Vlerësimi i skuadrave për javën e 22-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2016 | 19:37

Vlerësimi i skuadrave për javën e 22-të të Superiores

Vlerësimi i skuadrave në kuadër të paraqitjes së tyrë në javën e 22-të të kampionatit. sukajBylis 8 – Rihap edhe një herë garën e ethshme në fundin e tabelës së klasifikimit. Merr një fitore që pak të thuhet se është e artë për ballshiotët. Në fund mund ta kishte mbyllur takimin në 2-0, por pavarësisht se gjyqtari u mundua të ndikonte në rezultat, Bylis ka barazuar Vllazninë me pikë.

Skënderbeu 7 – Një notë që më shumë shkon për perlën e Hamdi Salihit në fitimin e 11-metërshit dhe ekzekutimit mjeshtëror, sesa për mënyrën sesi luajti ndaj Tiranës. Në fund të fundit, të besuarit e Josës interesohen vetëm për 3 pikët dhe ato i morën në një “derbi”, duke ruajtur distancën me Partizanin edhe falë… Koçit.

Partizani 7 – Mund Kukësin në një ndeshje që do të ishte dramatike për të kuqtë po të kishte tjetër rezultat. I rikthehet “Xhevahiri” dhe skuadra e Agostinelit “heq qafe” Kukësin, që në fund i mbetet vetëm të merret me pretendimet për veprimet e Pashajit. E vetmja, që me të gjitha mënyrat, po ndjek korçarët.

Flamurtari 7 – Skuadër e disiplinuar, me grintë dhe mbi të gjitha me një organikë të tillë lojtarësh që dinë të krijojnë mbi dhjetë raste të pastra për shënim. Ramadani ka ditur të kolaudojë “të rinjtë” dhe “të vjetrit” janë më të motivuar se kurrë për të marrë për dore Flamurtarin që ishte buzë greminës. Fiton “derbin e mbijetesës” me Vllazninë. Jo pak për objektivat e këtij sezoni…

Teuta 6.5 – Prej disa javësh ka humbur “Teuta e Maganit”. Në fillim, u mësuam që të shihnim një skuadër të bukur në fushën e lojës dhe një ekip që të imponohet me të gjitha mënyrat duke kërkuar rezultatin pozitiv. Me Tërbunin vuan jo pak dhe i duhet një shtesë mbi kohën shtesë të akorduar që të marrë tri pikët. Gjithsesi, mbetet rivale e Tiranës për “medaljen e bronztë”.

Tirana 6 – Nuk ka fituar, por me atë paraqitje që ka bërë në Korçë mund të meritonte shumë më shumë se kaq. Gjithsesi, kjo notë jo për rezultatin e diktuar nga vendimet e Koçit, por për mungesën e cinizmit në ato raste që krijoi dhe për mundësinë që i dha Salihit të godiste nga pika e bardhë. Meriton vlerësim, pasi, paçka organikës së cunguar që kishte, u bëri ballë më së miri… kampionëve.

Tërbuni 5 – Loja përfundon atëherë kur bie bilbili, pukjanët kanë të drejtën e plotë që të pretendojnë se kanë marrë një pikë në Durrës duke qenë se shtesa ishte 5 minuta dhe jo 7. Rezistojnë mrekullisht përballë durrsakëve, por e humbin në frymën e fundit nga një goditje standarde. Për të ardhur keq…

Kukësi 5 – Pretendimet mbi arbitrimin janë të drejta në disa raste dhe ndikojnë jo pak në rezultat, megjithatë për një ekip që pretendon Europën, vendimtare janë pikët me “të mëdhatë”, ndaj të cilave verilindorët… zvogëlohen shumë. Praktikisht, duket se Kupa do të jetë shpëtimi i vetëm i… Kukësit për këtë sezon.

Vllaznia 4- Bën mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes, megjithatë dy gabime në qendër të mbrojtjes janë shumë për një skuadër që në Vlorë kishte shkuar qoftë edhe vetëm për një pikë. Disfatë që ia rëndon shumë pozitat dhe mbi të gjitha… e ul me këmbë në tokë pas ndeshjeve me Skënderbeun dhe Partizanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"