“Viti që lamë pas ishte vërtetë i artë”, flet kampioni i botës, Çalja: Botërori, qershia mbi tortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 15:20

“Viti që lamë pas ishte vërtetë i artë”, flet kampioni i botës, Çalja: Botërori, qershia mbi tortë

Kampioni i Botës, Briken Calja, e nisi prononcimin e tij duke evidentuar ndryshimet e bëra në KOKSH, të cilat kanë shuar mosmarrëveshjet.

briken-calja

“Dihet që në të shkuarën kemi pasur mosmarrëveshje, por me ardhjen e presidentit Ylli është vënë re menjëherë ndryshimi në Komitetin Olimpik dhe dua ta falënderoj për të gjithë bashkëpunimin”, tha fillimisht Calja, i cili më pas foli për rezultatet, duke i quajtur ato si një rrjedhë logjike e paraqitjeve të bëra gjatë viteve të fundit.

“Këto rezultate nuk kanë ardhur nga rastësia, pasi ju e dini shumë mirë historikun. Gjithçka vjen pas një rrugëtimi me medalje europiane, me tituj kampionë Europe, me vende të treta në Botëror. Ndërsa viti që lamë pas ishte vërtetë i artë, duke nisur që nga Europiani, për të vijuar me Lojërat Olimpike, ku u arrit një rezultat historik me vendin e katërt, si dhe barazova rekordin olimpik. Ndërsa qershia mbi tortë ishte titulli i kampionit të botës në shkëputje në Uzbekistan, si dhe dy medaljet e argjendta në shtytje dhe dygarësh, që është edhe rezultati më i madh shqiptar. Do të doja t’i falënderoja të gjithë për mbështetjen dhe pa diskutim një falënderim shkon për familjen time për mundësinë që më ka dhënë, duke bërë që të ndihem komod”, u shpreh shtangisti.

“Pa diskutim që pjesë e këtyre rezultateve historike janë edhe dy persona shumë të rëndësishëm siç janë trajnerët e mi, Geraldi dhe Vanini, të cilët i kam pasur pranë në momente shumë të vështira. U jam mirënjohës për punën dhe sakrificat e tyre, për të arritur një rezultat kaq të madh. Këto arritje nuk janë vetëm pjesë e punës, por normalisht ka një ndikim të madh edhe mbështetja. Për këtë dua të falënderoj dhe u jam shumë mirënjohës federatës dhe presidentit dhe pa diskutim edhe Komitetit Olimpik, pasi është rasti i parë që ne kemi një derë të hapur në KOKSH. Për ne sportistët kjo është një gjë madhore. Gjithashtu dua të falënderoj edhe Bashkinë e Tiranë që na ka ofruar mbështetje në mënyrë të vazhdueshme dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe në kampionatet në vijim. Së shpejti kemi një event të rëndësishëm si Europiani, ku kam premtuar se ky kompeticin do të flasë sërish shqip”, deklaroi Briken Calja.

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"