Vjen ndëshkimi i radhës, FSHF “merr hak” ndaj Idrizit disa orë pas akuzës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2017 | 10:27

Vjen ndëshkimi i radhës, FSHF “merr hak” ndaj Idrizit disa orë pas akuzës

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, mbetet një nga akuzuesit dhe kundërshtari më i flaktë ndaj FSHF-së. Përveç akuzave të njëpasnjëshme, drejtuesi i klubit vlonjat në disa raste ka përdorur edhe fjalor të rëndë ndaj qeverisë së futbollit shqiptar.

idrizi

Një ditë më parë Idrizi ka akuzuar FSHF-në për vendimin e marrë ndaj Flamurtarit që ka lidhje me borxhin ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka. Në prononcimin e dhënë një ditë më parë për “Panorama Sport”, Idrizi u shpreh se Flamurtari nuk ka detyrime ndaj askujt, por 26 mijë eurot e faturuara kuqezinjve për borxhin e ish-trajnerit Ernest Gjoka i shikon si gjobvënien e radhës nga grupi që drejton federatën.

Por, disa orë pas deklaratës së ashpër të administronit të Flamurtarit për FSHF-në, klubi vlonjat është njohur me gjobën e radhës faturuar nga një instancë e federatës, pikërisht Komisioni i Disiplinës. “Flamurtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke përdorur fjalë fyese kundër zyrtarit të ndeshjes, gjobitet me 100.000 lekë (të rinj)”.

Flamurtari tifozet

Ky ishte vendimi që mori dje Disiplina ndaj Flamurtarit për sjelljen e tifozëve vendas në ndeshjen e fundit luajtur në shtëpi ndaj Luftëtarit. Ky vendim është konsideruar në kampin vlonjat si një “hakmarrje” e menjëhershme e FSHF-së ndaj deklaratës së fundit të Sinan Idrizit.

Te banda e gjobvënësve të federatës Idrizi fut edhe ish-trajnerin Ernest Gjoka, i cili, sipas administratorit, kërkon diçka që nuk i takon, pasi me dokumente të rregullta Flamurtari nuk i detyrohet askujt. Klubi vlonjat e ka paguar jo pak kokë- fortësinë e drejtuesve për mosshlyerjen e detyrimeve që Idrizi nuk i shikonte si pjesë të tijën.

Zbritja e pikëve është bërë rrugë te Flamurtari, ndaj, nëse nuk i jepet drejtim shlyerjes së detyrimit të prapambetur të ishtrajnerit Gjoka, nuk është çudi që vlonjatët të përballen me ndëshkimin e radhës nga FSHF-ja. Çështja “Gjoka” mbart prej disa sezonesh, por palët nuk kanë arritur që t’i japin zgjidhje.

Madje, në sezonin e fundit u përfol se Flamurtari mund të zbriste edhe një kategori më poshtë, nëse federata do të tregohej rigoroze me zbatimin e rregullores, duke i hequr pikë të tjera nga renditja. Mbetet për të parë se cila do të jetë beteja e radhës mes klubit vlonjat dhe FSHF-së, ndonëse administratori Idrizi ka pohuar se do të durojë deri në mars, kur kryhen zgjedhjet e reja për kreun e federatës.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"