Vjen momenti i Ferhan Hasanit, Daja duhet të zgjidhë problemin gol. Zbardhet formacioni i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 23:28

Vjen momenti i Ferhan Hasanit, Daja duhet të zgjidhë problemin gol. Zbardhet formacioni i Partizanit

Partizani po bën mirë këtë sezon në Superore. Pavarësisht të gjitha problematikave të cilat kanë nisur që në muajt e verës, kur kishin me merkato të bllokuar, e duke vazhduar më pas me disa rezultate jo të mira e me problemet me kontratat së fundmi, të besuarit e Ilir Dajës janë ende në vendet e para, ku synojnë patjetër fitimin e titullit kampion.

Ferhan-Hasani

Edhe në prononcimin e tij, mesfushori Rron Broja pranoi se nuk duhet të ketë më hapa falsë dhe duke filluar që me ndeshjen kundër Bylisit, do të nisë vrulli final drejt titullit. Por, për të nisur këtë vrull final, Partizanit i duhet të zgjidhë problemin kryesor: mungesën e golit!

HASANI – E për të zgjidhur këtë ngërç para porte, Daja pritet të aktivizojë emrat “big” që ka në ekip. Emri më i madh, pa diskutim, që është Ferhan Hasani. “Buba” nuk ka luajtur thuajse aspak për “demat” që nga transferimi i tij në janar, por dy javët pushim për shkak të kombëtareve dhe minutat që luajti kundër Vllaznisë i kanë bërë mirë fantazistit, i cili pritet që menjëherë të marrë rolin e liderit në ekip. Hasani pritet të aktivizohet në të majtë të sulmit, por me spostimin e tij drejt qendrës dhe me pasimin final që e karakterizon, do të jetë rreziku numër një për kundërshtarët. Jasir Asani mund të rreshtohet në krahun tjetër të sulmit.

BALOTAZHI – Nuk është vetëm Ferhan Hasani ai që është rikuperuar plotësisht dhe është gati për fanellën e titullarit. Edhe Stenio Zhunior po pret prej disa javësh të jetë në majë të sulmit nga minuta e parë. Braziliani, megjithatë, do të ketë një konkurrencë të fortë me Eraldo Çinarin, i cili pavarësisht se nuk ka shënuar në ndeshjet e fundit, Daja vështirë që ta ulë në stol. Zhunior së bashku me Ferhan Hasanin dhe me Jasir Asanin mund të shkëlqejë në majë të sulmit dhe Partizani ndoshta mund ta gjejë më në fund dhe njeriun gol.

01A28D9E-761E-44E9-9CEB-C7EC8446F6F8

FRONI – Për shkak të ecurisë së fundit, Partizani mund të humbasë edhe fronin si ekipi më me shumë gola në Superiore. “Demat” kanë shënuar 34 gola deri më tani pas 26 javësh kampionat, por ekipet e tjera po i afrohen shumë.

Laçi me 33 dhe Kukësi me 32 janë ato që mund t’i marrin vendin e parë Partizanit pas javës së 27-të në Superiore. Prandaj, të kuqtë nuk kanë më kohë për të humbur dhe armët më të rrezikshme që kanë në dispozicion, do t’i përdorin në sprintin final të këtyre 10 ndeshjeve të fundit.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"