Viti i Ri nis me surprizë! Që në janar mund të ketë duel mes Mesit dhe Ronaldos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2023 | 20:30

Viti i Ri nis me surprizë! Që në janar mund të ketë duel mes Mesit dhe Ronaldos

Largimi i Kristiano Ronaldos nga Europa për të luajtur me Al Nassr në kampionatin e Arabisë Saudite tashmë i ka vënë një kapak përballjes epike me Lionel Mesin, me të cilin prej një dekade e gjysmë krahasohej në të gjitha aktivitetet futbollistike në të cilat merrnin pjesë. Një duel i cili do të mungojë në panoramën e futbollit evropian e sidomos në turneun e Ligës së Kampioneve i cili ka qenë i preferuari i portugezit.

mesi ronaldo

Por duket se ata mund të vihen përballë njëri-tjetrit shumë më shpejt se sa mendohet, që në ditët e para të vitit 2023. Ronaldo ka firmosur me Al Nassr dhe shumë shpejt parashikohet të nisë stërvitjen me klubin e tij të ri. Pjesë e stërvitjeve mund të jetë edhe një ndeshje miqësore në Arabinë Saudite ndaj PSG-së së Mesit më datë 19 janar.

Mediat franceze bëjnë të ditur se Naser Al Khelaifi po negocion që të zhvillojë një ndeshje miqësore në Arabinë Saudite për të siguruar të ardhura të rëndësishme dhe sponsor për klubin e tij që është në vështirësi për të përmbushur kriteret e Fair Play Financiar nga UEFA dhe kërkon të ardhura nga të gjitha anët. Sauditët janë të gatshëm të ndërtojnë një ekip me yjet e Al Nassr dhe Al Hilal që të përballet në këtë miqësore në Riad dhe ku padyshim PSG-ja do të përfitonte shuma të ndjeshme ekonomike për të vënë përsëri përballë Mesin dhe Ronaldon.

Nuk dihet ende se sa të gatshëm janë dy yjet e futbollit të jenë të pranishëm në fushë në këtë ndeshje, duke llogaritur se kanë qëndruar pushim që nga Botërori, por klubeve u intereson shumë për çështje marketingu që t’i kenë në fushën e lojës për një përballje në distancë, të paktën për disa minuta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"