Vjen krisja e parë mes Flikut dhe Bajernit, shkak bëhet deklarata e trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 21:01

Vjen krisja e parë mes Flikut dhe Bajernit, shkak bëhet deklarata e trajnerit

Bajerni i Mynihut është në mes të përgatitjeve për sezonin e ri. Pas fitores së tripletës në gusht, ndeshjet e para zyrtare janë në program këtë muaj. Disa prej heronjve të sezonit të shkuar janë larguar, ndërsa të tjerë pritet të vijnë. Trajneri Hansi Flik e ka lëshuar alarmin për afrimet e reja, por shefat e klubit po i “injorojnë” thirrjet e trajnerit.

Flik3

Pas largimeve të Odriozolës, Kutinjos dhe Perisiçit (u rikthen në klubet e tyre pas huazimit), në skuadër ka ende vende vakante për t’u plotësuar. “Me Ivanin, Filipen dhe Alvaron ne humbëm tre lojtarë të cilësisë së lartë në ato pozicione. Duam ta rifitojmë këtë cilësi në këto role. Jam shumë optimist. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Salihamixhiçin”, tha pak ditë më parë tekniku i bavarezëve.

E ardhmja e lojtarëve që hyjnë në vitin e fundit të kontratës, si Alaba apo Tiago Alkantara, është gjithashtu në dyshim, prandaj pozicionet ku Flik kërkon përforcime janë një mbrojtës i djathtë, një mesfushor dhe një sulmues krahu. Sipas informacioneve të sajtit bavarez “TZ-Online”, kërkesat publike të Flikut për përforcime nuk janë pritur shumë mirë në “Säbener Straße”. Shefat e klubit aktualisht kanë probleme të tjera në veshët e tyre, siç janë kërkesat e menaxherëve të lojtarëve në skadencë kontrate.

Deklaratat e Flikut vetëm sa kanë shtuar presionin te drejtori sportiv, i cili e ka bërë me dije qëndrimin e tij. “Koronavirusi ka lënë shenjën e tij. Duhet të jemi të suksesshëm pa hyrë në një borxh të ri”, sqaroi Salihamixhiç.

Rumenige Flik

Ndërsa presidenti i nderit i Bajernit, Uli Hënes, u shpreh: “Unë nuk njoh ndonjë trajner që nuk do të ketë 100 lojtarë. Flik ka një ndikim në planifikimin e skuadrës, por jo në statusin financiar. Ne kemi fituar Ligën e Kampioneve dhe për disa vite mund të qëndrojmë të qetë. Kemi një akademi të mirë dhe disa talente premtuese”.

Edhe shefi i klubit, Karl-Hainc Rumenige, flet me të njëjtat tone: “Në kohën e koronës nuk mund të përballojmë financiarisht dëshirat e merkatos së trajnerit”.

ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"