“Vllazni, mos e lësho Hygorin!”, ish-kapiteni Beqiri tregon arsyet e luhatjeve: Tirana i dha zemër, por duhet një…

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 18:47

Kategoria Superiore Të fundit Vllaznia

“Vllazni, mos e lësho Hygorin!”, ish-kapiteni Beqiri tregon arsyet e luhatjeve: Tirana i dha zemër, por duhet një…

Elvin Beqiri, ishkapiteni i Vllaznisë dhe ish-lojtari i Kombëtares, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” vlerëson pikën e marrë në takimin e fundit ndaj Tiranës nga ekipi shkodran. 

elvin beqiri

Në anën tjetër, ai është ende skeptik për sa i përket pozicionimit të skuadrës në fund të sezonit. Ai ka vlerësuar punën që po bëhet te Vllaznia, ndërsa vijon që të ketë mendimin se kësaj skuadre i duhet një sulmues race.

Beqiri, kemi shikuar një Vllazni me luhatje në këto javë. Pse po ndodh kjo? 

Nuk shikoj vetëm Vllazninë, por edhe skuadrat e tjera që janë me oshilacione. Dy humbjet e fundit me Laçin dhe Bylisin duket se kanë sjellë luhatje në lojë te Vllaznia, gjë e cila u pasqyrua edhe në rezultat. Për pjesën tjetër, mendoj se Vllaznia ka bërë mirë punën e saj. Të gjitha ekipet po shfaqin probleme të tilla. Prandaj, me përjashtim të dy skuadrave të fundit, pjesa tjetër janë ngjeshur me njëra-tjetrën, përfshi këtu edhe Vllazninë.

Mendoni se barazimi që mori në Tiranë do të sjellë sërish besim dhe optimizëm te Vllaznia? 

Mund të them se ishte një pikë me shumë vlerë, pasi ai barazim vlen më shumë për të rritur moralisht ekipin në këto momente. Pas dy humbjeve, një e tretë do të ishte një shok më shumë. Mendoj se kjo pikë me Tiranën mund të kthejë Vllazninë e javëve të para.

vllaznia arbitri ziri

Çfarë ndikon te kjo skuadër? 

Mungesat, pa diskutim, kanë ndikimin e tyre. Kur kemi një skuadër të kompletuar, siç ishte në Tiranë, kjo skuadër tregon se ka forcë për t’u përballur me çdo kundërshtar. Kur ka mungesa, atëherë ekipi shfaq më shumë probleme. E shikuam në takimin ndaj Tiranës sa rëndësi ka një lojtar si Hygor, i cili tregoi se është një vlerë e shtuar për këtë klub, që me paraqitjen tij ndryshoi shumë në lojën e ekipit. Unë shpresoj që ai lojtar të shkojë dhe të vijë shpejt nga Brazili, pasi nëse ai mungon, atëherë Vllaznia do ta ndiejë shumë një mungesë të tillë.

E shikoni të domosdoshëm afrimin e një sulmuesi në merkaton e dimrit?

Një sulmues do të ishte i nevojshëm edhe nëse Uenderson, që luajti ndaj Tiranës, do të vijë në formën e tij më optimale. Një pikë referimi në sulm, e kemi thënë edhe herë të tjera, i mungon Vllaznisë. Braziliani Uenderson u duk më ndryshe në takimin e fundit me Tiranën. Ai mund të vijë në formën e duhur deri në janar, por sërish është shumë pak për të përballuar një sezon me një sulmues, e aq më tepër që ende Vllaznia s’e ka një të tillë.

Pas 12 javëve shkodranët renditen të tetët, pozicion që të dërgon në “play-out”. Realisht, Vllaznia a ndihet e rrezikuar deri në fund të sezonit?

Nuk mund të thuash sot asgjë në këtë drejtim. Janë luajtur vetëm 12 javë, janë edhe shumë të tjera dhe me këtë ngjeshje të ekipeve asgjë nuk dihet. Një jave je në fund dhe një javë në krye. Për momentin asnjë skuadër nuk mund ta thotë edhe vetë se ku mund të gjendet. Nëse Vllaznia zhvillon lojëra si ajo ndaj Tiranës apo siç tregoi në javët e para, atëherë mund të them se pozicioni i saj në fund të sezonit nuk mund të jetë ky i sotmi. Por, e thashë asgjë nuk mund të parashikohet.

ADMIR URUÇI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com