Vlerësuan Ilir Dajën dhe Skënderbeun për paraqitjet dinjitoze, Partizani konfirmon Sormanin për… 5 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 14:24

Vlerësuan Ilir Dajën dhe Skënderbeun për paraqitjet dinjitoze, Partizani konfirmon Sormanin për… 5 javë

Partizani ka konfirmuar në detyrë trajnerin Adolfo Sormani, edhe pse ka edhe dy vite kontratë, me shpresën që në 5 javët e mbetura do të arrijnë pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Pas shkrimit të botuar më 1 korrik në “Panorama Sport”, që drejtues të klubit po mundohen të bindin trajnerin Ilir Daja për sezonin e ri, si dhe pas komentit të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, dje ka ardhur edhe reagimi i Partizanit në faqen zyrtare të klubit.

ilir dajaaa

Reagimi i të kuqve është normal, pasi është e drejtë e tyre të mbrojnë stafin teknik, në mënyrë që skuadra të mos shpërqendrohet në këtë fundsezoni. Në njoftimin e bërë, klubi kryeqytetas konfirmon trajnerin Sormani deri në fund të sezonit duke pohuar se nuk po bisedojnë me trajnerë të tjerë. Mes të tjerash japin edhe vlerësimin për trajnerin Ilir Daja dhe klubin korçar për paraqitjen dinjitoze në kampionat.

 

Por, po të shikosh me kujdes reagimin e Partizanit, në asnjë rresht nuk thuhet se Sormani është i konfirmuar edhe për sezonin e ri. Ndaj, edhe shkrimi i “Panorama Sport” në lidhje me ndryshimet në pankinë, kishte të bënte me sezonin e ri, jo aktualin. Ndaj reagimi i Partizanit më shumë merret i mirëqenë për 5 javët e mbetura të sezonit, ku të gjithë në klub janë në provë, dhe më pas do të nisë revolucioni i thellë.Sormani Partizani

Ja reagimi i klubit: “Nisur nga lajmi që prej ditësh po qarkullon në media dhe portale të ndryshme në vend, FK Partizani ka detyrimin moral përkundrejt opinionit sportiv, por sidomos ndaj punonjësve dhe tifozërisë së skuadrës për të përgënjeshtruar lajmin se klubi është në kontakte me trajnerë të tjerë për të marrë drejtimin e ekipit. FK Partizani dëshiron të informojë, sqarojë mediat dhe sportdashësit, se stafi teknik gëzon besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të klubit për të punuar të qetë në arritjen e objektivit të mbetur në këtë sezon jonormal si ky i këtij viti, i kondicionuar thellësisht nga situata e krijuar prej pandemisë.

Saktësojmë se këto lajme nuk bëjnë gjë tjetër përveçse tentojnë të shpërqendrojnë ekipin nga detyra për ta mbyllur këtë fundkampionati me përpjekjet maksimale. E vlerësojmë dhe respektojmë trajnerin Ilir Daja për atë çka arritur në drejtimin e mjaft ekipeve në kampionatin tonë, ashtu si respektojmë dhe klubin e Skënderbeut për kampionatin dinjitoz që po zhvillon, por ky reagim yni vjen për të respektuar garën dhe për të mos prishur kurrsesi ekuilibrat në këtë fundsezoni. Ndaj kërkojmë nga të gjitha mediat që të jenë korrekte në pasqyrimin e informacioneve ashtu sikurse Partizani mbetet gjithmonë bashkëpunues me të gjithë dhe kërkon të trajtohet në të njëjtën mënyrë”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"