Vjen portieri kroat te Luftëtari, Bukovski: Ja kush më sugjeroi gjirokastritët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2018 | 18:42

Vjen portieri kroat te Luftëtari, Bukovski: Ja kush më sugjeroi gjirokastritët

Portieri kroat, Hrvoje Bukovski, ka mbërritur dje në Gjirokastër dhe menjëherë ka zbritur në fushë. Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, 26-vjeçari që ka edhe nënshtetësi zvicerane, do të jetë i pari që pritet të hapë rrugën e kontratave të reja në merkaton e verës për gjirokastritët. Pas akordit në parim me drejtuesit, tani Bukovski pritet të zyrtarizojë edhe marrëveshjen me gjirokastritët.

Pas stërvitjes së parë me bluzinjtë, portieri foli për “Panorama Sport”, duke treguar arsyet që e sollën në Gjirokastër. “Pas bisedimeve të menaxherit tim, Stelios Vradelis, me drejtuesit e Luftëtarit, vendosa të vij në Gjirokastër. Për Luftëtarin më kanë folur disa miq, duke filluar nga trajneri aktual i portierëve, Jovan Mihajloviç. Gjithashtu kam folur me dy miqtë e mi, Ivan Jakovljeviç, që luan këtu, si dhe Tomislav Bushiçin e Flamurtarit”, ka thënë fillimisht Bukovski.

hrvoje bukovski

AVENTURA ME MAKINË

Kroati i lindur në Zvicër dhe një të kaluar te Jang Bojsi tregoi se për të ardhur në qytetin e gurtë kishte vendosur të bënte rrugën me makinë që nga Zagrebi i Kroacisë deri në Gjirokastër. “Këtu erdha me makinën time, përshkrova një rrugë të gjatë, por mbresëlënëse. Kalova nga Kroacia në Mal të Zi, për të mbërritur pasdite në Gjirokastër.

Që në pamjen e parë u impresionova me bukurinë e qytetit, që më duket si disa vende të Greqisë, pasi kam jetuar pak kohë në këtë të fundit”, tregon Bukovski. Pritet që sot ai të nënshkruajë zyrtarisht me klubin. “Ende nuk kam firmosur, por në orët më pas do ta bëj”, sqaroi ai.

RIVALITETI ME RUÇIN

Bukovski do të rivalizojë për të qenë numri një i Luftëtarit me portierin elbasanas, Shkëlzen Ruçi. Ky i fundit ka qenë titullar në pjesën më të madhe të kampionatit të kaluar, ndërsa klubi i ka besuar, duke i rinovuar kontratën në muajin janar edhe për tri vite të tjera. Ruçi luajti 20 ndeshje si titullar, ndërsa 16 herë e nisi nga pankina. Tashmë do të jetë në dorën e stafit teknik për të vendosur se kush do ta nisë nga minuta e parë.

Megjithatë, e rëndësishme për trajnerin Millosh Kostiç është fakti që ka konkurrencë për një vend në portë. Ardhja e Bukovskit natyrisht që do t’i bëjë mirë edhe portierit Ruçi, i cili do të luftojë për të qenë titullar. Tashmë gjirokastritët po mendojnë të fuqizojnë repartet e tjera, kryesisht mbrojtjen dhe sulmin. Gjetja e zëvendësuesve të Abazajt dhe Bregut është parësore, por gjithashtu edhe afrimi i të paktën një qendërmbrojtësi cilësor.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"