Viti i Apolonisë, drejtori i akademisë: Filozofia me moshat është sekreti i suksesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2020 | 22:55

Viti i Apolonisë, drejtori i akademisë: Filozofia me moshat është sekreti i suksesit

Sezoni që lamë pas mund të quhet viti i Apolonisë. Klubi ka festuar 95-vjetorin e themelimit duke e kremtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Pesë skuadrat e futbollit të këtij klubi janë shpallur kampione ose nënkampione të kampionateve përkatëse, konkretisht U-15, nënkampione me trajner Sokol Argjendarin. Ekipi U-17 u shpall kampione e Kategorisë së Parë nën drejtimin e trajnerit Bledar Borova. 19-vjeçarët gjithashtu kampionë të Shqipërisë me trajner Edmond Kodrën. Ekipi i femrave u pozicionua si nënkampione e Shqipërisë me trajner Ernest Avdulajn. Kulmi i piramidës futbollistike të ekipit fierak, ekipi i parë u shpall kampion i Kategorisë së Parë me në krye trajnerin Artan Mërgjyshi, duke finalizuar një edicion fantastik.
apolonia
KLUBI – Në bisedën me drejtorin e akademisë “Apolonia”, Bledar Borova, evidentohet puna e mirë gjatë viteve me ekipet e moshave. “Akademia është një nga modelet më të mira në Shqipëri. Klubi ynë dhe akademia brenda 3 vjetësh bëri një arritje të jashtëzakonshme, duke i ngjitur të gjitha ekipet e moshave në elitë”, tha fillimisht Borova. “Nuk është e rastësishme arritja e ekipit të parë dhe ngjitja në Superligë. Mos harroni që gati 80% e skuadrës së parë ka përbërje nga lojtarët e akademisë. Dhe gjithçka është bazuar mbi filozofinë e klubit, ku është vendosur cilësia mbi masivitetin dhe çdo trajner duhet t’u përshtatet politikave tona. Apolonia është klubi më i mirë për evidentimin dhe promovimin e talenteve dhe ne kemi marrë nga rrethet futbollistë që së pari i kemi aktivizuar te moshat, siç ka qenë rasti i Mihanës, ardhur nga Laçi, Zoga dhe Kumani nga Berati, Jeton Krasniqi nga Kavaja apo siç kemi aktualisht Arlind Kurtin (U-15) nga Patosi, Redi Kaçanolli (U-17) nga Vlora etj. Nga moshat e klubit, plot 25 futbollistë/ futbolliste përfaqësojnë ekipet kombëtare: 2 me U-13, 2 me U-15, 4 me U17, 2 me U-19, 2 me U-20, 3 me U-21, 4 me U-17 femra, 6 me U19 femra”, vijon më tej drejtori i akademisë së Apolonisë.
apoloniaaaaiiiaia
95-VJETORI – Borova këtë sezon drejtoi dhe U-17, skuadër të cilën e shpalli kampione të Kategorisë së Parë, ndërsa në sezonin e ri do të drejtojë U-19 e Apolonisë. Në fund, ai përcjell dhe kartolinën përshëndetëse, si mesazh për 95-vjetorin e themelimit të klubit. “Jemi krenarë që gjithçka u kurorëzua me sukses këtë 95-vjetor dhe për këtë meritojnë falënderim gjithë futbollistët dhe stafi teknik. Tani na duhet shumë punë që këto arritje t’i ruajmë edhe sezonin pasardhës”, deklaroi për “Panorama Sport” drejtori i akademisë, Bledar Borova.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"