“Vllazni më vjen keq, por dua të ngjis Besëlidhjen”, shkodrani Hajdari: Fajin e kanë vetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2020 | 21:24

“Vllazni më vjen keq, por dua të ngjis Besëlidhjen”, shkodrani Hajdari: Fajin e kanë vetë

Besëlidhja mposhti Pogradecin në frymën e fundit dhe zyrtarisht ka ende shanse për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Që t’ia dalë, tashmë duhet të kalojë edhe pengesën me emrin “Vllaznia”. Këtë të diel do të udhëtojnë drejt Shkodrës, për të matur forcat me skuadrën vendëse. Për lezhjanët është një ndeshje speciale kjo dhe jo vetëm se kanë mundësinë që të kthehen në mesin e më të mirëve pas 12 vitesh. Që prej themelimit kjo skuadër në bazë ka pasur gjithnjë shkodranë, ndaj as këtë sezon nuk mund të ndodhte ndryshe.Beselidhja goli

Drejtohen nga Elvis Plori, por kanë në organikë edhe emra si Kledi Dibra, Samet Hepaj, Elvis Rustemaj, Samet Ruqi dhe Arsen Hajdari. Ky i fundit është krenar për të shkuarën si kuqeblu, e megjithatë në fund nuk e mohon dëshirën për ta çuar Besëlidhjen në mesin e më të mirëve. Sulmuesi me përvojë në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” beson se presioni është mbi kundërshtarin dhe përtej keqardhjes, hapur e thotë që do të bëjë vetëm detyrën edhe nëse do të jetë ekipi i tij që do të festojë në finalen e 2 gushtit.

Pasi kaluat Pogradecin, tashmë ngjitjen do ta diskutoni me Vllazninë. Si ndihet Arseni për përballjen me të shkuarën?

Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar dhe jam krenar që kam dalë nga kjo akademi. Më vjen keq që për të dytën herë, ata rrezikojnë që të bien nga kategoria. Dhe ka ardhur nga keqmenaxhimi, pasi produkti cilësor kurrë nuk i ka munguar Shkodrës.

E bëtë shumë të vështirë fitoren me liqenorët, ia dolët vetëm në frymën e fundit…

Fakti që e mposhtëm në shtesë, tregon se Besëlidhja është e përgatitur dhe e menaxhon lojën deri në vërshëllimën e fundit. Kjo më jep optimizëm. Finale të tilla i kanë 50 me 50 shanset e kualifikimit, pra rezultati varet nga menaxhimi i gabimeve dhe gabimet ishin ato që e zgjatën ankthin për ne. Zhvilluam volum loje dhe krijuam, por fatkeqësisht shpërdoruam shumë.

Çfarë do të thotë për një shkodran që të luajë në “Loro Boriçi” për ta rrëzuar Vllazninë nga elita?

Tani jemi të përqendruar te finalja e madhe e “play off”-it ndaj Vllaznisë. Ky është objektivi dhe nuk do të heqim dorë, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Unë si shkodran që jam, Vllazninë e adhuroj, por duke qenë një futbollist profesionist i shërbej me besnikëri deri në fund fanellës që më kanë besuar. Dëshira e të gjithë futbollistëve është që skuadrën që kanë përballë ta mundin, pavarësisht emrit, historisë apo dhe lidhjeve shpirtërore. Ndaj këtu nuk ndiej presion fare, as unë dhe as shkodranët e tjerë që janë në Lezhë e nuk jemi pak.hajdari

Trajneri Elvis Plori thotë që Vllaznia ka presion të madh psikologjik para kësaj finaleje. Mendoni njësoj edhe ju?

Normal që Vllaznia ka një presion të madh, pasi në shtëpinë e saj do të provojë shansin e mbijetesës përballë një skuadre të një kategorie inferiore.

Në rast se do ta mundni Vllazninë, si do të ndiheni para tifozërisë shkodrane?

E theksova edhe më lart, të gjithë futbollistët profesionistë i shërbejnë fanellës që kanë veshur dhe unë nuk jam as i pari dhe as i fundit që luftoj për ta ulur nga kategoria. Shumë futbollistë shkodranë që luajnë nëpër skuadrat e Superiores, janë bërë faktor për pozicionin delikat që ka sot Vllaznia.

Nëse Vllaznia do të bjerë nga kategoria, a do t’i shërbejë për reflektim në të ardhmen?

Edhe sezonin 2018-2019 Vllaznia e zhvilloi në Kategorinë e Parë dhe fatkeqësisht nuk reflektoi. Ja ku është sot. Që në vitin që u ngjit, e ka bërë pikëpyetje qëndrimin. Sinqerisht për këtë më vjen keq. Shpresoj se sponsori që është afruar të sjellë refleksionin që mungon dhe ta ngjisë ekipin në vendin që e meriton.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"