshëm të Shazivar Grudës, të cilin kur e pyesin për më të mirët e fillon me emrin e Bizit…

Titulli ishte bërë edhe më i afërt kur kujtoje se 4 ndeshjet e mbetura ishin tejet më të lehta për shkodranët. Aq më tepër, se me këtë 0-0, Vllaznia mbyllte duelet me skuadrat e fuqishme të Tiranës. Plot 6 ndeshje, me të cilat, për çudinë e madhe, ajo nuk kishte fituar asnjë! Madje, të vetmen humbje të pësuar e kishte me një kryeqytetas të mirënjohur, Partizani, që ishte i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (MMP) – rezident në Tiranë.

Bilanci është gati fatal: Vllaznia – Partizani 1-1 e 1-2, Vllaznia-Dinamo 1-1 e 1-1, Vllaznia-17 Nëntori 0-0 e 0-0. Vllaznia po ia rrëmbente titullin kryeqytetit pa e mundur asnjëherë! Dukej si ironi e fatit. Ajo kishte ditur të mos iu lëshonte pê të tjerëve dhe të barazonte me kryeqytetasit, sidomos kur barazimi kishte thuajse vlerën e fitores. Koha punonte për Vllazninë… Vllaznia – Kampione e Shqipërisë! Do të jetë shtatë ditë më vonë, kur baraspesha e 33 pikëve për secilën prishet. Partizani fiton 2-1 me 17 Nëntorin, edhe pse tiranasit kryesojnë 1-0 (Dibra).

Çudia më e madhe ishte se gjithçka përcaktoi ndërrimi i Panajot Panos në pjesën e dytë me Leskajn. Dhe 2-1 për kampionët ende në fuqi duke shënuar Uran Xhafa e Dhori Kalluci që vinin nga skuadra qytetesh. Ky ka qenë ndërrimi më enigmatik në historinë madhështore të Panajot Panos. U pëshpërit se si një i dikurshëm i 17 Nëntorit “të tij”, emocionet mund ta tradhtonin Panajotin, duke ia ngatërruar mendimet dhe lojën e duke mos i shërbyer fort fitores së mundshme të Partizanit.

Them se nuk ka qenë kështu megjithatë, pavarësisht se mbas ndërrimit të tij, Partizani nuk lëshoi assesi pê. Dhe Partizani-17 Nëntori 2-1, Vllaznia + 2 pikë dhe Shkodra që shpërthen… Tash kryesuesja më e vendosur se kurrë, prêt Skënderbeun dhe 3-2. Që kishte mbërritur në një ditë krejt të veçantë.

Ishte Java 23, për fat, e mbushur me plot nostalgji. Vllaznia-Skënderbeu 3-2 është ceremoniali i lamtumirës prej fushës së blertë e dy të mëdhenjve të Vllaznisë, mbrojtësit të pakalueshëm Frederik Çapaliku – shpirt i papërkulshëm futbolli dhe sulmuesit ndër më të mëdhenjtë e Kampionateve të Shqipërisë, Selami Dani. Prej këtu Vllaznia shkon në Kavajë dhe 0-0, pret Flamurtarin dhe 2-0!

Para javës së fundit kemi Vllaznia 38 pikë, 17 Nëntori 37. Kaq mjaftonte për titullin kur dihej se ndeshja e fundit ishte Studenti-Vllaznia. Nuk besohej prej askujt Studenti, i fundit në renditje me vetëm 1 fitore në 25 javë kampionat, mund të bënte diçka. Në një kohë që në këtë javë të fundit ishte Besa-17 Nëntori. Përkimi do të ishte vërtet fatal. Fiton Besa 4-1 (Pagria, Qerolli, Bishtaja, Pagria, Shehu) – “fair play” shembullor i skuadrës kavajase, edhe pse Vllaznia sapo i kishte rrëmbyer Kupën e Shqipërisë.

Dhe po 4-1 Vllaznia në Tiranë ndaj Studentit, edhe pse ky kryeson 1-0 qysh në të 6-tën. Kjo ka qenë ndeshje e madhe e Çesk Ndojës së papërmbajtshëm. 1-1 që qetëson mijëra zemra është falë golit të tij. Asnjëherë një gol nuk kishte qetësuar zemra sa ky. Mandej 2-1 është falë Bizit. Mandej 3-1 prej Ismet Hoxhës – një tjetër margaritar i sulmit modern të shkodranëve – i cili gjithashtu do të mbërrijë deri në Kombëtare. Mund të thuhej pa mëdyshje se prania e I.Hoxhës vetvetiu e kishte ruajtur forcën e treshes së mirënjohur.

Dhe me vetëm një ndryshim: nga Rragami-Bizi-Zhega, ajo ishte shndërruar në Rragami-Bizi-I.Hoxha. Mbas pak është 4-1 falë Viktor Plumbinit të pafjalë, por të rrufeshëm thuajse po aq sa stili trimëror i një Lekë Koçobashi. Ishte një epërsi përmbysëse e një kampioneje të vërtetë. Dhe veçojmë: në katër prej ndeshjeve fitimtare të fundit ka shënuar Bizi gola vendimtarë për rezultatin. Gola kthese. Gola fitoresh. Gola kampionësh.

Renditja 1971-1972

Ky ishte Sabah Bizi. Pa harruar ndërkaq se, falë topave të tij, kanë shënuar Rragami, Ndoja dhe Ismet Hoxha jorrallë i papërmbajtshëm, teksa do të mbetej kryeshënuesi i kampionëve të rinj me 8 gola, po aq sa dhe i paoksidueshmi Esat Rakiqi… Mbas 26 vjetëve, Vllaznia e Shkodrës 1972 ishte bërë kampione e Shqipërisë me vetëm 1 humbje! Krejt e rrallë kjo për historinë e kampionatit të Shqipërisë!…

(Vijon në numrin e nesërm)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"