“Vitaminë” para Lionit, Dibala lojtari i vitit në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 17:41

“Vitaminë” para Lionit, Dibala lojtari i vitit në Itali

Tifozët bardhezi në Itali dhe në botë, trajneri Mauricio Sarri, por edhe Kristiano Ronaldo, që përkrah tij ndihet më komod, por mbi të gjitha di sesi të transformohet dyfish më i rrezikshëm, sesa pa numrin 10 në fushë, kanë nisur të kryqëzojnë gishtat për rikuperimin e plotë të Paulo Dibalës, për ndeshjen e të premtes në mbrëmje. Por për t’i shtuar më shumë “vitamina” muskujve të argjentinasit dhe për ta karikuar edhe më shumë atë në pritje të ndeshjes së kthimit me Lionin, ku misioni është përmbysja e takimit të vajtjes (u mposhtën 1-0 në Francë), ka menduar Liga Italiane, e cila e ka shpallur Paulo Dibalën futbollistit e vitit në Serinë A. Ky vlerësim nuk ka qenë diçka “qejfi”, por bazuar në statistikat dhe rendimentin e këtij kampionati, “xhevahiri” i “Zonjës së Vjetër” ka merituar çmimin në fjalë, duke mposhtur shumë emra të mëdhenj të tjerë në garë, si shoku i tij i skuadrës, apo akoma më shumë “Këpuca e Artë” e Europës, Çiro Imobile.
dibala
FALËNDERIMET – Sigurisht që vetë Dibala nuk mund të mos ishte i lumtur dhe pse jo të kishte mbetur disi edhe i surprizuar për çmimin e marrë si futbollisti më i mirë i vitit në Serinë A dhe falënderimet ishin për të gjithë: “Nëse më kanë vlerësuar me këtë çmim, merita nuk është vetëm e imja, por ajo i shkon trajnërevë dhe shokëve të mi të skuadrës. Pa ata nuk do të kishte qenë e mundur ky vlerësim për mua, por mbi të gjitha dua të falënderoj edhe të gjithë tifozët, që më qëndrojnë pranë gjithmonë. Falëminderit!”, postoi Dibala.

ÇMIMET E TJERA – Ndërkohë, Liga Italiane ka vlerësuar edhe lojtarët e tjerë, për rolet përkatëse, ku portieri më i mirë i vitit është shpallur juventini Vojceh Shezni; qendërmbrojtësi më i mirë interisti Stefan De Vraj; mesfushori i vitit Alehandro “Papu” Gomez i Atalantës, ndërsa sulmuesi më i mirë, pa dyshim Çiro Imobile i Lacios. Të gjithë këta do të tërheqin çmimet përkatëse dhe të merituara sipas statistikave që kanë grumbulluar në këtë sezon jo të zakonshëm, në ndeshjen e parë të sezonit të ardhshëm të Serisë A, i cili rikujtojmë se do të startojë më datë 19 shtator.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"