Vjen “paqja” tek Elbasani, Laze kthen nga pezullimi trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 11:56

Vjen “paqja” tek Elbasani, Laze kthen nga pezullimi trajnerin

Rikthehet në krye të pankinës së Elbasanit Shkëlqim Lleshanaku. Një bisedë midis presidentit Arben Laze dhe trajnerit të verdhebluve ka bërë që të marrë fund pezullimi. Në fakt, ka ndodhur ajo që paralajmëroi “Panorama Sport”, duke e konsideruar më shumë si një debat në nerva e sipër dhe një hatërmbetje midis palëve para ndeshjes miqësore me Shkumbinin.

laze

Ditën e djeshme, Lleshanaku së bashku me Cenajn kanë drejtuar ekipin, duke lënë pas gjithë atë histori që ndodhi gati 5 ditë më parë. Duke qenë se këtë fundjavë starton kampionati, ishte e tepërt të vazhdonte dënimi i trajnerit, pasi duhet të nisnin përgatitjet për sfidën me Egnatian. Kujtojmë që trajneri u pezullua në ndeshjen miqësore me Shkumbinin, pasi nuk pranoi të aktivizonte tre lojtarët: Karati, Selimi dhe Dushaj, pasi kishin mbërritur me vonesë.

STARTI – Kalendari i ka rezervuar Elbasanit një përballje në shtëpi ndaj një kundërshtari që këtë sezon ka bërë shumë investime, siç është Egnatia. Mirëpo, sikur të mos mjaftonin problemet e ditëve të fundit dhe sfida me një rival të fortë, verdheblutë duhet të bëjnë llogaritë edhe me stadiumin. Mësohet se në “Elbasan Arena” është hedhur fara e re e barit para disa ditësh dhe vështirë se mund të jetë gati e të hapë dyert për ndeshjen me Egnatian.

Leshanaku Elbasani

Në një situatë të tillë, elbasanasit do të duhet të gjejnë një fushë ku të luajnë. Për momentin, opsioni më i mirë duket Cërriku dhe verdheblutë do ta shpërngulin sfidën në këtë stadium, meqenëse edhe ekipi i Turbinës do të luajë në transfertë. Edhe gjatë sezonit të fundit, Cërriku u kthye si shtëpia e tyre e dytë, duke qenë se aty zhvilluan shumë takime si pritës.

Një herë Kombëtarja, një herë ndonjë skuadër e Superiores dhe tani bari, por Elbasani duket i destinuar të ketë sërish probleme për të luajtur në “Elbasan Arena”. Gjithsesi, shpresohet që stadiumi të mos ndikojë në rezultatet e ekipit në fushë, për më tepër që bëhet fjalë për ndeshje që do të luhen edhe pa praninë e spektatorëve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"